Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti vizitoi katër komuna në veri të vendit, përuroi lapidarin kushtuar Heroit të Kosovës, Enver Zymeri

3 Prill, 2024

 

Së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot fillimisht vizitoi Komunën e Leposaviqit, ku u prit nga Kryetari i saj, Lulzim Hetemi dhe nënkryetarja Marina Bogojeviq, si dhe këshilltarët komunalë. I pranishëm ishte edhe zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviq.

Biseduan për qeverisjen qendrore dhe qeverisjen në Komunën e Leposaviqit. Kryeministri Kurti ndau me ta disa prej rezultateve të qeverisjes tri vjeçare. Ai veçoi fushën e arsimit, bujqësisë, mbrojtjes, sigurisë dhe shëndetësisë si disa prej fushave që është investuar më shumë. Ndërkohë që u njoftua nga kryetari Hetemi dhe nënkryetarja Bogojeviq për punët në komunë, sfidat në qeverisje, si dhe bashkëpunimin me nivelin qendror.

Me drejtuesit e komunës, dhe para këshilltarëve komunalë dhe stafit të Komunës së Leposaviqit, kryeministri Kurti shprehu zotimin që Qeveria e Republikës së Kosovës shërben si infrastrukturë për të drejtat dhe mirëqenien e qytetarëve pa dallim. Nga ata po ashtu kërkoi bashkëpunim të afërt, pa privilegje, pa diskriminime, duke qenë së bashku gjithmonë në shërbim të qytetarëve.

Nga aty kryeministri Kurti vazhdoi vizitën për në fshatin Banjskë, për të parë nga afër vendin ku ishte organizuar prita terroriste dhe kriminale më 24 shtator të vitit të kaluar, nga e cila mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, tash Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku. Atje po ashtu vizitoi edhe policët në pikë-kontrollin e Policisë së Kosovës.

Pas Banjskës, kryeministri vizitoi gjithashtu edhe Komunën e Zubin Potokut. Në ndërtesën e Komunës, pati rastin të takojë dhe të bashkëbisedojë me zyrtarë të Agjencionit për Regjistrimin Civil, që gjithashtu ofrojnë shërbimin e regjistrimit të veturave. Kryeministri Kurti i falënderoi ata për punën dhe angazhimin për të qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve.

Në kuadër të kësaj vizite, në ditën që do të mbushte 45 vjeç, u bë përurimi i lapidarit kushtuar Heroit të Kosovës, Enver Zymeri, në vendin ku ra heroikisht në krye të detyrës më 26 korrik të vitit 2011. I pranishëm përkrah kryeministrit Kurti ishte dhe djali i Enver Zymerit, Sokol Zymeri bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha dhe ministrat Sveçla dhe Krasniqi.

Për fund, para se të vizitojë Komunën e Mitrovicës së Veriut dhe të takojë Kryetarin e saj, Erden Atiq dhe nënkryetaren Katarina Axhançiq, kryeministri qëndroi në lagjen Kroi i Vitakut, përkatësisht në vendpunishtet e shtëpive të reja që po ndërtohen atje me mbështetjen e Qeverisë. Aty pati rastin të bashkëbisedojë me disa prej banorëve dhe pronarëve të shtëpive të reja të cilët u shprehen të lumtur dhe mirënjohës për mbështetjen e Qeverisë. Dje Qeveria ndau edhe katër milionë euro shtesë për subvencionimin e ndërtimit të shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve joshumicë në komuna.

Kurse në takimin me kryetarin Atiq folën për mbarëvajtjen e punëve. Duke i dëshiruar suksese atij, kryeministri shprehu mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës për këtë komunë dhe për të gjitha shërbimet që u jepen këtu qytetarëve pa dallim.

Last modified: 3 Prill, 2024

Comments are closed.

×