Prishtinë, 5 prill 2023
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Ambasadorin e Bullgarisë në Kosovë, Hristo Gudjev dhe Ambasadorin e Bullgarisë në Maqedoninë e Veriut, Angel Angelov.
Ai falënderoi dy ambasadorët për vizitën e tyre dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë ndaj Kosovës. Ndërkohë që i njoftoi për punën e qeverisë, e cila muajin e kaluar mbushi dy vjet që nga formimi i saj, rezultatet në sundimin e ligjit, përmirësimet në indikatorët demokratikë, dhe për progresin ekonomik, me theks te eksportet, që këtë vit për herë të parë pritet të kalojnë vlerën prej 1 miliard euro.
Gjatë takimit, u bisedua për marrëdhëniet e afërta ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë dhe për mundësitë e reja për thellimin e zgjerimin e tyre, sidomos në fushën e ekonomisë, shkëmbimit tregtar, atë të kulturës si dhe të mbrojtjes dhe sigurisë.
Krahas zhvillimeve në rajon, u diskutua edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për Marrëveshjen Bazë të 27 shkurtit në Bruksel dhe aneksin e zbatimit të saj, sipas dakordimit të 18 marsit në Ohër, si dhe për takimin e djeshëm në Bruksel në nivel kryenegociatorësh, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Ambasadorët Gudjev dhe Angelov shprehën gatishmërinë e tyre për rritjen e bashkëpunimit dhe ndërveprimit mes Bullgarisë dhe Kosovës si dhe dhanë mbështetjen ndaj Kosovës në rrugën e saj euro-atlantike.
Last modified: 5 Prill, 2023