Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti takoi ministren e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock

26 Prill, 2024

Berlin, 26 prill 2024

Qëndrimin e tij në Berlin, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e përmbylli me një takim bilateral me ministren e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Annalena Baerbock.

Marrëdhëniet dypalëshe, reformat demokratike, integrimi evropian i Kosovës, me theks te procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës, dhe energjia ishin çështjet kryesore për të cilat u diskutua.

Në lidhje me këtë të fundit, kryeministri e njoftoi ministren Baerbock me suksesin e ankandit të parë diellor prej 100 MW, dhe për përgatitjet që po bëhen për ankandin e radhës me energji të erës prej 150 MW.

Më tej, kryeministri Kurti falënderoi shtetin gjerman për ndihmën e madhe vit pas viti, rolin aktiv në zhvillimin dhe përparimin e Republikës së Kosovës dhe për partneritet të afërt. Ai shprehu mirënjohje për përkrahjen e Gjermanisë për kandidaturën e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe theksoi rëndësinë kyçe të mbështetjes së qeverisë gjermane deri në anëtarësimin e plotë.

Ky ishte takimi i tretë në më pak se tri vjet ndërmjet kryeministrit Kurti dhe ministres së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Baerbock.

Last modified: 26 Prill, 2024

Comments are closed.

×