Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti u takua me Sekretarin në hije për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy dhe Ministrin në hije për Evropë, Stephen Doughty

27 Qershor, 2023

Londër, 27 qershor 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka vazhduar takimet edhe sot në kuadër të vizitës së tij të punës, në Mbretëri të Bashkuar.

Ai u prit nga Sekretari në hije i Punëve të Jashtme, njëherësh deputeti i Partisë Laburiste, David Lammy dhe Ministri në hije për Evropë, Stephen Doughty, me të cilët diskutoi për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, fushat me potencial për thellim të mëtutjeshëm të tyre dhe për zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës.

Kryeministri Kurti i njoftoi ata me arritjet dhe progresin e Kosovës në dy vitet e fundit, përkundër krizave botërore me të cilat u përballë i gjithë kontinenti i Evropës, por jo vetëm, dhe me gjendjen në katër komunat në veri të vendit pas tensioneve dhe sulmeve të vazhdueshme ndaj institucioneve, policëve, ushtarëve të KFOR-it dhe ekipeve të medieve nga grupe kriminale të motivuara dhe orkestruara nga Beogradi zyrtar.

Për sa i përket nevojës për shtensionim të situatës dhe normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, ai shtoi se Qeveria ka paraqitur propozimin e saj të bazuar në parimin e sundimit të ligjit, i cili adreson dhe trajton sulmet e deritanishme dhe hap rrugë për të ecur përpara, teksa në vazhdimësi ka insistuar në rëndësinë e pazëvendësueshme të zbatimit të plotë, të shpejtë dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.

 
 
 

Last modified: 27 Qershor, 2023

Comments are closed.

×