Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti vizitoi Shoqatën Humanitare dhe Bamirëse “Nëna Tereze”

12 Shtator, 2023

Prishtinë, 12 shtator 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot kanë vizituar Shoqatën Humanitare dhe Bamirëse “Nëna Tereze” në Prishtinë, e cila është themeluar në vitin 1990 me qëllim të ofrimit të ndihmës për familjet në gjendje të rëndë ekonomike.

Në me shumë se 30 vite, Shoqata “Nëna Tereze” është angazhuar në jetësimin e misionit të vetë Nënë Terezës, ndihmën dhe kujdesin ndaj të varfërve dhe atyre në nevojë, duke arritur kështu t’u ofrojnë shërbime të ndryshme sociale mijëra qytetarëve.

Gjatë kësaj vizite, Drejtori Ekzekutiv, Zef Shala prezantoi punën dhe projektet e Shoqatës si dhe angazhimet e zyrave rajonale të saj.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka rritur buxhetin për subvencionim të Organizatave Jo Qeveritare që ofrojnë shërbime sociale në 1.5 milion euro për këtë viti, ku nga kjo skemë kanë përfituar 41 OJQ, dhe njëra ndër to është edhe Shoqata “Nëna Tereza” me projektin rajonal “Pleqëri e dinjitetshme” në Komunën e Prizrenit.

Përmes këtij projekti, të moshuarve u ofrohen shërbime sociale në shtëpitë e tyre. Grupet mobile me profesionist të Shoqatës ofrojnë një numër të madh të shërbimeve sociale, përfshirë edhe disa shërbime bazike mjekësore.

Last modified: 12 Shtator, 2023

Comments are closed.

×