Kryeministri Thaçi: Çdo projekt që është në interesin e qytetarëve do të ketë përkrahjen e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës si anë e kënd Kosovës.


Image


Image


Image

Prishtinë, 18 qershor 2009

Kosova ishte e gatshme për pavarësi qysh në qershor të vitit 1999. Por u deshtë të kalojnë vite e vite për të ardhur tek ky moment, te momenti i përgatitjes së opinionit ndërkombëtar për të fituar mbështetjen për të shpallur Kosovën shtet sovran, pavarur dhe demokratik. Prandaj sot u bënë 10 vite të lirisë dhe një vit e gjysmë i pavarësisë së Kosovës”, theksoi kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi me rastin e përurimit të ndërtesës së restauruar të Shtabit të Zonës Operative të Drenicës, ku gjatë luftës ka vepruar edhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

Në vazhdim po japim të plot fjalën e kryeministrit Hashim Thaçi mbajtur sot në Likoc.

I nderuari kryetar i Komunës së Skenderajt, z. Lushtaku,

Të nderuar anëtar të familjes Jashari,

Të nderuar të gjithë ju bashkëluftëtarë,

Anëtarët e familjeve të dëshmorëve,

Të nderuar gjithë ju të pranishëm,

Ndihem sot tepër mirë që gjendem në Likoc, që bashkërisht me ju në këtë 10 vjetor të lirisë së Kosovës të marrim pjesë në përurimin e objektit të rinovuar të Shtabit Operativ të Drenicës, këtu në Likoc.

Për shumë kënd në botë, ndoshta edhe në Kosovë, Likoci deri në periudhën e viteve ’96 – ’98 ka qenë vetëm një pikë gjeografike. Por zhvillimet e atëhershme politike, ushtarake bënë shumë shpejtë që Likoci ti japë emër edhe Kosovës, t’ia jap nder, dinjitet jo vetëm kësaj popullate, por gjithë Kosovës dhe shqiptarisë. E them këtë për arsye se pikërisht këtu, nga kjo qendër, nga Likoci, u bënë shumë organizime, riorganizime, forcimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, koordinimi i saj, masivizimi i saj.

Këtu, Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishin vetëm njerëzit me pushkë në dorë. Ishte një popull i tërë. Ne fituam përkrahjen pikërisht sepse kur edhe komuniteti ndërkombëtar u bind se Ushtria Çlirimtare e Kosovës – UÇK është vetë populli i Kosovës, se lufta jonë ishte e drejtë dhe se nuk kishte kthim prapa.

Atëherë drejtësia jonë, këmbëngulësia jonë, vendosmëria jonë, vizioni jonë shumë i çartë politik bëri që mu këtu ku jemi të vijnë delegacione e delegacione prej SHBA-ve, prej Bashkimi Evropian dhe prej NATO-s. Këtu u diskutuan të gjitha ato zhvillime politike, u debatua për to dhe u mirëkuptuan para së gjithash për domosdoshmërinë e angazhimeve tona dhe harmonizimit të aktiviteteve në mes të UÇK-së dhe komunitetit ndërkombëtar.

Por parasëgjithash këtu u bashkuan gjithë ata njerëz, gjithë ata luftëtarë rreth emrit të komandantit legjendar Adem Jashari dhe të luftës së Jasharajve.

Këtu u harmonizuan aktivitetet për gjithë Kosovën, prandaj të nderuar të pranishëm, bashkëluftëtarë, komandantë, qytetarë të kësaj treve,

Ne do të vazhdojmë të investojmë në kuptimin e respektimit të vlerave të luftës, sepse ato vlera janë vetë populli i Kosovës. Ato vlera janë ato mbi të cilat u ngrit shteti pavarur, sovran dhe demokratik.

Sot, edhe për Skenderajn e shënojmë 10 vjetorin e lirisë. Dhjetë vitet e sakrificës, e përpjekjeve, mbijetesës por edhe punës së palodhshme të Kosovës. I kaluam 10 vite në tranzicion, jo edhe të lehta, por me këmbëngulësinë tonë treguam se për Kosovën ishte vetëm një zgjidhje për statusin politik.

Kosova ishte e gatshme për pavarësi qysh në qershor të vitit 1999. Të tjerët hezitonin. Po u deshtë të kalojnë vite e vite për të ardhur tek ky moment, te momenti i përgatitjes së opinionit ndërkombëtar për të fituar mbështetjen për të shpallur Kosovën shtet sovran, pavarur dhe demokratik. I pranuar ky opsion edhe nga Uashingtoni edhe nga Brukseli e Bashkimi Evropian edhe nga NATO. Prandaj, u bënë 10 vite të lirisë dhe 1 vit e gjysmë i pavarësisë së Kosovës.

Sot Kosova është e njohur nga 60 shtete më të fuqishme të botës. Nga SHBA, shumica e vendeve të BE-së dhe NATO-s, por edhe vendeve të rajonit.

Pavarësia e Kosovës ka sjellë më shumë stabilitet dhe paqe për rajonin. Kosova si gjitha vende demokratike do të jetë pjesë edhe e NATO-s edhe Bashkimit Evropian.

Jemi në rrugë të mirë për tu integruar edhe në Bankën Botërore dhe shpejtë do të nënshkruajmë marrëveshjen në Uashington edhe për anëtarësim në Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Por para së gjithash, sot secili nga ne duhet të ndihet i mirë se po e ndryshojmë edhe Likocin edhe Skenderajn edhe Drenicën si gjithë Kosovën për të mirë. Pas një diskriminimi gjashtëdhjetë vjeçar për Drenicën ka filluar e mbara. Po investohet si në gjithë Kosovën edhe në rrugë, edhe në shkolla edhe në ambient, edhe në kanalizim, edhe në ujësjellës, në Kosovën e re për të sjellë një jetë më të mirë për këta njerëz.

Prandaj, të  nderuar të pranishëm duke ju përshëndetur në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dëshiroj të theksoi se ne do të bashkëpunojmë shumë ngushtë me autoritetet komunale si në gjithë Kosovën që projektet që janë në të mirën e qytetarëve të vendit të realizohen. Ato projekte janë në interesin e çdo qytetari kudo që jeton dhe dua të theksoi se si në gjithë Kosovën edhe në këtë pjesë nuk të mbetët asnjë fshat dhe lagje pa rrugë dhe ku është e nevojshme asnjë lagje pa shkollë.

Çdo projekt që është në interesin e qytetarëve do të ketë përkrahjen e plotë e Qeverisë së Kosovës si anë e kënd Kosovës. Sepse, ne jo vetëm që duhet të krenohemi me vlerat e luftës, dhe jo vetëm, që duhet të respektojmë vlerat e luftës, jo vetëm që duhet të ndihemi mirë me sakrificat të cilat i kemi bërë dhe të respektojmë gjakun e dëshmorëve, por para se gjithash sot duhet të punojmë për të nesërmen më të mirë.

Urime, suksese dhe punë të mbarë!    

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors