Prishtinë, 12 maj 2009
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sonte në ambientet e Hotel Victory organizoi pritje për nder të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Në pritje merrnin pjesë presidenti Fatmir Sejdiu , krye parlamentari Jakup Krasniqi, ministra, deputet, ambasadorë dhe përfaqësues të FMN-së.
Kryeministri Hashim Thaçi me këtë rast ka vlerësuar shumë lartë angazhimin e institucioneve të Kosovës dhe ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare gjatë gjithë procesit të anëtarësimit të Kosovës në FMN. Në vazhdim po japim të plotë fjalën e kryeministrit Thaçi:
Zonja dhe zotërinj,
Ju dëshiroj mirëseardhje në festimin e përbashkët që po bëjmë sonte me rastin e anëtarësimit të Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Shumë prej jush keni kontribuar për këtë ditë historike, dhe të gjithë ju keni punuar për ta bërë të ardhmen e Kosovës më të mirë, dhe një të ardhme më të ndritur.
Institucionet dhe populli i Kosovës po punojnë shumë çdo ditë, për të krijuar vende të reja pune dhe një jetesë më të mirë për fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë.
Kosova tash mori ftesën për anëtarësim në një nga organizatat kryesore në botë për promovimin dhe lehtësimin e punësimit dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ia mundëson Kosovës një qasje më të madhe në bashkëpunimin global monetar dhe në tregun ndërkombëtar.
Qytetarët e Kosovës kanë treguar edhe një herë që ata kanë vullnet për të punuar shumë dhe për të punuar së bashku në ndërtimin e shtetit tonë.
Ne kuptojmë që anëtarësimi në Fondin Monetar Ndërkombëtar nënkupton edhe marrjen e përgjegjësive të mëdha.
Përgjegjësi për të vazhduar me krijimin e vendeve të reja të punës, të paguara më mirë, përgjegjësia për të ndërtuar një infrastrukturë moderne për zhvillimin ekonomik, për të ndërtuar shkolla të reja dhe për të përmirësuar sektorin tonë të bujqësisë.
Ne do të vazhdojmë me ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin Kosovën me Evropën dhe do të reformojmë sistemin e arsimit dhe të shëndetësisë, që ato të arrijnë standardet më të larta evropiane.
Më lejoni ti shpreh falënderimet e mija të gjithë atyre që punuan në mbështetje të Kosovës.
E gjithë Kosova mirëpret partneritetin me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Së bashku ne do të realizojmë arritje edhe më të mëdha në Kosovë.
Së fundi, unë dua të falënderoj çdo qytetar të Kosovës. Sot është një ndër atë ditët për të cilat punuam shumë.
Anëtarësimi në Fondin Monetar Ndërkombëtar ësht edhe një dëshmi e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Sot, falë punës sonë dhe tuaj ne mund të kremtojmë këtë ditë , së bashku si popull, në Kosovën e pavarur.
Ju faleminderit mysafirë të nderuar, ju faleminderit partnerë ndërkombëtarë, ju faleminderit qytetarë të Kosovës.