Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti u prit në takim nga Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla

26 Mars, 2023

Tiranë, 26 mars 2023

Gjatë vizitës së punës në Republikën e Shqipërisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me Presidentin e Shqipërisë, Begaj, u prit në takim nga Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Gjatë bisedës, u theksua intensifikimi i bashkëpunimit ndërmjet dy kuvendeve, bashkëpunimi i deputetëve në forume dhe organizata ndërkombëtare, dhe ai ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e integrimit evropian, krahas marrëdhënieve të ngushta ndërmjet dy vendeve tona.

Kryeministri Kurti e falënderoi kryekuvendaren Nikolla për mikpritjen e ngrohtë. E njoftoi atë me rezultatet e qeverisjes së deritanishme, që javën e kaluar mbushi dy vjet, për indikatorët ekonomikë, me theks te rritja e vazhdueshme e eksporteve dhe për raportet ndërkombëtare që dëshmojnë progresin në sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit, dhe reformat e ndërmarra. U veçua Raporti i BE-së për Vendin për vitin 2022, si më i miri ndonjëherë për Kosovën, e që konkludonte që Kosova nuk kishte asnjë fushë pa progres, dhe asnjë fushë me regres.

Në këtë takim të përbashkët, kryeministri Kurti e informoi kryetaren Nikolla për takimin e 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut dhe për dakordimin e arritur për zbatimin e Marrëveshjes Bazë, të cilën znj. Nikolla e cilësoi si hap të mirë përpara për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe rrugëtimit evropian të Kosovës.​

Në takim kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga stafi i tij dhe nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri, Skë​nder Durmishi.

 

Last modified: 26 Mars, 2023

Comments are closed.

×