Prishtinë, 28 Nëntor 2010
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë sot pjesë në ceremoninë solemne të emërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës me emrin “Adem Jashari”. Në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, përfaqësues të familjes Jashari, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ministra, deputet, përfaqësues të partive politike dhe personalitetet tjera të larta të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Në vazhdim po japim të plotë fjalën përshëndetëse të kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi:
I nderuari president në detyrë, Jakup Krasniqi,
E nderuara familje Jashari,
Të nderuar ministra, zëvendësministra, kandidat për deputet,
Të nderuar të gjithë të pranishëm,
Fillimisht urime festa shqiptarëve e pavarësisë së Shqipërisë, festa e flamurit, ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari.
Të gjithë kemi ëndërruar, punuar e sakrifikuar që të jemi të lirë. Dhe sot, të gjithë qytetarët e vendit ndihen të lirë dhe krenar me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Por pavarësisë sonë duhet të japim kuptim me vlerat e sakrificave sublime të luftës çlirimtare, të përpjekjeve tona shekullore e njeriu që i priu kësaj përpjekjeje, unitetit dhe bashkimit të popullit të Kosovës për liri e pavarësi, është Komandanti Legjendar Adem Jashari.
Nga sot gjithë ata që udhëtojnë nga aeroporti ndërkombëtare këtu në Prishtinë, secili në mendje e në shpirt siç e ka pasur gjithmonë Komandanti Legjendar Adem Jashari, do ta ketë në rrugëtimin e tij për Bruksel për SHBA dhe kudo në gjithë botën.
Ne sot po i japim kuptim lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, shtetit tonë, vlerave të lirisë sonë sepse një nga vendimet më të rëndësishme që kam marrë këto vite të fundit, ka qenë ky: emërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës me emrin e Komandantit Legjendar Adem Jashari.
E gëzofshim të gjithë, gjithë Kosova, gjithë shqiptarët!
Ky ishte vendim për t’u zyrtarizuar, sepse në mendjen, shpirtin dhe zemrën e çdo shqiptari është Adem Jashari.
Prandaj e gëzofshim të gjithë dhe punë të mbarë!
Last modified: 28 Nëntor, 2010