Prishtinë, 20 janar 2010
Të nderuar investitorë dhe përfaqësues të investitorëve,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve dhe pjesëmarrës të tjerë të kësaj konference për investitorët privatë në projektin “Kosova e Re”
Kam kënaqësinë t’ju përshëndes të gjithëve në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke ju dëshiruar mirëseardhje dhe sukses.
Është kënaqësi e veçantë për mua të konstatoj interesin tuaj për investime në sektorin energjetik të Kosovës, konkretisht në projektin për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë elektrike në Republikën e Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe unë personalisht, jemi shumë të interesuar dhe të vendosur që të punojmë intensivisht për të finalizuar me sukses procesin që do të mundësojë pjesëmarrjen tuaj në ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.
Ndihem tepër mirë që kjo konferencë po mbahet në kohën kur procesi i privatizimit të distribuimit është në rrugë shumë të mbarë, kur qeveria vendosi edhe për fillimin e projektit madhor për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës, autostradën Vërmicë – Prishtinë – Merdare.
Kjo autostradë ka vlerën, jo vetëm për qarkullimin e njerëzve dhe mallrave, por edhe si korridor evropian për Republikën e Kosovës.
Gjithashtu, Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë investime kolosale në sistemin e transmisionit energjetik, që do t’ju mundësojë juve shkëmbim të lirshëm të prodhimit dhe importit të energjisë që ju prodhoni.
Gjithashtu, Qeveria e Republikës së Kosovës është në fazën e finalizimit të procesit të koncesionimit të Aeroportit të Prishtinës dhe fillimin e mbarë të procesit të angazhimeve tjera madhore të projekteve për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës.
Pra, për Republikën e Kosovës, për qeverinë që udhëheq unë, është një vit i vendimeve madhore për të ardhmen e zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës.
Prandaj, edhe një herë, të nderuar investitorë, përfaqësues të investitorëve, përfaqësues të institucioneve tjera, Bankës Botërore, Komisionit Evropian, USAID-it, ju dëshiroj mirëseardhjen dhe ju falënderoj shumë edhe për mbështetjen tuaj të jashtëzakonshme që ka qenë e rëndësishme për Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Të nderuar të pranishëm,
Ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë elektrike nga linjiti është jetik për zhvillimin e shpejtë dhe të qëndrueshëm në sektorin energjetik të Republikës së Kosovës.
Më 17 dhjetor 2009, Qeveria e Kosovës mbështeti Komitetit Drejtues të projektit “Kosova e Re”, me nevojën për rikonfigurimin e projektit që ofrohet për investime private.
Ne si Qeveri e miratuam përmbajtjen e rikonfiguruar të projektit dhe i kërkuam ministrisë së Energjisë dhe Minierave të drejtojë procesin ashtu që brenda vitit 2010 të kemi arritur mbylljen financiare me konzorciumin apo kompaninë fituese për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.
Pra, jemi të vendosur të respektojmë plotësisht agjendën e paraparë që ky proces të finalizohet brenda këtij viti apo deri në vjeshtë të këtij viti.
Të gjithë hapat për këtë projekt madhor do të jenë në përputhje me qasjen evropiane për energji dhe mjedis, sepse qëllimi ynë final është integrimi në Bashkimin Evropian, që kërkon edhe respektimin e plotë të të gjitha rregullave, rregullativës së Bashkimit Evropian, sa i përket energjisë dhe konkurrencës.
Jam i bindur se me mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë që kemi vendosur, bashkëpunim ky i suksesshëm me Bankën Botërore, USAID-in, Komisionin Evropian, do të arrijmë këtë qëllim.
Qëllimi ynë është të furnizojmë plotësisht me sasinë dhe cilësinë e duhur konsumatorët dhe ekonominë e Kosovës me energji elektrike.
Ne do t’ju ofrojmë investitorit privat mundësinë që ai të prodhojë edhe për eksport dhe në kohën e duhur do të marrim qëndrime dhe vendime të përshtatshme, gjithnjë në konsultim me investitorin fitues, për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.
Të nderuar investitorë dhe përfaqësues të investitorëve,përfaqësues të të gjitha institucioneve prezentë në këtë konferencë të rëndësishme për sektorin e energjetik të Republikës së Kosovës,
Ju ftoj ju dhe investitorë të tjerë potencialë, të keni parasysh edhe mundësinë tjetër që ofron Republika e Kosovës, pra, mundësinë e pjesëmarrjes suaj edhe në ndërtimin e hidrocentralit të Zhurit.
Ne tashmë, me mbështetjen e Bankës Botërore, i kemi përgatitur, studimet dhe vlerësimet paraprake të nevojshme ekonomike e teknike dhe mjedisore e sociale, që parashikojnë që shpejt do të mund të fillojnë procesin ofertues edhe për këtë vepër tjetër energjetike të rëndësishme që do të prodhojë energji elektrike, të pastër dhe pa asnjë ndotje mjedisore.
Të nderuar investitorë dhe përfaqësues të tyre,
Ju ftoj që të shprehni interesin tuaj për pjesëmarrje në projektin “Kosova e Re” dhe ju siguroj se nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës, Qeverisë që udhëheq unë, do të gjeni angazhimin maksimal për të arritur një partneritet të qëndrueshëm, të suksesshëm dhe përfitimin e dëshiruar nga të dyja palët, pra nga investitori privat dhe nga shteti i Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe unë personalisht, ju garantojmë se procesi do të jetë i pastër, i hapur, legal dhe transparent.
Ju uroj suksese!
Last modified: 20 Janar, 2010