New York, 27 shtator 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditë së tretë të qëndrimit në New York, takoi Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinalin Pietro Parolin.
Me themelimin e misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Vatikan, që shënon avancim të raporteve bilaterale, Republika e Kosovës dhe Selia e Shenjtë kanë treguar vullnetin për thellim të mëtejmë të marrëdhënieve. Takimi i sotëm në New York ishte mundësi shumë e mirë për të vijuar diskutimet mbi çështjet dhe fushat që bashkëpunimi i deritanishëm të fuqizohet edhe më tej.
Kryeministri Kurti e njoftoi sekretarin Parolin rreth mbështetjes dhe mbrojtjes institucionale që Kosova i ofron objekteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare. Ai gjithashtu foli për përkushtimin e Republikës së Kosovës për respektimin e të drejtave dhe lirive fetare, dhe për politikat sociale dhe masat e punësimit të qeverisë. Kryeministri theksoi që Republika e Kosovës është vend i të gjithë qytetarëve të saj dhe që, në këtë drejtim, Qeveria punon në sigurimin e mundësive të barabarta për të gjithë drejt zhvillimit ekonomik të sigurt.
Duke e falënderuar për takimin dhe për mikpritjen që i ishte bërë atij në Selinë e Shenjtë në qershor të vitit të kaluar, kryeministri Kurti e ftoi sekretarin Parolin që sikurse Kosova, edhe Selia e Shenjtë të hap misionin e saj në Republikën e Kosovës.
Last modified: 27 Shtator, 2024