Prishtinë, 19 dhjetor 2022
Historikisht, marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë, ndërmjet dy vendeve dhe dy popujve tanë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë shumë të mira dhe po forcohen dita-ditës, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në pritjen e fundvitit të organizuar nga Ambasada e Sllovenisë.
Kemi ngjashmëri në histori, një histori ku Sllovenia qëndroi fort me popullin e Kosovës – duke qenë një mik dhe mbështetës i besueshëm. Dhe ne kemi edhe një të ardhme të përbashkët – një të ardhme brenda familjes evropiane – duke ndarë vlerat e demokracisë, sundimit të ligjit dhe vullnetit dhe punës së palodhur për prosperitet socio-ekonomik, tha më tej kryeministri.
Ai theksoi se sa i përket marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare me Slloveninë, pa dyshim Sllovenia mbetet një partner shumë i rëndësishëm për Kosovën. Gjatë viteve të fundit, shkëmbimet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë kanë treguar trende të rritjes së vazhdueshme.
Vitin e kaluar importet nga Sllovenia në Kosovë ishin rreth 177 milionë euro, ndërsa eksportet tona në Slloveni ishin vetëm rreth 10 milionë euro. Gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti, eksportet tona në Slloveni janë rritur, duke arritur në 28 milionë euro, që është një rritje mbresëlënëse prej 180%. Në investimet e huaja direkte kemi parë gjithashtu rritje të jashtëzakonshme nga Sllovenia, nga rreth 6 milionë euro në periudhën janar-tetor 2021 në rreth 26 milionë euro për të njëjtën periudhë në 2022, një normë rritjeje prej 350%, theksoi Kryeministri Kurti.
Ai tha se ne do të punojmë si dy vende dhe sektorë privatë përkatës për të forcuar dhe rritur më tej marrëdhëniet tona ekonomike dypalëshe.
Për vitin dhe vitet në vijim shpresoj veçanërisht që marrëdhëniet tona shumë të mira kulturore dhe politike do të rriten në terma të fortë, ashtu si shkëmbimi ynë ekonomik dhe tregtar, tha kryeministri në përmbyllje të fjalës së tij.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
E nderuara Ambasadore Benedejqiq,
E nderuara ministre Hajdari dhe ministër Damka,
I nderuar kryesues Fusha,
I nderuar komunitet i biznesit Kosovë-Slloveni,
Zonja dhe zotërinj,
Të dashur miq dhe mysafirë,
Kam kënaqësinë që jam sot këtu me ju dhe të ngre një gotë për vitin e ngarkuar që po lëmë pas dhe për vitin e suksesshëm që po na pret.
Historikisht, marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë, ndërmjet dy vendeve dhe dy popujve tanë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë shumë të mira dhe po forcohen dita-ditës.
Kemi ngjashmëri në histori, siç e përmendi zonja Ambasadore, një histori ku Sllovenia qëndroi fort me popullin e Kosovës – duke qenë një mik dhe mbështetës i besueshëm. Dhe ne kemi edhe një të ardhme të përbashkët – një të ardhme brenda familjes evropiane – duke ndarë vlerat e demokracisë, sundimit të ligjit dhe vullnetit dhe punës së palodhur për prosperitet socio-ekonomik.
Qeveria jonë aktualisht është duke hartuar një ligj për Fondin Sovran – një koncept që e kemi parë në Slloveni dhe që po ua përshtatim nevojave tona, përkatësisht Slovenian Sovereign Holding.
Është mirë për ne të kemi Slloveninë si shembull, edhe për faktin se mund të shmangim disa nga gabimet që ndoshta janë bërë atje, dhe mund të përpiqemi të mësojmë pak më mirë nga ju përsëri.
Krahas forcimit të demokracisë dhe shtetit ligjor, arritëm një rritje ekonomike prej 10.7% të BPV-së për këtë vit dhe më pas 4% në krahasim me vitin e kaluar, kur zbresim inflacionin. Kemi shtuar 25 mijë vende pune dhe investimet e huaja direkte janë rritur për 47.6% këtë vit në krahasim me vitin e kaluar, dhe vitin e kaluar në krahasim me vitin 2020 rritja ka qenë 22%.
Sa i përket marrëdhënieve tona ekonomike dhe tregtare me Slloveninë, pa dyshim Sllovenia mbetet një partner shumë i rëndësishëm për Kosovën. Gjatë viteve të fundit, shkëmbimet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë kanë treguar trende të rritjes së vazhdueshme.
Vitin e kaluar importet nga Sllovenia në Kosovë ishin rreth 177 milionë euro, ndërsa eksportet tona në Slloveni ishin vetëm rreth 10 milionë euro. Gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti, eksportet tona në Slloveni janë rritur, duke arritur në 28 milionë euro, që është një rritje mbresëlënëse prej 180%. Në investimet e huaja direkte kemi parë gjithashtu rritje të jashtëzakonshme nga Sllovenia, nga rreth 6 milionë euro në periudhën janar-tetor 2021 në rreth 26 milionë euro për të njëjtën periudhë në 2022, një normë rritjeje prej 350%.
Edhe pse këto janë baza relativisht të vogla, pra nga një bazë e ulët që ne po e bëjmë gjithë këtë rritje, ne do të punojmë si dy vende dhe sektorë privatë përkatës për të forcuar dhe rritur më tej marrëdhëniet tona ekonomike dypalëshe.
Meqë Kosova ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ne do të punojmë në vazhdimësi në krijimin e kushteve më të mira për të bërë biznes në vendin tonë, përafrimin e standardeve dhe miratimin e rregulloreve dhe ligjeve të BE-së. Në këtë drejtim edhe nënshkrimi i tre marrëveshjeve në kuadër të Procesit të Berlinit ishte një sukses i madh të cilin tani do të duhet ta ratifikojmë në parlamentet tona dhe të fillojmë ta zbatojmë. Është një muaj e gjysmë që nën kryesimin e kancelarit Scholz, Procesi i Berlinit u përtëri, dhe krijimi i tregut të përbashkët rajonal në Ballkanin Perëndimor sigurisht që do të kontribuojë në forcimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë.
Për vitin dhe vitet në vijim shpresoj veçanërisht që marrëdhëniet tona shumë të mira kulturore dhe politike do të rriten në terma të fortë, ashtu si shkëmbimi ynë ekonomik dhe tregtar. Dhe trendi, siç thashë, është shumë premtuese.
Pra, gëzuar për ju zonja Ambasadore dhe gëzuar për të gjithë pjesëmarrësit sot! Dhe ju uroj një vit të ri të begatë!
Last modified: 19 Dhjetor, 2022