Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Kosova është një tregim i suksesshëm politik, na mbetet ta bëjmë edhe një tregim të suksesshëm ekonomik

5 Korrik, 2008

Ju faleminderit kryesues,
 
Është kënaqësi të jem këtu në Dubrovnik, në Samitin Kroacia, për të diskutuar integrimin Euro-Atlantik, i cili është proces shumë i rëndësishëm për sigurinë, zhvillimin dhe prosperitetin e vendeve të Evropës Juglindore.
 
Më lejoni të falënderoj Kryeministrin Sanader dhe Qeverinë e Kroacisë për ftesën dhe mikpritjen.
 
Kroacia së bashku me shumë vende të rajonit e kanë njohur Kosovën si një shtet të pavarur. Republika e Kroacisë dhe Republika e Kosovës tani kanë vendosur marrëdhënie diplomatike dhe ne shpresojmë për një bashkëpunim konstruktiv dhe të frytshëm ndërmjet dy vendeve tona.
 
Gjatë dy dekadave të kaluara, institucionet Euro-Atlantike kanë qenë, të themi, pjesë e Evropës Jug-Lindore. Shumica prej nesh këtu jemi dëshmitarë të përpjekjeve të NATO-së dhe Bashkimit Evropian për të ndalur tmerret e luftës dhe për të sjellë paqe dhe stabilitet.
 
Shpërbërja e dhunshme e ish Jugosllavisë në shtatë shtete tani, është përmbyllur. Tani është koha për shtetet e Evropës Jug-Lindore që të lëvizin shpejt drejt institucioneve Euro-Atlantike ku edhe e kanë vendin, dhe të punojnë së bashku nën një kulm të përbashkët politik dhe ekonomik për një të ardhme të paqes dhe prosperitetit.
 
Pavarësia e Kosovës ka sjellë qartësi dhe më shumë stabilitet në rajon. Kosova tanimë është pranuar nga shumica e anëtarëve të BE-së, NATO-së dhe Këshillit të Sigurimit.
 
Njohje tjera janë duke ardhur. Gjithashtu, shtetet të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, po e përkrahin në mënyra të ndryshme dhe shpresojnë në progres.
 
Pavarësia e Kosovës është rezultat i një beteje të vështirë dhe një procesi të gjatë të negociatave. Ka qenë vendim i duhur dhe ne, tanimë, jemi duke e dëshmuar atë.
 
Plani Ahtisaari, që është produkt i këtyre negociatave, është baza e pavarësisë sonë. Institucionet e Kosovë e kanë përqafuar atë, si në frymë ashtu edhe në letër dhe Qeveria ime është e përkushtuar ta zbatojë atë në tërësi.
 
Ne jemi të bindur se është plani më i mirë për komunitetet në Kosovë, në veçanti për komunitetin Serb, për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve dhe trashëgimin kulturore.
 
Ne kemi kodifikuar planin në Kushtetutën tonë të re dhe ligjet të cilat kanë hyrë në fuqi me 15 qershor.
 
Fatkeqësisht, Beogradi ka vendos të mos e njoh pavarësinë e Kosovës dhe planin Ahtisaari. Më e keqja, është se ka inkurajuar serbët që të bojkotojnë institucionet tona të zgjedhura në mënyrë demokratike.
 
Kjo mund t’i dëmtojë interesat e individëve të zakonshëm. Sido që të jetë, ka serbë të guximshëm që dëshirojnë të punojnë për të mirën e komunitetit të tyre dhe marrin pjesë aktive në institucionet tona.
 
Dy ministra të Kabinetit tim vijnë nga komuniteti serb. Njëmbëdhjetë serb tjerë janë anëtarë të Kuvendit të Kosovës.
 
Unë jam krenar për ta dhe mirënjohës për shërbimin dhe përkushtimin e tyre. Izolimi dhe manipulimi shkon vetëm në dëm të komunitetit serb të Kosovës.
 
Megjithatë, unë e përkrah perspektivën evropiane të Serbisë dhe shpresoj të punoj me liderët demokratikë të Beogradit për të mirën e të dy shteteve.
 
Por pavarësia e Kosovës është një fakt dhe askush nuk mund ta kthejë historinë prapa. Por, ka mjaft çështje të hapura, të cilat duhet t’i zgjidhim ne së bashku.
 
Duhet të jetë e qartë për të gjithë se Kosova është e bashkuar dhe e pandashme. Ashtu është edhe Serbia dhe të gjitha vendet e rajonit. Çdo tentim nga jashtë për ta destabilizuar atë ose për ta ndarë në vija etnike është kundër vlerave dhe parimeve evropiane.
 
Ne dëshirojmë të kemi marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë: Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë. Destinacioni ynë është Evropa.
 
Me pavarësinë e Kosovës, rajoni, si tërësi, mund të shkojë drejt një integrimi dhe bashkëpunimi të ardhshëm. Ka shumë sfida para nesh, si shtet i ri, dhe na nevojitet e tërë përkrahja e mundshme.
 
Për këtë qëllim, ne kemi ftuar një Përfaqësues Civil Ndërkombëtar dhe një mision të sundimit të ligjit nga BE-ja për të na ndihmuar në forcimin e institucioneve të Kosovës së re. NATO do të vazhdojë të ruajë sigurinë.
 
Gjithashtu, ne kemi mirëpritur qëndrimin e KB-ve për të monitoruar progresin. Kemi ndërmarrë hapa të sinqertë drejt demokracisë, përgjegjësisë dhe qeverisjes shumetnike.
 
Jam krenar të udhëheq një Qeveri që është profesionale dhe shumetnike.
 
Prioritetet e menjëhershme të Qeverisë sime janë që Kosova të bëhet një vend i sigurt dhe atraktiv për investitorë në ekonomi. Populli i Kosovës ka vuajtur një kohë të gjatë nga cenimi i ekonomisë.
 
Kosova është një tregim i suksesshëm politik për ne dhe për komunitetin ndërkombëtar. Tani, na mbetet ta bëjmë edhe një tregim të suksesshëm ekonomik.
 
Qeveria e Kosovës, të cilën e udhëheq unë, nga dita e parë është e përkushtuar në tërësi, për qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe tolerancë zero ndaj krimit dhe korrupsionit. Në Kosovën e re, asnjë qytetarë nuk duhet të ndjehet i lënë anash apo i diskriminuar.
 
Qeveria ime ka punuar zellshëm në përgatitjen e Konferencës së Donatorëve, e cila do të mbahet me 11 korrik në Bruksel. Ne jemi duke e mirëpritur atë dhe jemi të inkurajuar nga shenjat e përkrahjes zemërgjerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
 
Evropa Jug-Lindor, tani, është në rrugë të mirë që ta lë të kaluarën prapa dhe të shikojmë para drejt një të ardhme të ndritshme në familjen e shteteve Euro-Atlantike.
 
Kosova është e gatshme të ec përpara drejt përmbushjes së kritereve të anëtarësimit së bashku me vendet tjera të rajonit.
 
Kjo është e mundur vetëm nëse punojmë së bashku drejt qëllimit të njëjtë.
 
Ju faleminderit!

Last modified: 5 Korrik, 2008

Comments are closed.

×