Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti priti në takim Shefen e Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë 2025, znj. Nathalie Loiseau

15 Maj, 2025

Prishtinë, 15 maj 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Shefen e Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë 2025, znj. Nathalie Loiseau.

Gjatë takimit, znj. Loiseau i dorëzoi kryeministrit raportin përfundimtar të misionit mbi zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt 2025.

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për angazhimin e Misionit të BE-së në mbikëqyrjen e procesit zgjedhor dhe theksoi rëndësinë e rekomandimeve të raportit për përmirësimin e mëtejshëm të proceseve demokratike në vend. Gjatë diskutimit, ai ngriti disa çështje me rëndësi që lidhen me procesin zgjedhor, përfshirë:

-mungesën e verifikimit nga gazetarët hulumtues profesionistë të realizueshmërisë së premtimeve të dhëna gjatë fushatës zgjedhore nga përfaqësues të partive politike, veçanërisht nga kandidatët për kryeministër, të cilat rrezikojnë të cenojnë besimin e qytetarëve dhe dëmtojnë demokracinë; -financimin e fushatave zgjedhore të partive politike, duke theksuar nevojën për transparencë të plotë të burimeve të financimit dhe kontributeve të marra gjatë fushatës; dhe
-stërgjatjen e numërimit të votave.

Theks të veçantë, kryeministri i dha konstatimit të Misionit për ndërhyrje të jashtme në procesin zgjedhor, i cili ndër të tjera ka evidentuar përhapjen e dezinformatave nga mediat ruse me bazë në Serbi, si “RT Balkans” dhe “Sputnik Srbija” që kanë shpërndarë mbi 60 artikuj me synim manipulimin e komunitetit serb në Kosovë. Këto përpjekje për dezinformim përbëjnë një kërcënim serioz për integritetin e zgjedhjeve dhe stabilitetin demokratik të vendit.

Në këtë takim, si konstatim i përbashkët, u vlerësua lartë sjella e qytetarëve përgjatë procesit zgjedhor dhe niveli i lartë i demokracisë pa incidente.

Kryeministri Kurti riafirmoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të adresuar rekomandimet e raportit.

Last modified: 15 Maj, 2025

Comments are closed.