Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti priti në takim deputetin shtetëror të Bosnjë dhe Hercegovinës, Shemsedin Mehmetoviq

17 Shkurt, 2023

 

Prishtinë, 17 shkurt 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, takuan sot deputetin shtetëror të Bosnjë dhe Hercegovinës, njëherësh një nga themeluesit e partisë politike SDA, Shemsedin Mehmetoviq.

Me z. Mehmetoviq u diskutua për zhvillimet në rajon, rreziqet prej të cilave kanoset Ballkani Perëndimor, sidomos pas agresionit dhe invazionit rus në Ukrainë i cili tashmë po mbush një vit, dhe për rolin destruktiv të Beogradit zyrtar në rajon që buron nga mosdistancimi i tij nga Millosheviqi dhe Putini.

Ndër të tjerash, Kryeministrin Kurti e njoftoi atë se së fundmi, më saktësisht në mbledhjen e 127-të Qeverisë, Kosova ka miratuar tri marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime, për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale të Mjekëve, Stomatologëve dhe Arkitektëve dhe Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë, në tërë Ballkanin Perëndimor. Këto marrëveshje do të mundësojnë që qytetarët e Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës të mund të udhëtojnë lirshëm në drejtim të njëra-tjetrës pa pasur nevojë për viza, dhe vetëm me letërnjoftime.

Ata diskutuan për përfitimet që këto marrëveshje do të sjellin për qytetarët e dy vendeve dhe për ndikimin pozitiv në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bosnje dhe Hercegovinës.

Gjithashtu folën për nevojën për angazhim të mëtejmë në rrafshin e bashkëpunimit rajonal dhe për gjetjen e zgjidhjeve për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me rajonin.

Last modified: 17 Shkurt, 2023

Comments are closed.

×