Prishtinë, 22 qershor 2011
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar një telegram urimi Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, me rastin e rizgjedhjes në këtë post nga ana e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Në telegramin e urimit thuhet:
I nderuari sekretar i përgjithshëm i OKB-së, z.Ban Ki Moon,
Më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, t’ju shpreh përgëzimet më të sinqerta me rastin e vazhdimit të mandatit tuaj në krye të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Rizgjedhja juaj në pozitën e rëndësishme të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara është një lajm i mirë për forcimin e paqes, të demokracisë, të bashkëpunimit dhe të zhvillimit në të gjitha vendet e botës së civilizuar.
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet e vendit tonë, ritheksojnë vazhdimin e përkushtimit për thellimin e frymës zhvillimore, të mirëqenies së gjithanshme, të bashkëpunimit të të gjitha vendeve të rajonit të Evropës Juglindore dhe integrimit në familjen e shteteve të zhvilluara. Në këtë drejtim, roli i OKB-së është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të arritur këto objektiva.
Hashim Thaçi,
Kryeministër i Republikës së Kosovës
Last modified: 22 Qershor, 2011