Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa vizitoi Stadiumin “Adem Jashari” të ndërtuar sipas standardeve të UEFA-s dhe FIFA-s

9 Qershor, 2017

Mitrovicë, 9 qershor 2017

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, vizitoi Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, ku sot kanë përfunduar punimet të cilat e kanë shndërruar në Stadium me standardet e UEFA-së dhe FIFA-së, duke zgjidhur përfundimisht problemin e ndeshjeve të Kosovës.

Gjatë kësaj vizite, ishin të pranishëm dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala dhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Ministri Kujtim Shala, bëri të ditur se sot është dita e fundit e punimeve në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” dhe se ky është kthyer në stadium të kategorisë së dytë.

“Punimet janë verifikuar, janë testuar sistematikisht dhe përfundimisht janë pranuar në UEFA dhe FIFA. Kjo do të thotë që ne praktikisht kemi zgjidhur problemin e garimit të klubeve tona në garat ndërkombëtare. Po ashtu, kemi zgjidhur problemin e ndeshjeve miqësore të kombëtares së Kosovës, ndërkaq bashkë me Federatën e Futbollit kemi kërkuar që UEFA të sugjerojë edhe kushtet shtesë, që brena dy- tre muajve të plotësojmë edhe standardet për një stadium të kategorisë së katërt”, tha ministri Shala.

Ai, po ashtu, bëri të ditur se janë bërë investime në stadiumin e Prishtinës dhe se ai do të jetë gati për Kombëtaren e Kosovës.

“Investimet tjera në stadiume, të cilat ne i bëjmë me qëllim që edhe ato stadiume t’i kthejmë në stadiume që plotësojnë kushtet për zhvillimin e garave ndërkombëtare do të jenë Gjilani dhe Peja, si dhe do të vazhdojmë investimet në të gjitha qytetet e mëdha dhe të vogla që brenda katër- pesë vjetëve të ardhshme të finalizojmë të gjithë rrjetin e stadiumeve bashkë me palestrat të tjera dhe kështu të zgjidhim përfundimisht problemin e infrastrukturës”, tha ministri Shala.

Ministri Shala, po ashtu, ka bërë të ditur se ka nisur faza e parë për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar “Dardania Arena” që do të ndërtohet në Bërnicë të Poshtme dhe se do të vazhdojnë investimet derisa të finalizohet në tërësi.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, e ka cilësuar një ditë të veçantë duke falënderuar kryeministrin e vendit, por edhe ministrin e Kulturës, i cili ka ndarë fonde të veçanta rreth 2.4 milionë euro për këtë Stadium.

“Këtë stadium e ka pranuar edhe UEFA dhe është stadiumi i parë në Kosovë i këtij lloji. I gëzohemi këtij investimi, këtij suksesi dhe falënderoj kryeministrin, e sidomos ministrin, që ka bërë të pamundurën duke përkrahur çdoherë dhe tani po shihen edhe rezultatet”, tha kryetari Bahtiri.

Last modified: 9 Qershor, 2017

Comments are closed.

×