Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti priti në takim Përfaqësuesin Special të Norvegjisë, Arne Sannes Bjørnstad

17 Tetor, 2022

Prishtinë, 17 tetor 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti sot në takim Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Arne Sannes Bjørnstad, shoqëruar nga ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grøndahl.

Duke i uruar mirëseardhje në Kosovë, kryeministri Kurti fillimisht foli për punën dhe arritjet e Qeverisë, sfidat e qeverisjes dhe përballjen me to. Krahas qeverisjes së mirë, ai veçoi indikatorët ekonomikë të cilët tregojnë për rritje të eksporteve për 29.5% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, për rritje të Investimeve të Huaja Direkte për 47% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar dhe rritje ekonomike për 4.9% në tre mujorin e parë të këtij vitit pasi të zbritet inflacioni.

Kryeministri Kurti u shpreh se fokusi është te menaxhimi i krizës energjetike teksa foli për masat e ndërmarra deri tani që përfshijnë subvencionimin e konsumit të energjisë elektrike për qytetarët dhe masat për eficiencën e energjisë elektrike.

Në prag të Samitit të Berlinit, kryeministri Kurti tha se shpreson për një rifillim të Procesit të Berlinit nën udhëheqjen e kancelarit gjerman, Scholz që do të sillte tregun e përbashkët rajonal dhe BE-në si vlerë dhe mekanizëm brenda gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë takimit u bisedua për raportet e mira dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë dhe rolit mbështetës të rëndësishëm të Norvegjisë në zhvillimin e Kosovës dhe synimet integruese euro-atlantike të Kosovës.

Me Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Bjørnstad u diskutua edhe për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përmes gatishmërisë për takime, vullnetit për marrëveshje dhe propozimeve konkrete, Republika e Kosovës është treguar se është palë konstruktive në procesin e dialogut drejt marrëveshjes ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke, u shpreh kryeministri Kurti.

Last modified: 17 Tetor, 2022

Comments are closed.

×