Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Ardhja e batalionit “Atlantiku” nga SHBA-të për të luftuar në Kosovë – mesazhi më i mirë se lufta e UÇK-së ishte luftë e gjithë shqiptarëve

24 Prill, 2009

Prishtinë, 24 prill 2009

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot ish-pjesëtarët e Batalionit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “Atlantiku”, me rastin e 10 vjetorit të themelimit të batalionit.

Në vazhdim po e japim të plotë prononcimin e kryeministrit Hashim Thaçi pas takimit.

Ishte kënaqësi e veçantë të takoja ish-bashkëluftëtarët e mi, miqtë e mi, njerëzit e batalionit “Atlantiku”, të një batalioni që ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në luftën e Kosovës, në luftën për liri dhe çlirim, në luftën për shtetin e Kosovës. Gjithë këta njerëz kanë sakrifikuar për lirinë që e gëzojmë.

Ardhja e batalionit “Atlantiku” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të luftuar në Kosovë në periudhën e bombardimeve të NATO-s, por edhe më herët, ka qenë mesazhi më i mirë, se lufta e UÇK-së, lufta e popullit të Kosovës, ishte lufta e gjithë shqiptarëve kudo që jetonin dhe që dëshironin të ndihmonin, sakrifikonin për lirinë, rendin demokratik.

Ardhja e batalionit “Atlantiku” nga SHBA-ja, e diasporës tonë, për të luftuar në Kosovë, ishte edhe mesazhi për botën demokratike, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për Bashkimin Evropian, për NATO-n, për të gjithë, se shqiptarët nuk do të kursejnë asgjë, askush, për të luftuar, larguar Serbinë nga Kosova.

Sot, Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, është i njohur nga 58 shtete, njohjet tjera po vijnë. Kosova është vend i suksesit të ri, i perspektivës për tu integruar në NATO dhe Bashkim Evropian.

Gjithashtu, shqiptarët kanë arritur edhe suksesin tjetër, Shqipëria është në NATO dhe në periudhën kur ne zhvillonim luftë, në atë kohë, Kosova ishte e pushtuar, Serbia kryente gjenocid, në Kosovë, ne zhvillonim luftë për liri, ndërsa Shqipëria ishte në atë periudhë ishte në një kaos institucional.

Pra, nëse kemi parasysh periudhën ku kemi qenë para dhjetë vitesh edhe si Kosovë, por edhe Shqipëria, mund të them se të arriturat janë të jashtëzakonshme. Prandaj, një meritë e madhe i takon edhe këtyre njerëzve me të cilët u takova sot.

Nga ana e tij, përfaqësuesi i Batalionit të UÇK-së “Atlantiku”, Skender Doçi, me këtë rast theksoi:

E ndjejmë veten krenar që ndodhemi sot këtu dhe së bashku me ju, ne shijojmë rezultatet e mëdha që ka arrit Kosova gjatë këtyre dhjetë vjetëve të ndërtimit të vendit.

Kemi dy gëzime: që arritëm ditën që ta shohim Kosovën të pavarur dhe të drejtuar me kompetencë dhe dinjitet nga ata që bënë luftën.

Last modified: 24 Prill, 2009

Comments are closed.