Samos, Greqi, 30 qershor 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, po merr pjesë në edicionin e 26-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, që mbahet në Greqi e ku po marrin pjesë politikanë progresistë, akademikë të shquar dhe udhëheqës organizatash ndërkombëtare.
Në fjalën e tij në ceremoninë dhe panelin hapës të simpoziumit, ai potencoi që bota ndodhet përballë tre sfidave globale të një niveli të paprecedent: ndryshimet klimatike, pabarazia shoqërore dhe kërcënimet e sigurisë. Duke vënë theksin te pabarazia shoqërore, ai iu referua një studimi të vitit të kaluar të organizatës ndërkombëtare Oxfam sipas së cilës top 1 përqindëshi i më të pasurve posedon 45.6% të pasurisë globale dhe 59% të të gjitha aseteve financiare në botë. Sipas së njëjtës organizatë, në dekadën e fundit, ky 1% ka vënë në zotërim më shumë se gjysmën e të gjithë pasurisë së re globale.
“Për aq kohë sa 1% i më të pasurve zotërojnë gjysmën e pasurisë globale, kam drojë që nuk do të ketë paqe të vërtetë ndërmjet shoqërive dhe njerëzve dhe as me natyrën e planetit tonë”, tha kryeministri Kurti.
Ai foli për rëndësinë e rikthimit dhe ruajtjes së domethënies por edhe konkretizimit të ideve të mëdha të lirisë, barazisë, demokracisë dhe drejtësisë dhe për nevojën për të fituar zgjedhje demokratike në mënyrë që të ketë qeverisje demokratike. Kryeministri nënvizoi se një gjë e tillë nuk ka qenë më shumë e rëndësishme se sot, në 80 vjetët e fundit, qysh prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Me pabarazinë gjithmonë e në rritje, gjasat për diktatura dhe fashizëm janë po ashtu në ngritje, tha ai. Në këtë kontekst, kryeministri bëri thirrje për solidaritet më të madh për organizim më të mirë, fitore më të shumta demokratike dhe qeverisje më të gjata të progresistëve e socialdemokratëve, duke mos harruar që demokratët ndihen të kërcënuar nga lufta, kurse autokratët nga paqja.
“Paqja që na duhet është një paqe demokratike dhe demokracia që na duhet është socialdemokracia”, përfundoi fjalën e tij kryeministri Kurti.
Simpoziumi Ndërkombëtar SYMI është themeluar nga ish-Kryeministri i Greqisë, George Papandreou dhe organizohet në baza vjetore. Edicioni i këtij viti titullohet “Hyni në të ardhmen – Prometheu i lirë: Fuqia e riimagjinuar për një Demos të Paqes, Barazisë dhe Qëndrueshmërisë” (Eng: Step into the Future: “Prometheus Unbound: Power Re-imagined for a Demos of Peace, Equity and Sustainability”).
Fjala e plotë në anglisht e Kryeministrit Kurti:
Të nderuar mysafirë të dalluar, pjesëmarrës të SYMI,
Zonja dhe Zotërinj,
Është kënaqësi të rikthehem në SYMI, me një temë kaq të qëlluar e që nuk na shqitet.
Siç e dimë, Prometeu simbolizon kërkimin e pandërprerë për dije, përndritje dhe sfidim të tiranisë. Prometeu është më së shumti i famshëm për vjedhjen e zjarrit nga perënditë në Malin Olimp dhe dhënien e tij njerëzve. Ky veprim bëri që Zeusi, mbreti i perëndive, ta ndëshkonte Prometeun duke e lidhur atë në një shkëmb ku një shqiponjë do t’ia hante mëlçinë çdo ditë. Duke qenë se Prometeu ishte i pavdekshëm, mëlçia e tij do të rigjenerohej çdo natë, duke e bërë dënimin e tij të përjetshëm. Ky ishte një veprim pa interes personal dhe një akt heroik i sakrificës së madhe për përfitimin e njerëzimit.
Andaj, është kënaqësi të kalojmë disa ditë këtu në Ishullin Samos, duke menduar dhe diskutuar së bashku, se cili duhet të jetë zjarri që ne sot duhet të vjedhim për t’ia shpërndarë njerëzve për t’i fuqizuar ata, cila është mëlçia e shekullit XXI që rigjenerohet përjetësisht dhe cilët janë ata zinxhirë që duhet të thyhen.
Të dashur miq,
Ne përballemi me sfida botërore të një shkalle të paparë, besoj në tri fronte kryesore: ndryshimet klimatike, pabarazinë shoqërore dhe kërcënimet e sigurisë. Le të përqendrohem sonte pak vetëm në pabarazinë shoqërore. Vitin e kaluar, Oxfam vuri në dukje se 1 përqindëshi më i pasur i njerëzimit zotëron 45.6 përqind të pasurisë globale dhe 59 përqind të të gjitha aseteve financiare globale. Gjithashtu vuri në dukje se gjatë 10 vjetëve të fundit, 1 përqindëshi më i pasur i njerëzimit ka kapur më shumë se gjysmën e pasurisë së re globale dhe se brenda një dekade, bota do të ketë trilionerin e saj të parë. Për sa kohë që 1 përqindëshi më i pasur zotëron gjysmën e pasurisë globale, kam drojë se nuk do të ketë paqe të vërtetë midis shoqërive dhe njerëzve as me natyrën e planetit tonë.
Leszek Kolakowski na ka paralajmëruar se mohimi i majtistëve duhet të vendoset në nivelin e mendimit praktik, jo vetëm në atë të protestës morale. Ne duhet t’ua rikthejmë kuptimin e vërtetë dhe konkret ideve të mëdha të lirisë dhe barazisë, demokracisë dhe drejtësisë, dhe t’i kthejmë ato në programe me projekte dhe aktivitete për të konkurruar me to dhe luftuar për to. Ne duhet të fitojmë zgjedhjet demokratike për të arritur qeverisje demokratike, në mënyrë që të fitojmë përsëri në mënyrë demokratike dhe të vazhdojmë të qeverisim njësoj. Sipas mendimit tim, kjo nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme se tani, që nga fundi i Luftërave Botërore, 80 vjet më parë.
Me pabarazinë që po rritet gjithnjë e më shumë, rriten edhe shanset për diktatura dhe fashizëm. Progresistët dhe socialistët, sindikatat e punës dhe lëvizjet e grave, socialdemokratët, e kuptojnë dhe e dinë këtë më së miri; andaj, ata duhet të marrin të gjithë mbështetjen në zgjedhjet demokratike dhe në betejat e tjera të kohës sonë. Sigurisht, duke filluar nga sot në Francë dhe të enjten e ardhshme në Mbretërinë e Bashkuar.
Le të rrisim solidaritetin tonë për t’u organizuar më mirë, për të fituar më shumë dhe për të qeverisur më gjatë, pa harruar kurrë se, ashtu si ne demokratët ndihemi të kërcënuar nga lufta, autokratët ndihen të kërcënuar nga paqja. Paqja që na nevojitet është një paqe demokratike dhe demokracia që na duhet është demokracia sociale.
Ju falemnderit.
Last modified: 4 Korrik, 2024