Vjenë, 12 nëntor 2023
Në kryeqendrën e Austrisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë sonte në ceremoninë hapëse të edicionin jubilar të 20-të të Forumit Ekonomik të Vjenës.
Para të pranishmëve, në fjalën e tij përshëndetëse, ai u shpreh shumë i nderuar të qëndrojë para tyre, në këtë ngjarje, të bashkuar nga një vizion të përbashkët për prosperitetin e rajonit tonë.
Kryeministri Kurti tha se në kohë si këto bota është e mbushur me skena konflikti, ky organizim bëhet edhe më i rëndësishëm, sepse ai nënvizon domosdoshmërinë për të qëndruar së bashku, për të folur së bashku dhe të punuar së bashku.
“Takimi ynë këtu nuk është thjesht një traditë vjetore; është një riafirmim i agjendës sonë të përbashkët përballë vështirësive. E ardhmja jonë është e ndërthurur me mirëqenien e çdo vendi të përfaqësuar në këtë sallë, të kontinentit tonë evropian dhe Bashkimit Evropian si fati ynë që ne përqafojmë, me çdo komunitet që premtojmë t’i shërbejmë dhe me frymën kolektive që mishëron ky forum” deklaroi ai.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Kryeministri Kurti shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e tij për besimin, partneritetin dhe vlerësimin e Forumit Ekonomik të Vjenës.
Fjala e plotë e Kryeminsitrit Kurti në gjuhën shqipe:
E nderuara ambasadore Kirtcheva,
I nderuar Ambasador Jakovich,
I nderuar Ambasador Marschik,
I nderuari zëvendëskryeministër Gabriel,
Të nderuar president Suver,
Të nderuar kolegë dhe partnerë të çmuar, drejtues biznesi,
Të nderuar anëtarë të Forumit Ekonomik të Vjenës,
Jam i përulur të qëndroj para jush në këtë tubim, të bashkuar nga një vizion i përbashkët për prosperitetin e rajonit tonë. Shpreh mirënjohjen time më të sinqertë për organizatorët e Forumit Ekonomik të Vjenës që na bashkuan dhe për nderin e të qenit i njohur si “Partneri i Vitit 2023”.
Reagimet e ngrohta dhe inkurajuese nga takimi ynë i fundit në Kosovë dhe Forumi Ekonomik i Vjenës, i cili u mbajt në Prishtinë në maj të këtij viti, vazhdon të na rezonojë, duke konfirmuar bindjen tonë se dialogu dhe partneriteti janë gurët kyç për të ardhmen e përbashkët të rajonit.
Në kohë si këto, kur pamja e botës është e mbushur me skena konflikti, thelbi i mbledhjes sonë bëhet edhe më i rëndësishëm. Ajo nënvizon domosdoshmërinë që ne të qëndrojmë së bashku, të flasim së bashku dhe të punojmë së bashku. Roli i forumit ekonomik bëhet jo vetëm një katalizator për zhvillimin ekonomik, por edhe një vend i shenjtë për paqen dhe një forum për ndërtimin e qëndrueshmërisë ndaj lëkundjeve që tronditin botën tonë.
Në cepin tonë të Evropës, në Ballkanin Perëndimor, ne jemi shumë të vetëdijshëm se si jehonat e konfliktit prekin jetën dhe aspiratat e njerëzve tanë. Aktet e fundit terroriste në vendin tonë, të cilat mizorisht i morën jetën një oficeri policie të përkushtuar, janë kujtues të ashpër të sfidave me të cilat përballemi. Këto nuk janë vetëm sulme ndaj Kosovës, por edhe ndaj idealeve që ne i mbajmë të dashura – bashkëjetesës paqësore, demokracisë liberale dhe shtetit të së drejtës si thelbi i shtetit tonë të begatë. Si kryeministër i Kosovës, jam i vendosur në detyrën time për të mbrojtur sigurinë e vendit tonë, për të garantuar mirëqenien e çdo qytetari dhe për të krijuar një mjedis ku prosperiteti ekonomik mund të lulëzojë i papenguar nga frika dhe i disponueshëm për të gjithë.
Ne qëndrojmë të përkushtuar për rritjen e masave të sigurisë, jo vetëm brenda kufijve të Republikës sonë, por si një përkrahës aktiv i paqes dhe sigurisë rajonale.
Takimi ynë këtu nuk është thjesht një traditë vjetore; është një riafirmim i axhendës sonë të përbashkët përballë vështirësive. E ardhmja jonë është e ndërthurur me mirëqenien e çdo vendi të përfaqësuar në këtë sallë, të kontinentit tonë evropian dhe Bashkimit Evropian si fati ynë që ne përqafojmë, me çdo komunitet që premtojmë t’i shërbejmë dhe me frymën kolektive që mishëron ky forum.
Faleminderit për besimin, partneritetin dhe njohjen tuaj.
Jam thellësisht mirënjohës.
Last modified: 13 Nëntor, 2023