Bubavec, Malishevë, 10 korrik 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë më Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci dhe Zëvendësministrin Imri Demelezi, panë nga afër korrje-shirjen e grurit të fermerit Asman Kryeziu, në Bubavec të Malishevës.
Teksa vlerësoi punën e fermerit, përmes të cilit djerrina me gurë janë bërë tashmë arë me grurë, kryeministri theksoi se kjo është edhe në funksion të programit tonë që bukën e motmotit ta kemi tonën, pra buka jonë, në sofrën tonë, nga toka jonë.
Tutje, ai theksoi se buxheti për Ministrinë e Bujqësisë është rreth 100 milionë euro, mbështetje e cila mundëson subvencionime e lehtësira për fermerët tanë.
“Buxheti për Ministrinë e Bujqësisë është rreth 100 milionë euro, siç edhe kemi premtuar, dhe tash në njërën anë subvencionojmë edhe naftën, edhe plehun, edhe rendimentin me katër cent, këtë të fundit për kilogram, e në anën tjetër edhe i kemi zvogëluar jashtëzakonisht shumë dokumentet që i nevojiten bujkut tonë për të aplikuar për subvencione”, u shpreh kryeministri Kurti.
Në përfundim, kryeministri Kurti tha se me prodhimtarinë e shtuar prej 140 mijë deri në 150 mijë ton grurë, do ta mbulojmë e tejkalojmë importin që e kemi patur prej 139 mijë ton grurë në vitin e kaluar, si dhe ritheksoi përkushtimin e Qeverisë për mbështetjen e bujqve anembanë Kosovës.
Prononcimi i plotë i Kryeministrit Kurti:
E vizituam fermerin e suksesshëm dhe punëtor Asman Kryeziun, bashkë me Ministrin Faton Pecin dhe zëvendësin e tij Imri Demelezin, me ç’rast pamë korrje-shirjen e grurit në një vend që ka qenë djerrinë e prej së cilës paraprakisht janë nxjerrë 260 metra kub gurë. Siç e tha edhe fermeri Asman Kryeziu, djerrina me gurë është bërë arë me grurë dhe është në funksion të programit tonë që bukën e motmotit ta kemi tonën, pra buka jonë, në sofrën tonë, nga toka jonë.
Buxheti për Ministrinë e Bujqësisë është rreth 100 milionë euro, siç edhe kemi premtuar, dhe tash në njërën anë subvencionojmë edhe naftën, edhe plehun, edhe rendimentin me katër cent, këtë të fundit për kilogram, e në anën tjetër edhe i kemi zvogëluar jashtëzakonisht shumë dokumentet që i nevojiten bujkut tonë për të aplikuar për subvencione. Madje ka raste kur nga tri javë, aplikimi është shkurtuar në vetëm 30 minuta. Do të vazhdojmë me këto punë të mira, aq më tepër që ky duket të jetë viti me të cilën me prodhimtarinë e shtuar prej 140 mijë deri në 150 mijë ton grurë, do ta mbulojmë e tejkalojmë importin që e kemi patur prej 139 mijë ton grurë në vitin e kaluar.
E falënderoj familjen Kryeziu, Ministrin Faton Peci, deputetin Gani Krasniqi, Zëvendësministrin Imri Demelezi, dhe le t’ju qëndrojmë bashkë bujqve të këtillë sikurse Asman Kryeziu, jo vetëm këtu në Malishevë, por anembanë Kosovës.
Last modified: 10 Korrik, 2024