Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Me këto zgjedhje do të fitojë shteti i Kosovës, qytetarët, do të fitojnë të gjithë

29 Tetor, 2009

Prishtinë, 29 tetor 2009

Kryeministri Hashim Thaçi në hapje të mbledhjes së 90-të e Qeverisë së Republikës së Kosovës, falënderoi në emër të Qeverisë gjithë spektrin politik të Kosovës për fillimin e barë të fushatës elektorale për zgjedhjet e para të lira, me një participim të spektrit shumetnik në Kosovë. “Kjo  është një garancë për ngadhënjimin e demokracisë në mënyrë që të afrohet pushteti sa më afër qytetarëve”, tha z. Thaçi.

Më tutje kryeministri Thaçi pohoi se ky është mesazhi më i mirë që po i dërgojmë qytetarëve të vendit dhe botës demokratike. Në këtë proces do të fitojë shteti i Kosovës, qytetarët, do të fitojnë të gjithë. Uroj të gjithë për punën e tyre të mirë, për avancimin e konkurrencës së vlerave dhe para së gjithash për angazhimet e përbashkëta për shtetin tonë porositi kryeministri Thaçi.

“Jemi në mes të fushatës elektorale, me besim të plotë se i gjithë procesi do të shkojë shumë mirë, një proces i qetë, shumë i matur, demokratik që do të reflektojë për të mirën e vendit tonë në gjithë procesin e vazhdimit të njohjeve për pavarësinë e Kosovës, për integrimin në strukturat euroatlantike”, tha kryeministri Thaçi.

Kryeministri Hashim Thaçi ka njoftuar kabinetin se me ftesën e tij ish-presidenti i SHBA-ve, Bill Klinton do ta vizitojë të dielën Kosovën, ku do të marrë pjesë në zbulimin e bustit të tij në shenjë respekti dhe mirënjohje nga populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

“Presidenti Klinton është i mirëpritur nga institucionet dhe populli i Kosovës dhe është një mirëseardhje e madhe për një njeri të madh me përmasa globale që ka bërë shumë për Kosovën, për gjithë demokracinë në botë”, theksoi kryeministri Thaçi, duke shtuar se është vizita e parë në Kosovën e pavarur, por jo e para në Kosovën e lirë. Prandaj Kosova  e mirëpret presidentin Klinton, falënderon edhe njëherë të gjitha qeveritë e SHBA-ve të të gjitha periudhave kohore që kanë qenë të angazhuara për Kosovën.
 
Në vazhdim Qeveria ka miratuar propozimin e MEM-it për përdorimin e llambave fluoreshente, kompakte të ndriçimit. Sipas ministres Justina Pula- Shiroka kjo është në funksion të përmirësimit të efiçiencës së energjisë që është përfshirë në Programin 2007-2009 dhe Planin afatgjatë të veprimit për efiçiencë të energjisë 2009-2016. Sipas këtij vendimi, duke filluar nga data 01.02.2010 obligohen të gjitha institucionet publike dhe shtetërore për ndriçimin e mjediseve me llamba fluoreshente kompakte.
 
Qeveria i ka dhënë ditën e gjelbër kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme që në strategjinë legjislative për vitin 2009 të përfshihet edhe Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Inspektoratin Policor të Kosovës.

Last modified: 29 Tetor, 2009

Comments are closed.