Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti priti në takim ish të burgosurit politikë të Kosovës

9 Prill, 2024

Prishtinë, 9 prill 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në një takim të përzemërt në Kryeministri ish të burgosurit politikë të Kosovës, të cilët ishin mbajtur në burgjet serbe edhe gjatë luftës në Kosovë. Duke kthyer në kujtesë periudhën e përbashkët të kaluar si të burgosur politik, në këtë bashkëbisedim u fol në veҫanti për torturat e tmerrshme dhe dhunën sistematike që ushtrohej në burgjet serbe ndaj të burgosurve politikë shqiptarë.

Rikujtuan ngjarjet e qershorit 1999, kur forcat serbe u tërhoqën nga Kosova më 10 qershor, dhe kur mbi dy mijë shqiptarë u transferuan në burgjet në Serbi.

Biseduan për këtë periudhë ndërmjet qershorit e korrikut 1999, kur konsideroheshin të zhdukur, pasi familjet e tyre nuk kishin asnjë informatë për vendndodhjen apo fatin e tyre.

Ish të burgosurit politikë evokuan edhe kujtimet për shokët e burgut të cilët nuk jetojnë më dhe për ata që nuk ishin në takimin e sotëm.

Në takimin e përbashkët me Drejtorin e Institutit për Krimet e Kryera gjatë luftës, u diskutua edhe për përgjegjësinë institucionale e shoqërore për ruajtjen e memories kolektive dhe dokumentimin e krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës 1998-99, si dhe domosdoshmërinë e angazhimit të sistemit të drejtësisë.

Last modified: 9 Prill, 2024

Comments are closed.

×