Zeytinburnu, 2 qershor 2024
Gjatë qëndrimit në Turqi, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati një takim me komunitetin e mërgatës “Qendra Kulturore në Zeytinburnu/Zeytinburnu Kültür Merkezi”.
Para të pranishmëve, ai potencoi se marrëdhënia jonë me Turqinë është e fortë, e gjerë dhe e thellë, marrëdhënie edhe historike edhe kulturore.
“Ne dëshirojmë, që marrëdhëniet e shkëlqyera që i kemi me Republikën e Turqisë, t’i avancojmë edhe më tej në bashkëpunim sidomos në dy fusha: në ekonomi e tregti në njërën anë dhe në mbrojtje e siguri në anën tjetër”, tha më tej kryeministri Kurti.
Duke i njoftuar për progresin e Kosovës deri më tani, kryeministri tha se katër fusha ku i kemi bërë investimet më të mëdha janë: mbrojtja e siguria, bujqësia, arsimi edhe shëndetësia. Në aspektin e sigurisë ai përmendi ushtarët dhe oficerët e ushtrisë sonë, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve janë në Republikën e Turqisë duke u trajnuar në mënyrë që të jenë sa më të përgatitur për mbrojtjen dhe sigurinë e Republikës së Kosovës.
“Të dashur bashkatdhetarë, ne jemi të interesuar që ju të vini sa më shpesh në Kosovë, linjat ajrore janë të përditshme prej disa qyteteve, por nuk kërkojmë prej jush që të vini e të sakrifikoni për të kontribuar, por të vini të investoni për të fituar. Të gjithë ju që jeni ndërmarrës, një degë të biznesit tuaj, ejani edhe barteni në Kosovë”, ishte një ndër thirrjet kryesore të kryeministrit në këtë takim, duke i ftuar ata të bëhen pjesë e zhvillimit ekzistues të Kosovës.
Kryeministri shtoi se mërgata jonë është urë e shkëlqyeshme për bashkëpunime shumë të mëdha e të reja midis Kosovës edhe Turqisë, por jo vetëm, po edhe të Shqipërisë e të Maqedonisë së Veriut, Luginës së Preshevës e të Malit të Zi.
“Pra, kudo që janë shqiptarët në Ballkan mund të krijojnë ura bashkëpunimi ekonomik, tregtar, kulturor me juve këtu, njësoj qysh i kemi edhe turqit në Kosovë të cilët gjithashtu janë urë e bashkëpunimit të Kosovës me Turqinë”, vazhdoi kryeministri.
Vizita e kryeministrit Kurti nesër do të pasohet nga pjesëmarrja në forumin e parë ekonomik të bizneseve ndërmjet Kosovës dhe Turqisë që paraqet një mundësi për thellim të bashkëpunimit ekonomik dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe investimeve të huaja.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Ndodhem këtu në mesin tuaj dhe ju falënderoj që e keni ndarë dikush kohën e punës e dikush të pushimit dhe na keni bërë bashkë.
Dua të falënderoj Kryetarin e Komunës, Zeytinburnu z. Arısoy për mikpritjen e ngrohtë dhe falënderoj z. Naser për organizimin dhe në të njëjtën kohë edhe kolegët, të cilët më janë bashkuar, qofshin ata nga Qeveria jonë në Kosovë, nga Konsullata jonë këtu në Stamboll apo edhe nga Ambasada jonë e Qendra Kulturore në Ankara.
Para pesë vjetëve unë kam qenë në Bajram Pashë dhe, edhe këtu në Zeytinburnu nuk qenka shumë ndryshe. Shumë shqiptarë atje dhe shumë shqiptarë këtu, që na e bëjnë zemrën mal padyshim.
Dje ishim në Qendrën Kulturore, e cila e mban emrin e Sami Frashërit, Shemsedin Bej Frashërit dhe ishim me rastin e ditëlindjes së tij, meqë ai ka lindur më 1 qershor 1850, pa harruar që pikërisht në muajin qershor, me 18 qershor e shënojmë edhe 120-vjetorin e vdekjes së tij, por midis këtyre dy, e kemi 125-vjetorin sivjet të veprës së tij kryesore, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, që është manifesti i kombit shqiptar.
Ai libër nga viti 1899, jo vetëm që na ka treguar se cila është situata gjeopolitike dhe e sigurisë, por na ka treguar edhe ku duhet të shkojmë e cilës rrugë t’i biem.
Prandaj, vepra e Sami Frashërit duhet të studiohet e të rilexohet nga të gjithë kudo e kurdo dhe, ka qenë vepër e një dijetari përparimtar, i cili qysh në atë kohë ka thënë se të gjitha vajzat duhet të shkojnë në shkollë dhe ata që nuk kanë para të paguajnë për fletore apo për karta, siç e quante ai, në shkolla në bankat ku ulen nxënësit e vegjël fëmijët, atëherë do të duhet që shteti, sistemi, arsimi, të paguajë për ta, ashtu që të mos ngelet asnjë fëmijë pa shkollë e sidomos vajzat të shkojnë në shkollë.
Marrëdhënia jonë me Turqinë është e fortë, e gjerë dhe e thellë, është marrëdhënie edhe historike edhe kulturore.
Ne dëshirojmë, që marrëdhëniet e shkëlqyera që i kemi me Republikën e Turqisë, t’i avancojmë edhe më tej në bashkëpunim sidomos në dy fusha: në ekonomi e tregti në njërën anë dhe në mbrojtje e në siguri në anën tjetër.
Për këtë, në Ankara kemi pasur takime shumë të frytshme me Presidentin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, me zëvendësin e tij, Cevdet Yılmaz, me ministrin e Mbrojtjes Kombëtare, Yaşar Güler dhe gjithashtu me ministrin e Punëve të Jashtme, Hakan Fidan.
Kosova është bërë një vend kampion në Ballkan sa i përket progresit demokratik dhe sundimit të ligjit. Në këto tri vitet e fundit rritjen ekonomike e kemi 6.2 përqind të bruto produktit vendor mesatarisht. Përveç kësaj i kemi dyfishuar edhe investimet e huaja direkte edhe eksportin tonë dhe, rritjen tonë nuk e kemi ndalur për shtet, por e kemi shpërndarë në popull. Qeveria jonë ka sjellë shtesat për fëmijë dhe për nënat lehona për herë të parë, e kemi dyfishuar punësimin për të rinjtë dhe jemi fokusuar tek gratë dhe vajzat, me ç’rast 12 mijë prej tyre janë punësuar si rezultat i rritjes ekonomike dhe i zhvillimit tek ne.
20 përqind është rritur punësimi nga fillimi i vitit 2021 në fillimin e vitit 2024 dhe ekonomisë tonë ia kemi shtuar për çdo vit nga 1 miliard euro e më herët është dashur tri vjet për 1 miliard euro. Jemi duke ecur përpara me hapa gjithnjë e më të shpejtë.
Kemi gjetur edhe borxhe kur kemi ardhur si qeveri. 140 milionë euro fatura të papaguara për operatorë të ndryshëm ekonomikë dhe këtë borxh për tri vjet e kemi zbritur në vetëm 33 milionë euro.
Borxhi publik i Kosovës sot është rreth 17 përqind të bruto produktit vendor, gjë që na mundëson të bëjmë negociata të suksesshme për kredi të buta për zhvillimin e Kosovës.
Katër fusha ku i kemi bërë investimet më të mëdha, alokimet më të larta buxhetore janë: mbrojtja e siguria, bujqësia, arsimi edhe shëndetësia.
Sa i përket mbrojtjes, për tri vjet i kemi shtuar 1852 ushtarë, edhe 600 ushtarë të rinj sivjet, kemi dyfishuar buxhetin për mbrojtje, e kemi trefishuar buxhetin për armatim dhe i kemi katërfishuar trajnimet jashtë vendit për ushtarët dhe oficerët e ushtrisë sonë, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve janë në Republikën e Turqisë duke mësuar, duke studiuar, duke u trajnuar e ushtruar, në mënyrë që të jenë sa më të përgatitur për mbrojtjen dhe sigurinë e atdheut të tyre, Republikës së Kosovës.
Moshën e kemi rritur për ushtarët prej 23 vjeç në 25 vjeç dhe e kemi pajisur ushtrinë tonë me armatim gjithnjë e më modern. Kemi blerë drona Bayraktar nga Turqia dhe raketa Javelin anti-tank nga Amerika. Në shkolla po e fusim lëndën Edukimi për Siguri, por gjithashtu po e bëjmë edhe mbrojtjen gjithpërfshirëse apo mbrojtjen totale ashtu që nëse na rrezikohet atdheu, vatani, atëherë secili qytetar do ta ketë rolin, funksionin e vet në mbrojtje e në siguri. Pra, mbrojtja gjithëpërfshirëse në njërën anë dhe edukimi për siguri nëpër shkolla në anën tjetër janë shumë të rëndësishme për vendin tonë dhe Qeveria jonë tashmë ka filluar me përpilimin e zbatimin e këtyre.
Bujkut 216% ia kemi rritë subvencionet, toka nuk bën të lihet djerrë, toka duhet të punohet, të mbillet me drithëra, pemë, e me perime dhe sa më shumë që e punojmë tokën kjo krijon një marrëdhënie të re të qytetarit me territorin. Duhet ta duam vendin tonë, e një mënyrë për ta dashur vendin tonë është ta punojmë tokën tonë dhe bukën tonë në sofër ta kemi nga arat e Republikës tonë.
E luftojmë korrupsionin në çdo fushë, në çdo nivel. Qeveria jonë është Qeveri e ministrave që kanë ndërgjegje dhe duar të pastra, që e kursejnë buxhetin e shtetit dhe nuk e kursejnë vetveten, punojnë ditë e natë, pa rezervë, sepse duhet ta forcojmë shtetin tonë dhe ta pasurojmë popullin tonë. Ne jemi një Qeveri që e do popullin e pasur, jo politikanët e pasur.
Arsimin publik e kemi bërë falas për shkak se konsiderojmë që arsimi është e drejtë, qytetarët duhet ta kenë të drejtën të edukohen pa para, edhe në këtë kuptim arsimi publik në të gjitha nivelet përfshirë edhe universitetet është falas. 10,200 bursa për studentët prej tyre 5170 bursa elitare dhe në veçanti bursa për shkencë, teknologji, inxhinieri edhe matematikë, 4880, shumica për vajza e gra. Gjysma e studentëve në Kosovë që studiojnë teknologji, inxhinieri, matematikë, shkenca janë gra e vajza. Në Bashkimin Evropian mesatarja është 17%, në Kosovë 50%.
Të dashur bashkëatdhetarë, ne jemi të interesuar që ju të vini sa më shpesh në Kosovë, linjat ajrore janë të përditshme prej disa qyteteve, por nuk kërkojmë prej jush që të vini e të sakrifikoni për të kontribuar, por të vini të investoni për të fituar. Të gjithë ju që jeni ndërmarrës, një degë të biznesit tuaj, ejani edhe barteni në Kosovë.
Kosova ofron kushte shumë të mira për ndërmarrësit, ta zëmë 0% është tatimi për eksport, për import të makinerisë prodhuese po ashtu është 0%, nuk ka dividend për fitim të koorporatave, është vetëm 10% tatimi në fitim të korporatave dhe në të njëjtën kohë e kemi rininë e shkëlqyeshme ku të gjithë flasin anglisht, një pjesë e mirë e tyre flasin edhe gjermanisht, e mosha mesatare është 31 vjeç.
Qiratë janë të lira, rryma, energjia elektrike është lirë, edhe dashuria është e madhe.
Reformat e Qeverisë do të vazhdojnë, edhe të ketë drejtësi për popullsinë, por në të njëjtën kohë të ketë edhe investime në ekonomi, planifikojmë që në këtë dekadë, gjashtë vitet në vijim t’i kemi investimet 7 miliardë. 3 miliardë në transport, 2 miliardë në energji, dhe 2 miliardë në mjedis. Me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në shkurt të këtij viti kemi nënshkruar memorandum bashkëpunimi për projekte të ndryshme për tri vitet e ardhshme në vlerën prej 400 milionë euro, kjo tregon që Evropa beson në të ardhmen e Kosovës.
Ajo çfarë ne ju ftojmë juve nuk është që të investoni në mënyrë që të mundësohet zhvillimi, por ne duam t’iu bëjmë juve pjesë të zhvillimit ekzistues në mënyrë që edhe ju të gëzoheni e të fitoni, por edhe zhvillimin ta përshpejtojmë.
Kosova sot, nuk është në krizë të ketë zhvillim. Kosova sot, do zhvillim edhe më të madh edhe më të shpejtë e për këtë ne e shohim zgjidhjen tek ju, tek ju që ktheheni në vendlindjen tuaj.
Në vendet e Evropës perëndimore, ka shtete ku shqiptarët janë disa mijëra, ka shtete ku janë disa dhjetëra mijëra, shumica e shteteve janë me dhjetëra mijëra shqiptarë në Evropë, ka disa shtete që janë me qindra mijëra, ama këtu në Turqi shqiptarët janë disa milionë.
Potenciali është shumë i madh. Ju jeni urë e shkëlqyeshme për bashkëpunime shumë të mëdha e të reja midis Kosovës edhe Turqisë, por jo vetëm, po edhe të Shqipërisë e të Maqedonisë së Veriut, Luginës së Preshevës e të Malit të Zi. Pra, kudo që janë shqiptarët në Ballkan mund të krijojnë ura bashkëpunimi ekonomik, tregtar, kulturor me juve këtu, njësoj qysh i kemi edhe turqit në Kosovë të cilët gjithashtu janë urë e bashkëpunimit të Kosovës me Turqinë.
Unë e kam ministër Fikrim Damkën, nga komuniteti boshnjak e kam zëvendësen Emilija Rexhepi, nga komuniteti egjiptian e kam ministrin Elbert Krasniqi. Pra me të gjitha komunitetet ne kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme. Kam edhe ministër serb, Nenad Rashiqin. Me Serbinë kena probleme për shkak se nuk po na e njohin pavarësinë dhe nuk po i pranojnë krimet e kryera nga Millosheviqi që janë krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocidale. Ne asnjëherë nuk do ta heshtim këtë dhe gjithmonë do të kërkojmë drejtësi për viktimat. 10 mijë civil të paarmatosur, të pambrojtur, na i kanë vra. 1133 fëmijë na i kanë vra para 25 viteve, 20 mijë gra e vajza janë të dhunuara. Ata i mohojnë këto gjëra dhe përveç kësaj nuk duan ta pranojnë ekzistencën e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur, sovran, demokratik që është kampion në Ballkan sa i përket progresit të demokracisë dhe sundimit të ligjit. Ne nuk jemi kundër serbëve, Serbia është kundër neve, po vetën në qafë e pastë për shkak se ne do të zhvillohemi e do të përparojmë.
Kur kam qenë para 5 viteve në Bajram Pasha, ishte koha kur unë nuk kisha trupëroja sikur sot. Shëtitja i lirë dhe duke ec në një rrugë në Bajram Pasha, kalova afër një vitrine të një shitoreje, më pëlqyen një palë këpucë dhe u ndala me i ble. Bisedova në anglisht, fatkeqësisht nuk di turqisht, bisedova në anglisht me atë djalin që shiste aty derisa më gjeti numrin tamam të këpucëve që më biejnë. Pasi i bleva, para se me dal po e pyes thashë prej kah je, prej cilit vend të Turqisë. Më tregoi që është vendas aty, i Bajram Pashës. I thashë “mirë, e si e ke emrin?”. Tha “Ergyn”. Thashë “ O Ergyn ka edhe në Kosovë”. Tha “Po unë prej Gostivarit jam”. Shumë njerëz që po i takojmë kanë lind këtu, po dikujt nana e baba, dikujt gjyshja e gjyshi, dikujt stërgjyshja e stërgjyshi, i kanë ardh prej viseve të banuara me shqiptarë në Turqi. Është e rëndësishme që sa më shumë ata të vijnë në Kosovë. Shumë mirë që e dijnë turqishten, por ta mësojnë edhe shqipen. E mbase edhe unë tu ardh në Turqi kam me fillu gjithnjë e më shumë me mësu fjalë edhe unë, sepse njeriu pavarësisht moshës, sa të jeton mëson.
Ne do ta kemi nesër një forum të biznesit Kosovë-Turqi. Është forumi për herë të parë në Kosovën e pavarur që organizohet këtu në Stamboll dhe synojmë që sa më shumë investitorë të vijnë nga Turqia në Kosovë, ta rrisim shkëmbimin tregtar duke kaluar 1 miliard dhe në të njëjtën kohë këto urat kulturore, jo vetëm me Sami Frashërin, t’i shtojmë.
Unë isha edhe tek varri i Sami Frashërit. Aty e pashë që djali i tij, themeluesi i Galatasaray, e kish varrin edhe më të madh se baba i vet. Por natyrisht që ne nuk kemi kurgjë kundër Fenerbahçes. I dëshirojmë sukses të dyjave dhe investitorët turq që dojnë me ardh në Kosovë nuk ka gajle a janë fansa të Galatasatay-it a të Fenerbahçe-s, të dyja palët janë të mirëseardhura njësoj.
Në fund unë ju falënderoj të gjithë juve për pjesëmarrjen sot, por edhe për rolin, angazhimin edhe kontributin që e keni bërë për shqiptarët para luftës, gjatë luftës, pas luftës, para shpalljes së pavarësisë, pas shpalljes së pavarësisë, kontributin që e keni dhënë dje, sot e që do ta jepni nesër, e për këtë nesër e keni zotimin tim që do t’ju ndihmoj, do t’ju mbështes, do t’ju përkrah me krejt çka di dhe mundem. Faleminderit shumë nga zemra.
Last modified: 2 Qershor, 2024