Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti priti në takim ambasadoren McKee

5 Dhjetor, 2022

Prishtinë, 5 dhjetor 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Ndihmës Administratoren për Evropë dhe Euroazi në USAID, ambasadoren Erin E. McKee.

Qeveria e Republikës së Kosovës ndanë vlera, orientime dhe interesa të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha Kryeministri Kurti. Ai shtoi se me popullin amerikan ndajmë bindjet e fuqishme të përbashkëta për liri, drejtësi dhe demokraci.

Duke theksuar partneritetin e fuqishëm ndërmjet Republikës së Kosovës dhe ShBA-ve, u bisedua për mundësitë e zgjerimit të lidhjeve dhe thellimit të bashkëpunimit, në shërbim të të dy vendeve dhe të dy popujve mbi bazën e vlerave dhe bindjeve që ndajmë.

Në takimin e përbashkët me Ambasadorin e ShBA-ve, Jeffrey Hovenier, Lisa Magno nga USAID për Evropë dhe Euroazi, si dhe Zeinah Salahi, drejtore e USAID në Kosovë, u bisedua për projektet e USAID-it të cilat po gjejnë zbatim në vendin tonë, si dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit. Së bashku me Zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, u bisedua për përparimin e shënuar në fushat si ajo e drejtësisë, ekonomisë, demokracisë, energjisë dhe qeverisjes.

Kryeministri Kurti e njoftoi ambasadoren McKee me indikatorët më të fundit ekonomikë e demokratikë, për përparimin në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit, reformat e deritanishme dhe të mëtejshme në sistemin e drejtësisë dhe kornizën ligjore, qeverisjen e mirë dhe planet e Qeverisë për investime në sektorin e energjisë.

U ritheksua mirënjohja për ndihmën e USAID-it për Kosovën, që deri më sot kap vlerën mbi 1 miliard dollarë, e që përshkon secilën fazë të historisë sonë të re si shtet dhe secilin sektorë të zhvillimit të vendit tonë.

Last modified: 5 Dhjetor, 2022

Comments are closed.

×