Prishtinë, 22 nëntor 2022
‘’Reforma në administratë publike është pjesë thelbësore e reformave të planifikuara në programin e Qeverisë sonë. Është besim e qëndrim i yni se një administratë publike besnike ndaj shtetit, e ndershme, e shkolluar dhe e përgatitur, me efikasitet më të lartë është parakusht për politika të përmbushura zhvillimore’’, u shpreh kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në konferencën vjetore të organizuar nga Ambasada Britanike, në kuadër të projektit “Rekrutimi i pavarur, i përgjegjshëm, meritokratik dhe profesional në Kosovë”.
Në fjalën e tij, kryeministri theksoi se Reformimi i Administratës Publike është dhe parakusht për hapat avancues të Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ai theksoi se Qeveria është e përkushtuar që reforma dhe rrjedhimisht administrata që po ndërtojmë të jenë të bazuara mbi disa parime që respektohen gjerësisht nga vendet demokratike dhe të zhvilluara.
‘’Një administratë joefikase shkakton ngecje më pastaj në ofrimin e shërbimeve publike për nga cilësia, për nga sasia, shkakton gjithashtu edhe ngecje edhe në zhvillimin e proceseve të reformave në sektorët e tjerë’’, ka shtuar kryeministri Kurti.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë hapa konkretë për të adresuar sfidat dhe problemet me të cilat përballet administrata por edhe qytetarët kur kanë nevojë të kenë ndërveprim me të.
Kryeministri Kurti ka veçuar dokumentet strategjike që trajtojnë këto çështje. “Plani për zhvillim kombëtar, bashkimi i tri strategjive për administratë publike në një të vetme dhe hartimi i saj për periudhën 2022-2027, hartimi i strategjisë për e-qeverisje e hartimi i strategjisë për siguri kibernetike janë ndër të tjera veprime esenciale të cilët tashmë i kemi ndërmarrë’’
Ai theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme ka rishikuar rrënjësisht ligjin për zyrtarët publikë dhe ka hartuar nga fillimi ligjin për paga në sektorin publik, për t’iu përshtatur aktvendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Kryeministri falënderoi të gjithë partnerët që janë duke përkrahur Qeverinë për këto reforma përmes projekteve e ekspertizës, duke shtuar se bashkëpunimi është padyshim komponentë shumë e rëndësishme në gjithë këtë proces.
Siç deklaroi ai, Qeveria është e përkushtuar për të siguruar sa më shumë punë dhe drejtësi, administratë bashkëkohore, besnike ndaj shtetit, e shkolluar në nivele sipërore, e shkathtë, me përgjegjshmëri e me ndershmëri. ‘’Kjo është bazë e domosdoshme për t’i mbërritur synimet tona të gjithë së bashku’’, potencoi kryeministri.
Fjala e plotë e kryeministrit Albin Kurti:
I nderuari Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar, z. Nicholas Abott,
I nderuar zëvendësministër i Punëve të Brendshme, z. Bardhyl Dobra,
I nderuar udhëheqës i Agjencisë Antikorrupsion z. Yll Buleshkaj,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës znj. Ganimete Musliu, z. Elmi Reçica, z. Rashit Qalaj,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës,
Të nderuar pjesëmarrës,
Reforma në administratë publike është pjesë thelbësore e reformave të planifikuara në programin e Qeverisë sonë. Është besim e qëndrim i yni se një administratë publike besnike ndaj shtetit, e ndershme, e shkolluar dhe e përgatitur, me efikasitet më të lartë, është parakusht për politika të përmbushura zhvillimore. Nëse administratën e kemi model avangarde të ideve, projekteve e programeve atëherë mundemi të bëjmë transformimin i cili pritet nga shoqëria jonë. Reformimi i saj është dhe parakusht për hapat avancues të Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Madje ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë midis cilësisë së Administratës Publike dhe shpejtësisë së integrimit në Bashkimin Evropian.
Edhe pse nuk ka parime a modele universale të zhvillimit të administratës publike, qeveria jonë është përkushtuar që reforma dhe rrjedhimisht administrata që po ndërtojmë të jenë të bazuara mbi disa parime që respektohen gjerësisht nga vendet demokratike dhe të zhvilluara. Kur flasim për parime, nënkuptojmë ndër të tjera, lojalitetin e padiskutueshëm për shërbimin ndaj publikut, mbrojtjen pa kompromis të së drejtës dhe interesit publik, respektimin e ligjit, transparencën dhe llogaridhënien, efikasitetin, ofrimin e shërbimeve në kualitet dhe sasi të mirë dhe të njëjtë për të gjithë.
Se sfidat janë të mëdha e thonë edhe dhjetëra matje, studime e raporte vendase, evropiane e ndërkombëtare. Partizimi i skajshëm dhe mungesa e gjithanshme e kërkesës dhe vlerësimit për profesionalizëm, e zhvillimit profesional dhe e trajnimeve të cilësisë, mungesa e llogaridhënies dhe e matjes adekuate të performancës, janë vetëm disa nga ato që mund t’i përmendim. Të gjitha këto probleme e sfida luajnë rol tek humbja e besimit në institucione e veçanërisht në procesin e rekrutimit dhe punësimit në sektorin publik. Një administratë joefikase shkakton ngecje më pastaj në ofrimin e shërbimeve publike për nga cilësia, për nga sasia, shkakton gjithashtu edhe ngecje në zhvillimin e proceseve të reformave në sektorët e tjerë.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë hapa konkretë për të adresuar sfidat dhe problemet me të cilat përballet administrata, por edhe qytetarët kur kanë nevojë të kenë ndërveprim me të.
Aspekti i parë ka të bëjë me strategji. Plani për zhvillim kombëtar, bashkimi i tri strategjive për administratë publike në një të vetme dhe hartimi i saj për periudhën 2022-2027, hartimi i strategjisë për e-qeverisje, hartimi i strategjisë për siguri kibernetike, janë ndër të tjera veprime esenciale të cilët tashmë i kemi ndërmarrë.
Aspekti i dytë ka të bëjë me legjislacionin. Ministria e Punëve të Brendshme ka rishikuar rrënjësisht ligjin për zyrtarët publikë dhe ka hartuar nga fillimi ligjin për paga në sektorin publik, për t’iu përshtatur aktvendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Përveç aktvendimit, arsye tjetër po aq e vlefshme për rishikimin e hollësishëm të ligjit për zyrtarët publikë janë problemet e shumta të hasura në zbatimin e tij nga institucionet e Republikës së Kosovës. Me këtë ligj ne synojmë ta departizojmë administratën publike, ta profesionalizojmë atë dhe të sigurohemi që po funksionon bazuar në parimet të cilat porsa i përmenda. Por dhe me një dinamikë tjetërfare nga ajo që kemi parë deri më tash. Problemet nuk janë vetëm çështje të natyrës apo llojit, por janë edhe probleme të shkallës apo shpejtësisë.
Ndërsa sa i përket ligjit për paga në sektorin publik, Ministria e Punëve të Brendshme ka përfunduar tashmë hartimin e tij pas një pune voluminoze, të studiuar në detaje dhe të konsultuar me të gjitha palët. Me këtë projektligj ne do të krijojmë më në fund një sistem të unifikuar të pagave dhe do të eliminojmë pabarazitë, keqpërdorimet, hapësirën për institucione apo individë të caktuar për keqpërdorime, shtesa a kompensime në mënyrë arbitrare për të rritur paga njëanshëm siç ka ndodhur në shumë raste në të kaluarën. Pra qasja jonë do të jetë holistike. Nuk duhet të bëjmë asgjë me pjesën, pa e pasur parasysh tërësinë. E në ndërkohë tërësia e konsideron secilën pjesë të rëndësishme.
Jemi kujdesur që përmes këtyre dy projektligjeve t’i hapim rrugë profesionalizimit të administratës publike përmes promovimit të vlerësimit të punës jo të përkatësive individuale, tërheqjen dhe mbajtjen e burimeve njerëzore të vlefshme për administratën tonë duke shpërblyer punën dhe kontributin për zhvillimin e shtetit dhe jo emra të përveçëm apo pozita të caktuara. Përmes kësaj reforme po e hapim administratën për mërgatën tonë, promovimin e talenteve përbrenda administratës dhe ndërveprimet me sektorin privat në mënyrë që përvojat e marra të mund të ndahen edhe me sektorin publik. Gjatë viteve të fundit ne kemi parë shumë njerëz duke kaluar nga sektori publik në sektorin privat por jemi shumë të interesuar që në muajt e në vitet në vijim sa më shumë njerëz të zotë nga sektori privat po ashtu të kyçen në sektorin publik, në shtetndërtimin demokratik e në zhvillimin socio-ekonomik të vendit.
Zbatimi i këtyre dy ligjeve do të rezultojë në përmirësimin e funksionimit të administratës dhe të shërbimeve që marrin qytetarët dhe bizneset.
Të nderuar pjesëmarrës, digjitalizimi i shërbimeve publike dhe procedurave administrative është prioritet i yni. Siç e keni parë, këtë javë Republika e Kosovës është vlerësuar në fushën e digjitalizimit të qeverisjes duke u ngritur nga kategoria C në kategorinë B, në indeksin e Bankës Botërore të Maturitetit të Teknologjisë në Qeveri. Tani Kosova është në mesin e vendeve me fokus të konsiderueshëm në qeverisje digjitale. E qeverisja digjitale është ajo që na mundëson edhe llogaridhënien e zyrtarëve, na e mundëson në mënyrë të panjohur më herët edhe transparencën e proceseve, por edhe efikasitetin e shërbimeve, ndërkaq në sektorin privat është vendimtar për rritjen e produktivitetit dhe të efiçiencës së bizneseve tona.
Për ta realizuar synimin tonë për digjitalizim të tërësishëm në kushtet më të mira, ne jemi duke u kujdesur që krahas digjitalizimit të ofrojmë sigurinë e mjaftueshme përmes ngritjes së kapaciteteve në fushën e sigurisë kibernetike. Pra avancimi në digjitalizim nuk ka kuptim nëse nuk është fuqizim i sigurisë kibernetike. Meqenëse një ngritje bëhet e qëndrueshme atëherë kur ruhet e kur mbrohet, e me këtë aspekt ruajtja e mbrojtja e ka emrin siguri kibernetike.
Më lejoni që t’i falënderoj të gjithë partnerët që janë duke na përkrahur për këto reforma përmes projekteve apo ekspertizave të ndryshme. Bashkëpunimi është padyshim komponentë shumë e rëndësishme në gjithë këtë proces dhe mundësi e mirë që të inspirohemi nga vende të ndryshme.
Ne jemi të përkushtuar për të siguruar me gjithë çfarë mundemi e dimë, sa më shumë punë dhe drejtësi, administratë bashkëkohore, besnike ndaj shtetit, e shkolluar në nivele sipërore, e shkathtë, me përgjegjshmëri e me ndershmëri. Kjo është bazë e domosdoshme për t’i mbërritur synimet tona të gjithë së bashku.
Ju faleminderit të gjithëve, faleminderit ambasador, e ju dëshiroj shumë suksese në punët e mëtutjeshme.
Last modified: 22 Nëntor, 2022