Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Autostrada Morinë-Merdarë e ka efektin e vetë për perspektivën integruese evropiane të Kosovës

22 Prill, 2010

Prishtinë, 22 prill 2010

Në hapje te mbledhjes së 121 të radhës të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar se vetëm edhe tri ditë na ndajnë nga një ngjarje e rëndësishme për Kosovën, nga fillimi i punimeve në ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdare dhe është shprehur se Qeveria e Kosovës ka kryer të gjitha përgatitjet për fillimin e realizimit të suksesshëm të këtij projekti të madh kombëtar.
 
Kryeministri Thaçi e ka vlerësuar fillimin e punimeve për ndërtimin e autostradës Morinë – Merdarë moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për Republikën e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë së vendit.
 
“Është kjo rruga e zhvillimit, krijimit të vendeve të reja të punës, e perspektivës integruese. Kosova definitivisht me fillimin e punimeve të kësaj autostrade do të ketë edhe dalje në det, por do të ketë edhe perspektivë të sigurt euroatlantike. Kjo autostradë e ka efektin e vetë për shtetin e Kosovës, për qytetarët e Kosovës, për regjionin dhe perspektivën integruese evropiane”, ka thënë kryeministri Thaçi, me këtë rast.

Qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar Projektligjin për Mbrojtjen e Natyrës. Me këtë projektligji, në mënyrë të përgjithshme rregullohet mbrojtja e  natyrës, përkatësisht ruajtja e larmisë biologjike dhe peizazheve, e posaçërisht rregullohen çështjet lidhur me mbrojtjen e pjesëve të territoreve të vlefshme të natyrës dhe llojet e bimëve, si dhe shfrytëzimin racional të natyrës dhe të mirave të saj pa dëmtimin ose degradimin e pjesëve të saj dhe sa më pak dëmtim të përbërësve të saj.

Është miratuar edhe Projektligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës. Këto ndryshime e thjeshtësojnë procedurën e emërimit të ambasadorëve dhe konsujve të përgjithshëm dhe garanton shërbim diplomatik dhe konsullor profesional, të përgjegjshëm dhe efektiv. Gjithashtu, projektligji përcakton subjektet, të cilave iu garantohet e drejta e propozimit, konsultimit dhe emërimit të ambasadorëve dhe konsujve të përgjithshëm.

Në vazhdën e përmbushjes së obligime që dalin në procesin e ecjes drejt liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian, Qeveria ka miratuar Projektligjin për Ripranim. Ky projektligj përcakton rregullat dhe procedurat për ripranimin e personit, shtetas i Republikës së Kosovës ose i huaj, i cili nuk përmbush ose nuk përmbush kushtet në fuqi për hyrje apo qëndrim në territorin e shtetit kërkues. Nevoja për këtë projektligj është e madhe për faktin se është një ndër kriteret kryesore që kërkohet për të arritur progres në procesin e liberalizimit të vizave nga Bashkimi Evropian.

Në mbledhje është miratuar vendimi për krijimin e komisionit ad-hoc për verifikimin e listave të Veteranëve dhe Pjesëtarëve të UÇK-së, Invalidëve dhe Dëshmorëve. Komisioni do të përbëhet  prej 11 vetave ku do të përfaqësohet ish-Shtabi i Përgjithshëm i  UÇK-ës, Organizata e Veteranëve, dhe përfaqësues të të gjitha ish-Zonave Operative, për verifikimin e listave të veteranëve dhe pjesëtarëve të UÇK-ës, invalidëve dhe dëshmorëve të kombit.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka aprovuar vendimin për alokimin e parakohshëm të mjeteve  buxhetore në Ministrinë e Punëve të Brendshme, me qëllim të mbulimit të shpenzimeve për furnizim me certifikata të Gjendjes Civile të gjitha komunave të Republikës së Kosovës. 

Është aprovuar edhe Fushëveprimtaria e Ministrisë për Integrim Evropian. Ministria e Integrimit Evropian ka për mision drejtimin dhe bashkërendimin e  procesit të integrimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, duke siguruar hartimin e politikave të integrimit, pajtueshmërinë e legjislacionit vendor me atë te Bashkimit Evropian, ndihmat financiare, informimin publik dhe ngritjen e kapaciteteve për këtë proces.

Ministri i Transportit dhe Post Telekomit, Fatmir Limaj ka njohur kabinetin qeveritar me përgatitjet e zhvilluara për fillimin e punimeve në autostradën Morinë-Merdar.
“Janë bërë të gjitha përgatitjet që të fillohen punimet. Ministria e Transportit dhe ministritë tjera të komitetit ndërministror, Ministria e Tregtisë, Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Mjedisit janë angazhuar që ky proces të ecë ashtu siç duhet. Tani jemi në një fazë kur janë përgatitjet përfundimtare të vetë ceremonisë, është e angazhuar edhe vetë komuna e Prizrenit. Janë ftuar të gjithë duke filluar nga presidenti i Republikës, të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, edhe kabinetit qeveritar. Është edhe thirrje publike edhe për të gjithë qytetarët”, ka thënë ministri Limaj.
 
Ndërsa ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj ka njohur me përgatitjet për fillimin e suksesshëm të punës së Universitetit të Prizrenit.
 
Z.Hoxhaj ka thënë se ekspertët më të mirë që ka Banka Botërore, ekspertët më të mirë evropianë kanë qenë të inkuadruar në procesin e hartimit të statutit dhe planit zhvillimor, ndërkaq ka njoftuar se është shpallur konkursi për stafin e akademik dhe ka një interesim të madh.

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Sasha Rashiq ka njohur kabinetin qeveritar me shqetësimet e pjesëtarëve të komunitetit serb, që para disa ditësh janë kthyer ne komunën e Istogut. Qeveria e Kosovës është shprehur e përkushtuar që të vazhdojë angazhimet për kthim të qëndrueshëm dhe të sigurt të të gjithë personave të zhvendosur.
 

Last modified: 22 Prill, 2010

Comments are closed.