Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti përkujtoi masakrën e Dyzit

18 Prill, 2024

 

Dyz, Podujevë, 18 prill 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pas homazheve me rastin e Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës, sot ka bërë homazhe edhe në Dyz të Podujevës. Në 25- vjetorin e masakrës së kryer nga forcat e armatosura të Serbisë, atje përkujtoi mbi 200 vrarët.

“Forcat e Serbisë këtu në trevat e Gollakut e të Llapit, në Dyz e në Koliq, kanë vra mbi 200 civilë të paarmatosur, të pambrojtur, pa i kursyer moshat e shtyra apo fëmijët e vegjël. Sot e kësaj dite ndonëse e kemi lirinë, pavarësinë, shtetin e demokracinë, nuk e kemi edhe drejtësinë për këto humbje të tmerrshme që i ka përjetuar populli e në veçanti familjet”, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti tha se e vërteta e plotë ndodhet në arkivat në Beograd, të ushtrisë e të policisë atje. Ai ritheksoi nevojën për drejtësi dhe thirrjen ndaj prokurorisë dhe gjyqësorit tonë për të intervistuar dëshmitarët, për të grumbulluar evidencat materiale e për të filluar me aktakuza, gjykime e dënime në mungesë.

“Ne nuk duhet të harrojmë që edhe lirinë që e gëzojmë, por edhe përgjegjësitë që i kemi në shtet i kanë rrënjët tek gjaku i dëshmorëve që nuk shlyhet dhe te emrat e tyre që nuk harrohen, sepse i përkasin historisë së popullit tonë tashmë”, përfundoi Kryeministri, duke nderuar dëshmorët e martirët e rënë heroikisht në Dyz, Llap e Gollak, dhe anembanë Kosovës.

Në këto homazhe Kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës si dhe përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale.

Deklarimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Para 25 vjetëve, teksa e zbatonte projektin gjenocidal për shfarosjen e shqiptarëve, forcat e Serbisë këtu në trevat e Gollakut e të Llapit, në Dyz e në Koliq, kanë vrarë mbi 200 civil të paarmatosur, të pambrojtur, pa i kursyer moshat e shtyra apo fëmijët e vegjël. Sot e kësaj dite ndonëse e kemi lirinë, pavarësinë, shtetin e demokracinë, nuk e kemi edhe drejtësinë për këto humbje të tmerrshme që i ka përjetuar populli e në veçanti familjet, dhe për këto plagë të hapura të cilat vazhdojnë të kullojnë meqenëse edhe urdhërdhënësit edhe ekzekutorët nuk u përballen asnjëherë me drejtësi.

36 varre janë këtu në Dyz, por gjithsej janë mbi 200, sepse para 25 vjetëve në mes të prillit, banorët e këtyre trevave përpiqeshin që të gjenin rrugën e shpëtimit edhe në fshatra si Makoc, Llukar, Grashticë, Dyz e Koliq, domethënë këtu kanë qenë vendet në të cilat janë përpjekur të shpëtojnë, por ata kanë qenë të ndjekur prej forcave të cilët nuk kanë pasur dilema mbi vrasjen e shqiptarëve. Të vetmet dilema i kanë pasur se si t’i zhdukin gjurmët e krimit, si t’i zhdukin kufomat dhe në këtë mënyrë të mos merret vesh ai krim.

E vërteta dihet. E vërteta e plotë ndodhet në arkivat në Beograd, të ushtrisë e të policisë atje. Por neve na nevojitet drejtësia dhe për këtë i bëj thirrje edhe njëherë Prokurorisë dhe gjyqësorit tek ne, që të bëjnë gjithçka munden e dinë, të intervistojnë të gjithë dëshmitarët, të grumbullojnë evidencat materiale dhe të fillohet me aktakuza, me gjykime e me dënime në mungesë për të vrarët në këtë rajon.

Sepse ne nuk duhet të harrojmë që edhe lirinë që e gëzojmë, por edhe përgjegjësitë që i kemi në shtet i kanë rrënjët tek gjaku i dëshmorëve që nuk shlyhet dhe te emrat e tyre që nuk harrohen, sepse i përkasin historisë së popullit tonë tashmë.

Lavdi gjithë dëshmorëve e martirëve, këtu në Dyz, në Llap e në Gollak dhe anembanë Kosovës që ranë heroikisht para një çerekshekulli!

Last modified: 18 Prill, 2024

Comments are closed.