Prishtinë, 14 shkurt 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në takimin dhe tryezën e diskutimit me titull “Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë 2024” të organizuar nga Agjencia i Statistikave të Kosovës.
Në fjalën e tij ai tha se ky regjistrim është më shumë se numërim; është angazhimi ynë për të adresuar nevojat e qytetarëve pa dallim dhe baza për vendime të cilët do të ndikojnë në të ardhmen e Kosovës.
“Regjistrimi siguron të dhëna të sakta dhe të plota demografike, socio-ekonomike dhe gjeografike, të cilat janë thelbësore për vendimmarrjen e informuar në çdo nivel. Këto statistika ndihmojnë në orientimin e politikave dhe shërbimeve për të mirën e qytetarëve, duke rritur transparencën dhe llogaridhënien në demokraci. Ato gjithashtu ndihmojnë në alokim më efikas të burimeve për shërbime që i ofron sektori publik”, u shpreh kryeministri.
Andaj, ai e rikonfirmoj angazhimin e Qeverisë ndaj procesit të Regjistrimit të Popullsisë, që është thelbësor për një vendimmarrje të informuar, për nxitjen e drejtësisë sociale dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Qeveria e ka ndarë buxhetin e nevojshëm, ka ofruar hapësira për trajnime dhe ka siguruar logjistikën, duke u angazhuar në bashkërendim ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për të garantuar një regjistrim cilësor dhe gjithëpërfshirës. Vetë kryeministri, brenda një periudhe të shkurtër prej rreth 1 muaj e gjysmë, ka vizituar dy herë ASK-në ku është mirëpritur nga drejtori ekzekutiv, ka ndjekur nga afër përgatitjet dhe ka ofruar mbështetjen personale për një proces i cili tejkalon ciklet elektorale për nga vlera dhe rëndësia që ka.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Ju faleminderit shumë z. Avni Kastrati, Kryeshef i Agjencisë së Statistikave të Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të misioneve të huaja diplomatike,
I nderuari ambasador Tomáš Szunyog, Shef i Misionit të BE-së në Kosovë,
Zonja dhe zotërinj,
Me kënaqësi të madhe ju bashkëngjitem por njëkohësisht edhe ju mirëpres në këtë takim kyç të Regjistrimit të Popullsisë në Kosovë në vitin 2024. E falënderoj ASK-në për organizimin dhe gjithashtu për angazhimin në këtë proces vital për të ardhmen tonë afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë. Ky regjistrim është më shumë se numërim; është angazhimi ynë për të adresuar nevojat e qytetarëve pa dallim dhe baza për vendime të cilët do të ndikojnë në të ardhmen e Kosovës.
Regjistrimi siguron të dhëna të sakta dhe të plota demografike, socio-ekonomike dhe gjeografike, të cilat janë thelbësore për vendimmarrjen e informuar në çdo nivel. Këto statistika ndihmojnë në orientimin e politikave dhe shërbimeve për të mirën e qytetarëve, duke rritur transparencën dhe llogaridhënien në demokraci. Ato gjithashtu ndihmojnë në alokim më efikas të burimeve për shërbime që i ofron sektori publik.
Në nëntor të vitit 2023, Qeveria e Kosovës, me propozim të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, pat vendosur që ta shtyjë regjistrimin e popullsisë për prill të vitit 2024. Kjo shtyrje ofroi më shumë kohë për përgatitje dhe siguroi që të gjitha aspektet ligjore dhe mbështetëse të ishin në vend për një proces të suksesshëm të regjistrimit. Qeveria e ka ndarë buxhetin e nevojshëm, ka ofruar hapësira për trajnime dhe ka siguruar logjistikën, duke u angazhuar në bashkërendim ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për të garantuar një regjistrim cilësor dhe gjithëpërfshirës. Gjatë një periudhe të shkurtër prej rreth 1 muaj e gjysmë, unë kam vizituar dy herë ASK-në ku jam mirëpritur nga drejtori ekzekutiv dhe kam diskutuar së bashku edhe me kolegët e tij për të ndjekur nga afër përgatitjet dhe për të ofruar mbështetjen personale si kryeministër për një proces i cili tejkalon ciklet elektorale për nga vlera dhe rëndësia që ka.
Institucionet ndërkombëtare si, Bashkimi Evropian, Organizata e Kombeve të Bashkuara, FMN-ja dhe Banka Botërore, bazohen në të dhëna statistikore për vendimmarrje, të cilat i marrin përmes regjistrimeve të popullsisë. Kosova, si partner aktiv dhe në bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor edhe me organizata sikurse UNECE, Eurostat dhe OECD-ja, synon të përputhet me rekomandimet, standardet dhe nomenklaturat ndërkombëtare për statistikat, duke garantuar krahasueshmërinë e të dhënave. Regjistrimi i popullsisë në Kosovë ka mbështetje të vazhdueshme ndërkombëtare dhe për këtë ne u jemi falënderues të gjithë juve. Do të ndjekim praktikat më të mira në vendet e tjera dhe në këtë mënyrë të bëjmë Kosovën tonë pjesë të botës ku krahasohen të dhënat dhe bëhet më e mira që mundet e dihet. Kjo jo vetëm që forcon pra integrimin ndërkombëtar, por edhe e rrit vlerën e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, si burim të të dhënave të sakta dhe të besueshme për shoqërinë.
Si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, e rikonfirmoj angazhimin tonë të palëkundshëm në procesin e Regjistrimit të Popullsisë, që është thelbësor për një vendimmarrje të informuar, për nxitjen e drejtësisë sociale dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Roli i të gjithë juve në këtë mision është jetik dhe e vlerësoj përkushtimin tuaj ndaj saktësisë dhe gjithë përfshirjes. Pra, saktësia dhe gjithë përfshirja, janë dy gjërat, të cilat ne i vëmë në fokus të këtij procesi kaq thelbësor, që na pret përpara.
Mirënjohja ime e thellë shkon për përkushtimin dhe punën tuaj të palodhur. Dua të theksoj se, në këtë udhëtim, mbështetja dhe bashkëpunimi ndërkombëtar janë çelësat e suksesit tonë, dëshmi e përkushtimit të përbashkët ndaj transparencës dhe llogaridhënies.
E, përkrahja dhe bashkëpunimi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe i Zyrës së Kryeministrit është aq i ngushtë, saqë ata, të cilët dyshojnë, e mbartin barrën e provës, që ta shpjegojnë pse diskutimin për regjistrimin e kemi lënë për Shën Valentinin.
Unë uroj diskutim të frytshëm dhe konstruktiv. Bashkërisht, puna jonë sot, do ta forcojë edhe më tutje themelin për një Kosovë të begatë, të sigurt e të barabartë.
Ju falemnderit!
Last modified: 14 Shkurt, 2024