Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Buxheti i vitit 2012 – buxheti i zhvillimit ekonomik, i reformave të thella demokratike, buxheti i Kosovës evropiane

28 Tetor, 2011

Prishtinë, 28 tetor 2011

Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, në mbledhjen e saj të dyzetepestë ka miratuar projektligjin për buxhetin e viti 2012.

Kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar lartë aprovimin e Buxhetit 2012 si një ngjarje të rëndësishme për të gjithë qytetarët dhe institucionet e Kosovës.

“Ky është buxheti i sukseseve tona dhe i premtimeve tona. Mbi të gjitha është buxhet  i shtetit tonë dhe ky buxhet është dëshmia më e mirë që kjo qeveri është në shërbim të qytetarëve” ka thënë kryeministri Hashim Thaçi në fjalën e tij të hyrjes.

Kryeministri Thaçi ka vlerësuar gjithashtu se buxheti i vitit 2012 është  rezultat i punës së palodhshme të institucioneve dhe është buxhet për mirëqenien e qytetarëve. “Njëkohësisht financimet e parapara në buxhetin e vitit 2012 janë dëshmia më e mirë se kjo qeveri do të punojë për të gjithë, pa dallim etnie në gjithë territorin e Republikës së Kosovës” është shprehur kryeministri Hashim Thaçi.

Buxheti për vitin 2012 garanton rritje ekonomike dhe reflekton politikat prioritare të Qeveris së Republikës së Kosovës dhe ruan qëndrueshmërinë fiskale, ka thënë kryeministri Thaçi.

“Ky buxhet është harmonizuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe është dëshmi e fuqishme e partneritetit tonë me këtë organizatë ndërkombëtare”, ka thënë kryeministri Thaçi dhe ka falënderuar angazhimin e të gjithë ata të cilët kanë dhënë kontributin e drejtpërdrejtë në hartimin e buxhetit të vitit 2012 e veçanërisht ministrin Bedri Hamza për punën e tij të shkëlqyeshme.

“Buxheti i vitit 2012 është buxheti i zhvillimit ekonomik, i reformave të thella demokratike, është buxheti i Kosovës evropiane”, ka vlerësuar në fund të fjalës së tij kryeministri Hashim Thaçi

Në prezantimin e ministrit Bedri Hamza ka theksuar se ky buxhet reflekton aftësitë tona si shtet për të financuar në mënyrë të qëndrueshme nevojat që rrisin mirëqenien e qytetarëve apo nevojën për shërbime më të mira. Në vazhdim ministri Hamza ka vlerësuar se projeksionet buxhetore për vitin 2011, janë dëshmuar të drejta dhe të sakta, edhe pse një gjë të tillë shumë skeptikë nuk kanë mundur ta pranojnë.

Të hyrat e rregullta buxhetore për vitin 2012 janë parashikuar të jenë në vlerë prej €1,361 milion, apo rreth 4.0% më të larta sesa të hyrat e rregullta për vitin 2011. Nga këto të hyrat, doganat e Kosovës pritet që të grumbullojnë €860 milionë ndërsa të hyrat nga tatimet vendore pritet të arrinë vlerën prej €285 milionë. Është inkurajues fakti, që të hyrat vendore dhe ato nga kufiri parashihet të performojnë kënaqshëm, kryesisht si rezultat i rritjes së vazhdueshme të efikasitetit të institucioneve përgjegjëse për mbledhjen e të hyrave.  Përpos këtyre të hyrave të rregullta dhe të  burimeve tjera  të të hyrave, pritet që të trashëgojmë edhe një bilanc pozitiv bankar  prej mbi 120 milion euro nga ky vit, çka do të përdoret si burim shtesë i financimit.

Buxheti i  rregullt për vitin 2012 është në vlerë prej 1,520 milion eurove, që paraqet një rritje prej rreth 7.6% krahasuar me buxhetin e projektuar për vitin 2011. Ngjashëm me vitet tjera pjesë e shpenzimeve të përgjithshme të Qeverisë janë edhe pagesa e interesit për huamarrje në vlerë prej 13 milion euro si dhe kredia e planifikuar për ndërmarrje publike në vlerë prej 15 milion euro, duke e ngritur vlerën e përgjithshme të shpenzimeve të Qeverisë për vitin 2012 në 1,533 milion euro. Një buxhet i tillë i  ofron Kosovës, një stimulim shtesë që do të rezulton me një rritje të parashikuar ekonomike prej rreth 5.0% në vitin 2012.

Last modified: 28 Tetor, 2011

Comments are closed.