Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti u mirëprit nga Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami

11 Gusht, 2023

Tetovë, 11 gusht 2023

Në kuadër të vizitës që po zhvillon në Maqedoninë e Veriut, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Në takim, kryeministri ishte i shoqëruar nga zëvendësambasadori i Kosovës në Maqedoni të Veriut, Prindon Sadriu dhe zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

​Kryeministri Kurti e ka falënderuar kryetarin Kasami për ftesën dhe mikpritjen që iu bë në qytetin e Tetovës, derisa e ka njoftuar për zhvillimet dhe situatën politike e ekonomike në vendin tonë.

U diskutua edhe për politikat dhe qeverisjen lokale, me theks të veçantë për rëndësinë që ka projekti i rrugës që lidh Prizrenin dhe Tetovën, si dhe për bashkëpunimin e komunave rreth malit Sharr, sidomos Tetovës dhe Prizrenit në sferën e turizmit.

Kryeministri Kurti gjatë qëndrimit të tij në Tetovë, bashkë me kryetarin e kësaj komune do të marrin pjesë në inaugurimin e rrugës së re që lidh fshatin Sellcë dhe fshatin Vicë, që pritet të rrisë kapacitetet e turizmit malor të Tetovës dhe të afrojë Tetovën me Prizrenin.

 

Last modified: 11 Gusht, 2023

Comments are closed.