Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi ka vizituar familjen Jashari dhe ka bërë homazhe para varrezave në Prekaz

16 Shkurt, 2008

Prishtinë, 16 shkurt 2008

Ka mbetur edhe pak kohë dhe janë vetëm disa momente të kryerjes së aspekteve procedurale, ndërsa dita e diel ka rëndësi historike në kuadër të angazhimeve tona shtetformuese. Kështu ka thënë sot kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë vizitës në Prekaz, ku ka vizituar familjen Jashari dhe ka bërë homazhe para varrezave të dëshmorëve të kësaj familjeje. 

Kryeministri Thaçi në takim me kryefamiljarin e Jasharajve, Rifat Jashari, ka thënë se sot është duke vizituar Prekazin, këtë vend të shenjtë të lirisë dhe pavarësisë, që në emër të institucioneve të Kosovës të përcjellë mesazhin publikisht se Kosova po pavarësohet, duke theksuar më tej se Prekazi dhe Adem Jashari janë themeluesit e shtetit të pavarur të Kosovës.

Z.Thaçi ka theksuar se ka ardhur në Prekaz së bashku me disa bashkëluftëtarë dhe pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve, që kanë dhënë gjithçka për lirinë e Kosovës. “Tani jemi në prag të zyrtarizmit të pavarësisë, prandaj kjo është vizita jonë e besnikërisë, për të vazhduar edhe me misionin e ri pas pavarësimit që është integrimi i shtetit tonë sovran drejt BE-së dhe NATO-s”, ka thënë me këtë rast kryeministri.

Kryefamiljari Jashari i ka uruar kryeministrit Thaçi dhe institucioneve kosovare punë të mbarë dhe të ndershme, ndërsa të gjitha familjet që kanë të zhdukur, i ka porositur që të qëndrojnë të forta, duke lutur Zotin që këtij populli të mos i ndodhë kurrë më ndonjë e keqe në të ardhmen

Last modified: 16 Shkurt, 2008

Comments are closed.

×