Prishtinë, 6 janar 2023
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Sekretarin e shtetit në hije për Çështjet e Jashtme, Komonuelth dhe Zhvillim, David Lammy.
Në bashkëbisedimin e ngrohtë, kujtuan zhvillimet e vitit 1999 dhe rolin vendimtar të Britanisë së Madhe në çlirimin e Kosovës nën drejtimin e laburistëve Tony Blair dhe Robin Cook. Kryeministri e falënderoi z. Lammy për kontributin e vazhdueshëm të Britanisë së Madhe ndaj Kosovës.
Në këtë takim, Kryeministri Kurti theksoi progresin në Kosovë, duke përmendur faktin që përkundër krizës botërore me pandeminë COVID-19 dhe krizën energjetike, ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje të konsiderueshme. Së bashku me përmirësimet në indekset e demokracisë dhe sundimin e ligjit që renditin Kosovën të parën në Ballkanin Perëndimor, Kosova është vend ideal për investime për kompanitë nga Britania e Madhe që kërkojnë near-shoring, theksoi Kryeministri.
Kryeministri Kurti veçoi mundësitë për rritjen e shkëmbimit tregtar mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe, si dhe investimet në sektorin energjisë.
Ndërsa z. Lammy ofroi bashkëpunimin e tij, ai theksoi nevojën e identifikimit sa më shumë fusha të bashkëpunimit dhe partneritetit në mes të dy vendeve, ashtu që Britania e Madhe të mund të ndihmojë sa më shumë Kosovën.
Në takim u diskutua edhe për çështjet aktuale, duke përfshirë dialogun dhe nevojën për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, si dhe çështjet e sigurisë.
Kryeministri Kurti, theksoi nevojën për rritjen e bashkëpunimit mes institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe Britanisë së Madhe në luftimin e akterëve malinj që synojnë destabilitetin e Kosovës dhe rajonit.
Last modified: 6 Janar, 2023