Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në hapjen e Panairit të Parë të Turizmit në Kosovë, me rastin e Ditës së Tokës.
Prishtinë, 22 prill 2009
Zonja dhe zotërinj,
Organizimi dhe hapja e Panairit të Turizmit është ngjarje me vlerë të dyfishtë: si hap i afirmimit të pasurisë sonë turistike dhe si shënim i Ditës Ndërkombëtare të Planetit.
Turizmi, si fushë e rëndësishme e ekonomisë sonë, mbështetet në vlerat e ambientit dhe njëkohësisht luan rol në mbrojtjen dhe afirmimni e atyre vlerave.
Kosova është vend i pasur me vlera dhe produkete turistike.
Prandaj, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës përshëndes nismën e USAID-it dhe Asociacionit Kosovar të Turizmit për organizimin e këtij panairi.
Qeveria e Kosovës do ta ketë në fokus rritjen e interesimit për produktet e turizmit si formë e rritjes së aftësisë konkurruese të biznesit kosovar dhe mundësi për hapjen e vendeve të reja të punës.
Motoja e këtij panairi “Qëndro për uikend –Përjetoni Kosovën” është thirrje për bizneset ndërkombëtare dhe vendore për qytetarët tanë dhe ata të jashtëm – për t’i njohur vlerat e Kosovës, pasurinë e saj natyrore, grykat e bukura, malet e larta, natyrën e saj të pastër, lumenjtë liqenet dhe fshatrat ekologjike.
Hapja e Panairit të Turizmit është thirrje për t’i parë dhe njohur më mirë produktet turistike të Kosovës, trashëgiminë e pasur kulturore dhe traditën e të gjitha periudhave historike.
Ky panair do të shpalos para publikut vendor, por mbi të gjitha para atij ndërkombëtar, pasurinë e vendit tonë, që çdo ditë e më shumë po bëhet vend i zhvilluar, demokratik, i sigurt dhe i lakmuar për të jetuar në të, të lirë dhe krenarë.
Urime!
Last modified: 22 Prill, 2009