Prishtinë, 13 gusht 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Komandantin e KFOR-it, Özkan Ulutas.
Ky takim ishte në kuadrin e konsultimeve intensive dhe koordinimit të vazhdueshëm. Gjatë tij u diskutua rreth bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë, institucioneve të sigurisë dhe misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, në shërbim të ruajtjes së sigurisë dhe paqes në vend.
Ndër temat qendrore ishte hapja e urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë si një gjë e drejtë, e nevojshme dhe e dobishme. Kryeministri Kurti e njoftoi komandantin e KFOR-it mbi punët e përgjithshme që po zhvillohen në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe rezultatet nga raporti preliminar i vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, të dorëzuar nga operatori ekonomik tek Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Në kuadër të hapave të nevojshëm të ndërmarrë nga Qeveria për hapjen e urës, ai rikujtoi dhe takimin publik me qytetarët e Mitrovicës së Veriut, të organizuar më 8 gusht nga komuna e Mitrovicës së Veriut e ku të pranishëm ishin qytetarë nga komuniteti serb, organizata joqeveritare dhe përfaqësues nga niveli qendror e lokal si dhe KFOR-i dhe EULEX.
Kryeministri u shpreh i bindur se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit, paqja dhe siguria janë të gjitha të mundura bashkë dhe të duhura.
Në këtë takim u diskutua dhe rreth ballafaqimit me zjarret në këto ditë të nxehta vere dhe ndihmës që KFOR-i do të mund të ofronte në shuarjen e tyre që nisën me fusha e arritën maleve.
Kryeministri Kurti, që shoqërohej nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, e falënderoi komandantin e KFOR-it, Ulutas për bashkëpunimin dhe komunikimin e rregullt.
Last modified: 13 Gusht, 2024