Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi i dhuron një traktor fermerit serb Slavisha Sllavkoviq nga Rubovci i Lipjanit

10 Shkurt, 2008

Prishtinë, 10 shkurt 2008

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi sot ka qenë sërish mysafir i familjes së Slavisha Sllavkoviqit, në Rubovc të Lipjanit, me ç’rast ua dhuroi një traktor që u kishte premtuar një javë më parë.

Kryeministri me këtë rast ka deklaruar se  ndodhet në një familje të nderuar e cila ka dërguar mesazhin e qartë për të gjithë qytetarët e Kosovës. “Kosova do të jetë vend i mundësive të barabarta me të drejta të afirmuara për komunitetin serb. Janë ditë të shpresës dhe optimizmit dhe assesi të panikut apo frikës”, tha ai.

“Është në përgjegjësinë time si kryeministër i Kosovës dhe Qeverisë, që t’i mbaj premtimet”, ka thënë kreu i ekzekutivit para se t’ia dhuronte çelësat e traktorit të ri Sllavisha Slavkoviqit. Ai, me këtë rast, ka potencuar se ekzekutivi i vendit do të punojë për të gjithë qytetarët e vendit, pa marrë parasysh përkatësinë etnike.

Më tutje kryeministri Thaçi ka pohuar se jemi në çastet vendimtare për fatin e Kosovës dhe se duhet t’i kalojmë së bashku me bashkë-përgjegjësi, sepse perspektiva do të jetë e përbashkët.

Ndërkaq, Sllavisha Sllavkoviq ka falënderuar kryeministrin Hashim Thaçi për fjalën e mbajtur dhe njëherësh shprehu besimin e tij në kryeministrin dhe Qeverinë e Kosovës.

Last modified: 10 Shkurt, 2008

Comments are closed.

×