Kryeministri Thaçi: Lufta që udhëhoqi Shaban Polluzha përbën rezistencën e parë të armatosur në Evropë kundër forcave komuniste serbe

Prishtinë, 27.04.2012

E  nderuar familje Polluzha,
Zonja dhe zotërinj,

Katër vjet më parë, me dinjitet dhe përkujdesje të lartë shtetërore  u shënua 64 vjetori i rënies heroike të komandantit Shaban Polluzha dhe bashkëluftëtarëve  të  tij.
Katër vjet më parë institucioni më i lartë i Republikës së Kosovës, Shaban Polluzhën e nderoi me titullin Hero i Kosovës.
Historia me logjikën e saj të hekurt, në sistemin e vlerave të saj ia konfirmoi vendin një personaliteti kombëtar të ndaluar dhe të mohuar  gjysmë  shekulli  me  radhë. 

Koha, më në fund,  kishte korrigjuar një padrejtësi.
Për të ardhur deri tek ky vlerësim Kosova kishte kaluar nëpër ndryshime rrënjësore.

Fundi i luftës së Dytë Botërore dhe fitorja mbi fashizmin në planin ndërkombëtar nuk ishte fund i shtypjes dhe as ardhje e lirisë për shqiptarët  e  Kosovës.

Forcat komuniste serbo-jugosllave paraprakisht kishin ndërtuar strategjinë e ripushtimit dhe aneksimit   të Kosovës.

Zonja dhe zotërinj,

Shaban Polluzha, duke qenë vizionar dhe i lidhur me fatin e popullit të tij, së bashku me luftëtarë nga të gjitha viset e Kosovës, vihet në mbrojtje të popullatës shqiptare, duke iu kundërvënë brigadave serbe  që  terrorizonin njerëzit e pafajshëm  gjithandej  Kosovës.

Shaban Polluzha me bashkëluftëtarët e tij me trimëri  të pashoqe do të rezistojnë me muaj të tërë.

Lufta që udhëhoqi Shaban Polluzha është e përmasave historike.
Ajo përbën rezistencën e parë të armatosur në Evropë, kundër forcave komuniste serbe. 

Drejtësinë e veprimeve të kësaj rezistence  e vërtetoi historia.
Për një gjysmë shekulli Kosova është diskriminuar nga sistemi komunist. 

Për një periudhë gjysmëshekullore rezistenca e Shaban Polluzhës dhe luftëtarëve të tij është heshtur dhe ndaluar,

Por, pavarësisht prej qëndrimeve  të tilla, ajo luftë dhe figura e luftëtarëve të tij kanë jetuar në kujtesën e popullit.

53 vjet më vonë edhe lufta e tyre u bë frymëzim  për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila në gjirin e saj bashkoi djemtë dhe vajzat nga mbarë Kosova.

Lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rezistenca qytetare, u  kurorëzuan me sukses.

Zonja dhe zotërinj,

Sot, jemi këtu për t’i vënë themelet e kullës së komandantit Shaban Polluzha.
Ky themel vihet në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, në katërvjetorin e pavarësisë  së  Kosovës.
Kosova sot është vend i lirë, shtet i pavarur dhe sovran i njohur nga shtetet më të fuqishme të botës demokratike.

Kosova sot ndërton ardhmërinë me institucionet e saj demokratike dhe është në rrugë të mbarë drejt përmbylljes së Mbikëqyrjes së Pavarësisë.
Ky akt i vënies së gurthemeli të kullës së Shaban Polluzhës tregon më së miri kuptimin e sakrificës së atyre që e identifikuan fatin me  popullin dhe atdheun.

Ata janë në  themelet e lirisë së Atdheut të tyre.
Ata janë në ballë të krenarisë së popullit të tyre.
Kosova  është në rrugë të realizimit të idealeve të tyre.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për jetën dhe veprën e Shaban Polluzhës.
Qofshin të përjetshme themelet e kullës së Shaban Polluzhës.
 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors