Kryeministri Thaçi: Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit përfundimisht përkufizon në praktikë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës


Image

Prishtinë, 12 dhjetor 2012

Në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Rregulloren për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive, si dhe në përputhje me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i është drejtuar sot deputetëve para Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me takimin e tretë të zhvilluar në Bruksel me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, të ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, baronesha Catherine Ashton.

Në vazhdim gjeni të plotë fjalën e kryeministrit Thaçi në Kuvendin e Kosovës

I nderuari nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Xhavit Haliti
I nderuari kabinet qeveritar
Të nderuar Deputet,
Të nderuar qytetar të Kosovës,
Zonja e zotërinj,

Fillimisht dëshiroj t’iu falënderoj të nderuar deputetë dhe Kryesi e Kuvendit të Republikës së Kosovës për mirëkuptimin që keni treguar në kërkesën time për të informuar Kuvendin e Kosovës për takimin e tretë të radhës që është zhvilluar në Bruksel, ndërmjet dy kryeministrave të Kosovës dhe atij të Serbisë
me ndërmjetësimin e baroneshës Ashton.

Më lejoni t’iu informoj për konkluzionet nga takimi i tretë i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Edhe në këtë takim çështja kryesore që është diskutuar ka qenë zbatimi në praktikë i Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se kjo çështje jashtëzakonisht e rëndësishme, e cila përfundimisht përkufizon në praktikë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, dhe normalizon punën e të gjitha shërbimeve që bëhen në pikat kufitare me Serbinë.

Më lejoni që t’iu informoj, siç edhe jeni në dijeni, se implementimi i marrëveshjes së IBM-it ka filluar dy ditë më parë, ka filluar suksesshëm, pra, ka filluar së funksionuari në kuptimin edhe de-jure dhe de-facto pika kufitare mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë

Zbatimi i marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, porta 1 dhe në pikëkalimin në Merdare, tashmë veç ka filluar dhe është funksionalizuar.

Është një sukses i këtij dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve tona,  është një kriter dhe standard evropian dhe po ndodh për herë të parë në relacionet Kosovë-Serbi.

Në dy pikat tjera kufitare, ajo në Bërnjak dhe tek Dheu i Bardhë, do të përfundojë zbatimi i IBM-it deri në përfundim të muajit, pra deri më 31 dhjetor.

Me këtë rast, unë dua t’iu bëjë thirrje publike gjithë qytetarëve, në veçanti komunitetit serb të cilët jetojnë në pjesën veriore të Kosovës, që ta kuptojnë drejtë procesin e zbatimit të IBM-it që është në shërbim të të gjithë qytetarëve, të rendit dhe ligjit, të perspektivës evropiane të dy vendeve tona, dhe gjithë rajonit.

Vendosja e kontrollit në pikat kufitare me Serbinë, dhe ofrimi i shërbimeve doganore dhe atyre tjera përcjellëse sipas praktikave më të mira evropiane, është një moment jashtëzakonisht  i rëndësishëm.

Kjo do të mundësoj luftimin e dukurive negative, që kanë qenë prezentë në atë pjesë të territorit të Kosovës tash e 13 vite, luftimin e kontrabandës, dhe mbi të gjitha do të mundësoj qarkullimin normal për qytetarët dhe mallrat.

Qytetarët që jetojnë në veri të Kosovës duhet të bashkëpunojnë me të gjitha agjencitë qeveritare, me qëllim që të evitohen problemet e mundshme që mund të ngriten nga grupe të ndryshme të interesit, të cilat janë kundër vendosjes së rendit dhe ligjit në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës.

Çështja e dytë që është adresuar është arritja e marrëveshjes për hapjen e zyrave ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd dhe të Serbisë në Prishtinë.

Pra, në takimin e përbashkët që e kemi zhvilluar, fillimisht është zhvilluar një takim me baroneshën Ashton, ku kam qenë së bashku me zëvendëskryeministren Edita Tahirin dhe koordinatorin politik, Blerim Shala, është arritur marrëveshja për hapjen e zyrave ndërlidhëse në dy shtete respektive.

Pra, Republika e Kosovës do ta ketë zyrën e saj ndërlidhëse në Beograd, dhe Serbia do ta ketë zyrën ndërlidhëse në Prishtinë.

Jemi pajtuar që në fazën e parë zyrat ndërlidhëse në dy shtete respektive, për shkaqe tashmë të njohura, sidomos atyre të sigurisë,  të vendosen në ndërtesat e misionit të Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe Beograd.

Me këtë rast, unë dëshiroj që edhe njëherë të falënderoj baroneshën Ashton që në emër të Bashkimit Evropian ka vendosur që zyra ndërlidhëse e Kosovës të vendoset në të njëjtën ndërtesë të misionit të Bashkimit Evropian në Beograd.

Sa i përket afatit kohor të emërimit të zyrtarëve që do të udhëheqin këto zyra ndërlidhëse, ne jemi pajtuar që kjo të bëhet deri kah fundi i muajit dhjetor 2012.

Ne kemi vendosur që në zyrën ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd të emërojmë një nga ambasadorët aktualë të Republikës së Kosovës.

Mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare ka qenë një prej pikave tjera që kemi diskutar në takimin me baroneshën Ashton dhe kryeministrin Daçiq. Gjithashtu kam informuar për vendimin që e kemi marrë, që Policia e Kosovës të themelojë njësi të veçantë multietnike, në kuadër të Policisë së Kosovës, e cila do të marrë në mbrojtje fizike ruajtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe religjioze serbe që ndodhen në Kosovë. E gjithë kjo është plotësisht në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dhe dokumentet tjera bazë për shpalljen e Kosovës së pavarur dhe sovrane.

Pikë tjetër ka qenë transparenca e ndihmës financiare të Serbisë për serbët që jetojnë në Kosovë.

Në takimin e tretë, kemi adresuar edhe çështjen e financimit që Serbia i bën për serbët që jetojnë në Kosovë tash e 13 vite.

Natyrisht, thelbësore në këtë çështje është domosdoshmëria që këto fonde të jenë transparente dhe transferi i tyre të bëhet në mënyrë institucionale, për ato fonde dhe transfero që janë të përcaktuara qartë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe dokumente tjera ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës, pra me Dokumentin e Presidentin Ahtisaari. 

Për këtë qëllim ne kemi diskutuar për mundësinë që të themelohet një fond i veçantë i cili do të menaxhohet bashkërisht edhe me pjesëmarrjen e bashkësisë ndërkombëtare.

Esenciale është që në të ardhmen të gjitha fondet që Serbia i parashikon si ndihmë për komunat me shumicë serbe në Kosovë, do të jenë plotësisht transparente, dhe të transferohen në mënyrë legale në fondin e veçantë, i cili do të menaxhohet nga ne dhe bashkësia ndërkombëtare.

Në këtë çështje, ne ende nuk kemi arrit marrëveshje përfundimtare ,sepse kjo çështje ndërlidhet drejtpërdrejt me domosdoshmërinë dhe urgjencën e shpërbërjes së strukturave ilegale të sigurisë së Serbisë që ekzistojnë në veri të vendit.

Çështja e shpërbërjes së strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë dhe financimi i tyre do të jetë një temë e veçantë  e cila do të diskutohet në takimin e radhës që do të mbahet më 17 janar 2013, së paku kështu është planifikuar.

Ndërsa, si gjithmonë, një nga pikat kryesore të takimit nga ana ime mbetet çështja e personave të zhdukur. Kemi ngritur problemin e moszbardhjes së fatit të personave të zhdukur dhe domosdoshmërinë që kjo çështje të zgjidhet njëherë e përgjithmonë.

Prandaj, jemi pajtuar që komisionet përkatëse të intensifikojnë punën e tyre në shërbim të zbardhjes të fatit të atyre që mungojnë dhe nuk e dimë se ku ndodhen.

Duke iu falënderuar gjithmonë, iu ftoj për diskutimet tuaja, për t’iu përgjigjur edhe pyetjeve tuaja, që adresohen rreth kësaj problematike, por gjithmonë duke iu falënderuar për mbështetjen tuaj.

Unë sapo jam kthyer nga Brukseli, kam informuar kabinetin qeveritar, kam informuar gjithë spektrin politik kosovar, dhe i falënderoj për durimin dhe mirëkuptimin e tyre që kanë treguar në informimin nga ana jonë.

Ju faleminderit shumë.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors