Prizren, 30 qershor 2023
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dy deputetët e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Artan Abrashi dhe Arbër Rexhaj dhe asamblistja e Lëvizjes VETËVENDSOJE! në Kuvendin Komunal të Prizrenit, gjatë ditës së sotme ka vizituar qytetin e Prizrenit. Gjatë qëndrimit atje vizitoi institucione të ndryshme në këtë qytet me plot trashëgimi historike e kulturore.
Vizitën e tij, kryeministri Kurti e filloi në Këshillin e Bashkësisë Islame, për t’i uruar për festën e Bajramit. Aty u prit nga udhëheqësit e saj të cilët e falënderuan kryeministrin për vizitën.
Fillimisht u ndal për vizitë te hamami shumëshekullor i njohur si “Hamami i Gazi Mehmed Pashës” i cili është një monument në të cilin janë të kombinuar traditat orientale me ato lokale, e që është shndërruar në një nga simbolet shpirtërore të qytetit. Në vitin 2022, Hamami i Gazi Mehmed Pashës është përfshirë në kuadër të Programit buxhetor të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Faza e parë e ndërhyrjeve restauruese është duke u zhvilluar në anën lindore të ndërtesës, dhe pritet të përmbyllet gjatë këtij viti. Menjëherë pas përmbylljes së kësaj faze, do të vazhdohet me zbatimin e fazës së dytë: Restaurimi i oborrit dhe përcaktimi i funksionit të ri për Hamamin.
Pastaj pa nga afër finalizimin e punës tek Lokaliteti Arkeologjik në Sheshin e Lidhjes në Prizren, me rëndësi të madhe historike, shkencore, kulturore dhe edukative, dhe është dëshmia e radhës e lashtësisë mijëravjeçare së qytetit. Lokaliteti Arkeologjik në Sheshin e Lidhjes në Prizren është zbuluar në dhjetor të vitit 2014. Gjatë viteve 2015 – 2017 janë zhvilluar gërmimet arkeologjike dhe ndërhyrjet me karakter pastrimi. Në vitin 2018 nga Instituti Arkeologjik të Kosovës, janë hartuar projekt propozimet të cilët janë prezantuar para publikut. Nga ajo kohë ky lokalitet është lënë në mëshirë të kohës, fatkeqësisht duke u degraduar gradualisht. Qeveria e Kosovës është duke mbështetur projektet e restaurimit të lokalitetit që sa më shpejt t’i prezantohet edhe publikut, si dhe të promovojë vlerat kulturore përmes zhvillimit të turizmit kulturor.
Për të vazhduar pastaj te Katedralja “Zonja Ndihmëtare” në Prizren, e cila përveç vlerës së rëndësishme historike, ka vlerë të lartë estetike, shoqërore, kulturore dhe edukative. Kjo Katedrale është në mesin e shumë aseteve të trashëgimisë kulturore të restauruara gjatë qeverisjes se deritanishme.
Vizitën e tij në Prizren, kryeministri Kurti e përmbylli në Kinemanë Lumbardhi, për të ndjekur koncertin “Harmonia e Kulturave” nën interpretimin e solistes Rejhane Kodrazi, pianistes Eda Vllaço dhe vilolinistit, Avni Thaqi.
Last modified: 1 Korrik, 2023