Prishtinë, 4 korrik 2009
Në vazhdim po e japim të plotë deklarimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi gjatë vizitës në pjesën veriore të vendit.
Sot jemi së bashku me një pjesë të bashkëpunëtorëve të mi në një vizitë në komunën e Mitrovicës, gjithashtu edhe në komunën e Zveçanit.
Ne sapo përfunduam përurimin e rrugës për në Vidishiq, gjithashtu jemi në duke inspektuar fazën përfundimtare të rrugës në këtë pjesë të Zveçanit, në Boletin – Zhazhë.
Është një projekt tepër i rëndësishëm për të gjithë këta qytetarë që të vazhdojnë jetën e tyre në Kosovën e re, në Kosovën shtet i ri, në Kosovën moderne që në çdo cep të Republikës së Kosovës të investohet dhe këto projekte janë tepër të rëndësishme për jetën e re të të gjithë këtyre njerëzve që jetojnë në këto vende të bukura të Republikës së Kosovës.
Kanë qenë natyrisht terrene jo edhe të lehta, por siguroj edhe kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepin dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij, të gjithë qytetarët e Mitrovicës dhe të Zveçanit që jetojnë në këto vende se nuk do të ketë pengesë, nuk do të ketë kodër, nuk do të ketë bjeshkë që do të na ndalojë apo do të na pengojë në implementimin e projekteve për t`i realizuar, në interes të qytetarëve edhe në ndërtimin e rrugëve të reja, asfaltimin e tyre, sjelljen e kanalizimit, elektrifikimin modern dhe hapat tjerë të perspektivës moderne në Kosovën shtet i ri.
Ne do të vazhdojmë edhe me agjendën tjetër në qytetin e Mitrovicës dhe përgjatë Lagjes së Boshnjakëve me rrugë të reja, me kanalizime, me parqe, me zgjerimin e hapësirave gjithashtu të gjelbërimit që me të vërtetë qyteti i Mitrovicës të jetë i bashkuar dhe i integruar modern dhe i perspektivës.
E kam theksuar shpesh, por theksoj edhe sot se Mitrovica është vetë Kosova, për Mitrovicën në çdo cep të territorit të saj nuk do të ketë asnjë pengesë dhe është një konsensus i plotë për përkrahjen e të gjitha projekteve, kur flas për të gjitha projektet këtu hynë edhe rrugët, shkollat e reja të shumta të cilat janë duke u ndërtuar me infrastrukturë, kanalizime, me ujësjellës, me investime për gjelbërimin e qytetit, krijimin e shumë mundësive të reja dhe jetë shumë më të mirë për të gjithë qytetarët e Mitrovicës.
Kryeministri Hashim Thaçi gjatë qëndrimit në veri të Kosovës, gjithashtu ka theksuar se angazhimet e vazhdueshme të qeverisë për implementimin e standardeve më të larta evropiane nuk duhet të politizohen pa nevojë.
Do të ketë ligjshmëri dhe jo politizim të këtyre angazhimeve, do të ketë standarde evropiane dhe ndalim të kontrabandës. Do të ketë standarde perëndimore dhe më vjen keq që qytetarët e Republikës së Kosovës, tash e dhjetë vite kanë kualitetin e ushqimit më të dobët në Evropë dhe kjo duhet të ndërpritet.
Ne kot ndërtojmë rrugë, kanalizime nëse nuk e kemi jetën e mirë dhe ne do të investojmë që të rrisim kualitetin e jetës së qytetarëve, para së gjithash ushqimin.
Kjo na prek të gjithëve, çdo qytetar dhe çdo familje në Kosovë, prandaj do të respektohen normat ndërkombëtare, do të respektohen parimet dhe standardet evropiane dhe para së gjithash do të inkurajohen investitorët apo tregtarët vendorë në raport me ata ndërkombëtarë.
Kjo nuk duhet politizuar, por duhet mbështetur ligjshmëria e standardeve evropiane. Kemi të bëjmë me një filozofi evropiane.