Shtime, 15 janar 2023
Fjala e plotë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë përkujtimore të organizuar nga Zyra e Kryeministrit, në 24 -vjetorin e Masakrës së Reçakut.
E nderuara presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu,
I nderuari kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca,
I nderuari e shumë i dashuri ambasador William Walker,
Të dashur familjarë të të vrarëve në masakrën e Reçakut,
I dashuri Ramë, i mbijetuari i masakrës së Reçakut,
Të nderuar zëvendëskryeministra, Bislimi, Gërvalla dhe Rexhepi,
Të nderuar ministra të kabinetit qeveritar,
Deputetë të Kuvendit të Republikës, zëvendësministra, përfaqësues e drejtues të institucioneve shtetërore,
I nderuari kryetar i Komunës së Shtimes, z. Qemajl Aliu,
Shkëlqesi ambasadorë dhe përfaqësues të tjerë diplomatikë të vendeve partnere e mike në Republikën tonë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Të nderuar fëmijë e pasardhës të atyre që u vranë në Reçak,
Të nderuar veteranë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kudo në Kosovë, e posaçërisht të atyre që luftuan në këtë zonë,
Të nderuar invalidë që edhe sot e kësaj dite i mbani plagët e pasojat me vete të luftës sonë të lavdishme,
Çdo fillim të vitit në mes të janarit dhe sa herë që vijmë për vizitë dhe homazhe këtu në Reçak, përballë faqes së murit të memorialit që mbanë 45 portretet dhe emrat e viktimave civile të vrarë në fshat të Shtimes, pashmangshëm na rikthehen në kujtesë pamjet e trupave të tyre, të masakruar më 15 janar 1999 nga policia dhe forcat e Serbisë në përgjithësi. Janë ato pamje të transmetuara nga mediat botërore që atëherë edhe të shfaqura pastaj sërish e përsëri ndër shumë vite, duke u kthyer ndër imazhet përmes të cilave më së shumti neve na njohu bota demokratike dhe na njohu si vend i viktimës ku Serbia kreu krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.
Vërtetë, në kronologjinë e luftës në Kosovë, masakra e Reçakut është një nga mbi 400 masakrat e kryera nga Serbia e Sllobodan Millosheviqit mbi shqiptarët. Por në historinë e kësaj luftës sonë, kjo masakër e Reçakut ndonëse është një prej atyre mbi 400 masakrat, megjithatë është krimi i luftës që më së shumti i ka nxit ndryshimet e qëndrimeve të shteteve më të fuqishme në bashkësinë ndërkombëtare, në raport me atë se çfarë po bënte Serbia në Kosovë. E dëshmuar nga shumë media vendore dhe ndërkombëtare, si dhe e vëzhguar nga Misioni Verifikues i OSBE-së në Kosovë, masakra e Reçakut u shndërrua në një nga argumentet më të pakontestueshme dhe më të fuqishme për ndërhyrjen e NATO-s e cila do të vinte pas dy muajsh.
Për këtë, merita të veçanta i takojnë ambasadorit amerikan që kryesonte Misionin Verifikues në Kosovë të OSBE-së, diplomatit William Walker. Pasi pa trupat e ekzekutuar dhe të masakruar të 45 civilëve në Reçak, Walker pati kurajon ta përshkruante atë që pa me emrin e vërtetë, kur tha që ajo ishte “masakër dhe krim kundër njerëzimit”. Duke marrë anën e të vërtetës në një kohë ekstreme për Kosovën, ambasadori Walker i dha veprimtarisë së tij prej diplomati një vend të rëndësishëm në historinë moderne të vendit tonë.
Sot, 24 vite pas, ai po e shkruan një libër për masakrën e Reçakut dhe me të cilin besoj fuqishëm se ambasadori Walker, do të monumentalizoj në tekst përvojën e tij profesionale dhe personale në një deklaratë publike e thënë një ditë pas masakrës së Reçakut, në një dëshmi të mirëfilltë historike të rrëfyer me gjithë rrethanat dhe kontekstin e asaj kohe.
Për këtë, populli shqiptar do t’i jetë gjithmonë mirënjohës ambasadorit Walker, që në një kohë kur kishte pak zëra të cilët flisnin qartë dhe fuqishëm për Kosovën në diskursin ndërkombëtar, ai e tha të vërtetën për krimet e luftës që Serbia po i shkaktonte në Kosovë, duke folur jo thjesht me gjuhë diplomatike, por sidomos me gjuhën e një humanizmi të kulluar.
Përgjithësisht, kur e vërteta është kaq e fuqishme siç është ajo e masakrës së Reçakut, shfaqen edhe narrativa mohuese ndaj saj, sikur që ka bërë Serbia që nga dita e masakrës së Reçakut e deri sot, duke u munduar ta turbullojë dhe falsifikojë rolin e drejtpërdrejtë planifikues dhe ekzekutues të shtetit të Serbisë në realizimin e masakrës së Reçakut.
Më datën 5 dhjetor të vitit 2019, presidenti aktual i Serbisë, i cili atëbotë ishte ministër i informatave, pra vetëm para diç më shumë se sa tri vjetëve, ky president i Serbisë ka deklaruar se masakra e Reçakut është fabrikim dhe falsifikim. Ndërkaq, dy vjet më vonë, ai i cili dikur ishte zëvendëspresident i partisë së gruas së Millosheviqit, e më pas edhe ministër i punëve të brendshme, ndërkaq sot shef i inteligjencës së shtetit serb, saktësisht më datën 10 dhjetor 2021, pra në Ditën e të drejtave Universale Ndërkombëtare të Njeriut, pra 10 dhjetorin, saktësisht në këtë ditë, e përsëritë atë çka e thotë presidenti i Serbisë, falsifikim dhe fabrikim. Ata të cilët e mohojnë gjenocidin ata ëndërrojnë për përsëritjen e tij.
Por, një krim kundër njerëzimit e një gjenocid si ai që kryen forcat e Serbisë në Reçak më 15 janar, nuk mund të fshihet, nuk mund të mjegullohet dhe nuk mund të amnistohet. Duke u thirrur në dëshmitë e kohës, në deklaratat e 63 dëshmitarëve të intervistuar dhe në provat e Tribunalit të Hagës, Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar fletëarreste ndërkombëtare për 18 persona serbë që dyshohen për pjesëmarrje në kryerjen e masakrës së Reçakut.
Sot, në 24 vjetorin e masakrimit të 45 shqiptarëve nga forcat e Serbisë në Reçak, teksa kujtojmë dhe nderojmë të gjitha viktimat e vdekura dhe të gjalla të asaj kohe të errët, më lejoni që para jush, nga pozita e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, t’ju them që shteti ynë demokratik, nuk i amniston kriminelët dhe nuk i harron krimet e luftës.
Kufomat e më të dashurve tuaj e tonë, të 15 janarit 1999, u mbrojtën edhe nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, sepse ne e dimë që pasi që na i vrisnin civilët dëshironin t’i rrëmbenin kufomat. Dhe i kemi edhe 11 ushtarë të UÇK-së të vrarë duke i mbrojtur kufomat e 45 civilëve. Sot kufomat janë në mesin tonë, por siç tha edhe zonja presidente ne e luftojmë harresën dhe ne do ta mbajmë e mirëmbajmë edhe kombëtarisht edhe institucionalisht kujtesën. Nëpërmjet kujtesës ne e mbrojmë historinë tonë, vuajtjen e popullit të Kosovës.
Për drejtësinë ndërkombëtare, krimet e luftës nuk vjetërsohen asnjëherë, kurse për historinë botërore, ato janë e kaluara që duhet njohur vërtetësisht, për të nxjerrë prej saj mësimet e domosdoshme për ndërtimin e të ardhmes tonë si shoqëri e si shtet, si komb e si njerëzim.
Faleminderit ambasadori Walker, faleminderit të gjithëve.
Last modified: 15 Janar, 2023