Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti vizitoi Parkun Arkeologjik Ulpiana

17 Gusht, 2024

Prishtinë, 17 gusht 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Ceku, ka vizituar Parkun Arkeologjik Ulpiana, për të parë nga afër gërmimet arkeologjike të udhëhequra nga arkeologët Christophe Goddard, nga Universiteti “Ecole Normale Supérieure” në Paris, Arben Hajdari nga Universiteti i Prishtinës dhe Milot Berisha nga Instituti Arkeologjik të Kosovës.

Aty vitin e kaluar u zbulua një mbishkrim i veçantë, i Perandorit Justinian (527-565), që tregon lidhjen e tij me Dardaninë, janë zgjeruar gërmimet në bazilikën e Justinianit.

Duke parë nga afër edhe Mozaikun e punuar nga gurë vendor, si dhe veprat tjera artistike të punuara nga njerëz të cilët kanë jetuar në kohën e sundimit të Justinianit, kryeministri u shpreh se dëshmi të tilla ndriçojnë të kaluarën e pasur e të lashtë të vendit tonë.

Kjo pasuri, paraqet njëkohësisht një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim të turizmit, duke e shndërruar Ulpianën në destinacion tejet interesant për vizitorë vendor e të huaj.

Për të siguruar kushte për ruajtje e prezantim të lokalitetit të arikiologjik të Ulpianës, kemi miratuar Planin e Menaxhimit dhe kemi shpallur thirrjen për zbatim të këtij plani, përmes së cilit synojmë funksionalizimin e interpretimin dinjitoz të këtij thesari të trashëgimisë sonë kulturore.

Qeveria e Republikës së Kosovë ka dëshmuar përkushtim e saj të palëkundur ndaj arkeologjisë, duke e përfshirë atë në prioritetet programore që ofrojnë mbështetje institucionale, profesionale e financiare.

 

Last modified: 17 Gusht, 2024

Comments are closed.