Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti për komunitetin turk:  Është element thelbësor i urës së fuqishme midis Kosovës e Turqisë

20 Korrik, 2022

 

Prishtinë, 20 korrik 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në takimin me temën “Vlerësimi i gjendjes aktuale të komunitetit turk në Kosovë’’, për të diskutuar çështje të ndryshme të këtij komuniteti në Republikën e Kosovës, sfidat me të cilat përballen ata, shqetësimet e tyre, por edhe idetë e modalitetet në tejkalimin e këtyre pengesave.

Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Kurti vlerësoi lart kontributin e komunitetit turk në Republikën e Kosovës për zhvillimin, demokratizimin, por gjithashtu edhe për pavarësimin e Republikës së Kosovës.

‘’Ne e dimë që edhe para luftës e pas luftës por edhe para shpalljes së pavarësisë e pas shpalljes së pavarësisë raportet tona ndërnjerëzore, qytetare, politike kanë qenë gjithmonë të larta’’, tha ai.

Kryeministri u shpreh i bindur se mund të bëjmë më shumë dhe mund të bëjmë më mirë duke evidentuar pengesat, vështirësitë, sfidat që i kemi dhe duke i tejkaluar së bashku me vullnet qytetarë e shoqërorë në njërën anë por edhe në anën tjetër me angazhim e përgjegjësi institucionale.

Duke folur për lidhjen mes Kosovës e Turqisë dhe raportet mes tyre, kryeministri veçoi se asnjëherë nuk duam që në lidhjen e Kosovës me Turqinë të mos merr pjesë komuniteti turk i cili është element thelbësor i urës së fuqishme midis dy vendeve tona.

Në këtë takim e pranishme ishte edhe zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, znj. Emilija Redžepi, e cila e falënderoi kryeministrin Kurti për mbështetjen që i ka dhënë lidhur me të drejtat e njeriut dhe komuniteteve, pa asnjë dallim.

Gjatë takimit, u fol për çështje të ndryshme me rëndësi për komunitetin turk. Të pranishmit e falënderuan kryeministrin Kurti për gjithë çfarë ai ka bërë dhe po bën për komunitetin turk.

Fjala e plotë e kryeministri Kurti:

Faleminderit shumë zëvendëskryeministre Rexhepi

Të nderuar pjesëmarrës,

Është kënaqësi dhe nder që jemi sot bashkë për të diskutuar për çështje të ndryshme të komunitetit turk në Republikën e Kosovës e i cili ka dhënë shumë kontribut për zhvillimin, për demokratizimin, por gjithashtu edhe për pavarësimin e Republikës së Kosovës.

Ne e dimë që edhe para luftës e pas luftës por edhe para shpalljes së pavarësisë e pas shpalljes së pavarësisë raportet tona ndërnjerëzore, qytetare, politike kanë qenë gjithmonë të larta. Por jemi të bindur që mund të bëjmë më shumë dhe mund të bëjmë më mirë duke evidentuar pengesat, vështirësitë, sfidat që i kemi dhe duke i tejkaluar së bashku me vullnet qytetarë e shoqërorë në njërën anë por edhe në anën tjetër me angazhim e përgjegjësi institucionale. Kur shoqëria dhe institucionet bëhen bashkë atëherë nuk ka pengesë që është e pa tejkalueshme, madje para se t’i tejkalojmë pengesat, pengesat t’i identifikojmë si sfida të cilët na bëjnë edhe më të fuqishëm për periudhën që vjen sepse nëpër sfida fundja edhe secili prej neve edhe individualisht edhe kolektivisht kalitemi që të bëhemi më të fuqishëm për rrugën e mirë e të drejtë përpara.

Unë gjithashtu ju falënderoj dhe si kryeministër i Republikës së Kosovës për kontributin që ju e bëni në ekonominë e vendit tonë sepse kjo shpeshherë harrohet. Përmendet kontributi në kulturë por jo edhe kontributi në ekonomi, kontributi në zejtari, kontributi në industri, kontributi në bujqësi, kontributi në prodhimtari, në tregtinë e vendit tonë dhe kontributi me tatimet që ju i paguani në buxhetin e shtetit i cili na mban të gjithë neve si institucione për të mirën e qytetarëve të Republikës.

Pra është kontribut i madh edhe në ekonominë e vendit tonë i cili duhet gjithnjë të theksohet.

Me këtë rast unë kisha dashur që në takimin e sotëm të dëgjoj më shumë prej juve, të mbaj shënime dhe të shohim se cilat janë idetë për tejkalimin e tyre, duke pas parasysh se jemi një qeveri e cila të shtunën e bënë 1/3 e mandatit të parë, e i kemi edhe 2/3 deri në zgjedhjet e ardhshme, pra kemi mjaftueshëm kohë prapa që të shohim se çfarë bëmë, po në të njëjtën kohë kemi dyfish më shumë kohë përpara që të shohim se çka mund të ndryshojmë në kuadër të këtij mandati të parë të kësaj qeverie, e cila ka dalë pas një palë zgjedhjeve historike për vendin tonë në shkurtin e vitit të kaluar.

Unë ju falënderoj nga zemra të gjithë juve dhe secilin prej jush, që keni një rol të dyfishtë edhe si qytetarë dhe qytetarë të komunitetit turk në vendin tonë, por në të njëjtën kohë edhe si urë lidhëse e Kosovës me një vend mik, aleat e partnerë siç është Republika e Turqisë.

Pra, ne asnjëherë nuk duam që në lidhjen e Kosovës me Turqinë të mos merrni pjesë ju, të mos ju kemi parasysh edhe juve, sepse jeni element thelbësor i urës së fuqishme midis dy vendeve tona.

Faleminderit.

 

 

 

 

 

Last modified: 22 Korrik, 2022

Comments are closed.