Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti në përfundim të vizitës në Tetovë: Ta ndihmojmë e përkrahim njëri-tjetrin, për hir të njëri-tjetrit jo kundër ndokujt tjetër

11 Gusht, 2023

Tetovë, 11 gusht 2023

Gjatë vizitës zyrtare që i ka bërë sot dy komunave të Maqedonisë së Veriut, Komunës së Çairit dhe Komunës së Tetovës, kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, i shoqëruar nga kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, ka marrë pjesë në manifestimin mirëseardhës që u organizua për nder të tij, në sheshin “Iliria”.

Pasi ka falënderuar nga zemra për pritjen dashamirëse që i është bërë, kryeministri Kurti, tha se është e vështirë të gjendet një tjetër popull të paktën në Evropë, për të cilin gjeografia ka qenë kaq përcaktuese dhe e rëndësishme për historinë e tij, siç është për ne shqiptarët.

Duke përshkruar distancën ajrore mes Prishtinës dhe Tetovës, e që është vetëm 74 kilometra, por si distancë rrugore, Prishtina dhe Tetova janë larg njëra tjetrës 122 kilometra, kryeministri Kurti tha se përtej këtyre dy shifrave, ku rrugorja është gati sa dyfishja e ajrores, ka edhe një dimension të tretë, që është ai kohor.
“Duke shkurtuar rrugët, ne fitojmë kohën. Ashtu siç e përjetova unë sot, si një rrugë të shkurtër dhe që mund të shkurtohet edhe më shumë, sepse me ngazëllim dhe dëshirë erdha t’ju takoj juve sot e sonte këtu. E tash, në këtë pikë, nuk e kam fjalën për rrugët automobilistike dhe autostradat, por për rrugët më të rëndësishme që janë rrugët e bashkëpunimit dhe të bashkërendimit mes neve, mes Prishtinës dhe Shkupit dhe Tiranës, Tetovës e Gostivarit, Kumanovës e Preshevës, Shkodrës dhe Ulqinit që të jetojmë më mirë e të zhvillohemi më shumë pa dallim e pa diskriminim”, tha kryeministri.

Para shumë të pranishmëve, kryeministri Kurti tha se aleanca veri atlantike NATO-ja, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar janë platforma vlerore e cila na sjellë mbrojtje e siguri sidomos në këtë kohë kur imperializimi rus e riktheu luftën në kontinentin tonë evropian. “Maqedonia e Veriut, sa ma afër Kosovës, Shqipërisë dhe Bullgarisë, e sa ma larg Serbisë e cila nuk po distancohet as nga Millosheviqi dhe as nga Putini, aq ma afër ajo, pra aq ma afër Maqedonia e Veriut do të jetë anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe aq më i sigurt do të jetë rajoni ynë i Ballkanit. E për këtë ne duhet ta ndihmojmë e do ta përkrahim Maqedoninë e Veriut”, tha kryeministri.

Më tej, ai tha se është aty si Kryeministër i Republikës së Kosovës, në një vizitë vëllazërore me shqiptarët e trevave të Maqedonisë së Veriut, fqinjit tonë të mirë dhe vendit mik që na ka njohur si shtet neve Republikën e pavarur të Kosovës që në krye të herës dhe me të cilin kemi aq shumë shkëmbime në të gjitha fushat dhe marrëdhënie të mira ndërshtetërore.

“Ne shqiptarët kudo që jetojmë, në Ballkan apo nëpër mërgatë, duhet të punojmë për më shumë demokraci e liri, drejtësi e mirëqenie. Ta ndihmojmë e përkrahim njëri-tjetrin, për hir të njëri-tjetrit jo kundër ndokujt tjetër. Dhe ne ia kemi dëshmuar edhe vetës edhe të tjerëve këtë, si gjatë gjithë historisë ashtu edhe para dy dekadash, kur mijëra shqiptarë nga Kosova të dëbuar gjatë luftës më 1999 nga gjenocidi, u strehuan nga vëllezërit e motrat e tyre shqiptarë të të gjitha këtyre anëve”, tha ai, duke shtuar se gjuha që e flasim, pra shqipja jonë, e kaluara e përbashkët, pra historia jonë, dhe, ndjesitë e përfytyrimet kolektive, pra identiteti jonë, duhen gjallëruar bashkërisht. Ajo çfarë ndodhë në Kosovë, ndjehet njësoj edhe në Tetovë, ashtu siç ajo çfarë ju brengos juve këtu, është shqetësimi edhe i neve atje.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuari Kryetar i Komunës së Tetovës dhe nikoqir i takimit tonë, z. Bilall Kasami,
Të dashur qytetarë të Tetovës dhe shumë të dashura motra e vëllezër shqiptarë nga të gjitha trevat e Maqedonisë së Veriut,

Mirëmbrëma dhe mirë se ju gjejë këtu në sheshin “Iliria” në Tetovë! Kur u nisa sot në mesditë nga Prishtina për në Shkup, rrugës në makinë teksa po e shikoja edhe një herë agjendën për vizitën e sotme, e vura re që protokolli e kishte shkruar: ora 20:30: manifestim dhe koncert në sheshin “Iliria” të Tetovës dhe më pas në kllapa (priten mijëra njerëz). Unë jam shumë i lumtur teksa po takohem me juve me kaq shumë motra dhe vëllezër të mi nga Tetova dhe vendbanime tjera të Pollogut. Ju falënderoj nga zemra për këtë pritje kaq dashamirëse dhe të përzemërt prej jush.

Protokolli im janë të zot, por nuk e kanë pasur të vështirë ta parashikojnë se do të jetë një tubim kaq i madh e mbresëlënës sonte, sepse bëhet fjalë për Tetovën, bëhet fjalë për tetovarët dhe tetovaret.

Është e vështirë të gjendet një tjetër popull të paktën në Evropë, për të cilin gjeografia ka qenë kaq përcaktuese dhe e rëndësishme për historinë e tij, siç është fjala për ne shqiptarët. Andaj, ne nuk mund ta bëjmë asnjë hap historik, pa marrë parasysh edhe gjeografinë tonë.

Distanca mes Prishtinës dhe Tetovës e shikuar në hartë si vijë ajrore, është vetëm 74 kilometra, por si distancë rrugore, Prishtina dhe Tetova janë larg njëra tjetrës 122 kilometra. E megjithatë, përtej këtyre dy shifrave, ku rrugorja është gati sa dyfishja e ajrores, ka edhe një dimension të tretë, që është ai kohor. Duke shkurtuar rrugët, ne fitojmë kohën. Ashtu siç e përjetova unë sot, si një rrugë të shkurtër dhe që mund të shkurtohet edhe më shumë, sepse me ngazëllim dhe dëshirë erdha t’ju takoj juve sot e sonte këtu. E tash, në këtë pikë, nuk e kam fjalën për rrugët automobilistike dhe autostradat, por për rrugët më të rëndësishme që janë rrugët e bashkëpunimit dhe të bashkërendimit mes neve, mes Prishtinës dhe Shkupit dhe Tiranës, Tetovës e Gostivarit, Kumanovës e Preshevës, Shkodrës dhe Ulqinit që të jetojmë më mirë e të zhvillohemi më shumë pa dallim e pa diskriminim.

Aleanca veri atlantike NATO-ja, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar janë platforma vlerore e cila na sjellë mbrojtje e siguri sidomos në këtë kohë kur imperializimi rus e riktheu luftën në kontinentin tonë evropian. Maqedonia e Veriut, sa ma afër Kosovës, Shqipërisë dhe Bullgarisë, e sa ma larg Serbisë e cila nuk po distancohet as nga Millosheviqi dhe as nga Putini, aq ma afër ajo, pra aq ma afër Maqedonia e Veriut do të jetë anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe aq më i sigurt do të jetë rajoni ynë i Ballkanit. E për këtë ne duhet ta ndihmojmë e do ta përkrahim Maqedoninë e Veriut.

Të dashur qytetarë,

Para se të vij këtu mes jush, bashkë me kolegë të tjerë, me zëvendësministrin tim të Infrastrukturës Hysen Durmishi dhe me këshilltarin tim politik për Maqedoninë e Veriut, Bekim Qokun, përuruam emërtimin e një rruge me emrin “Adem Demaçi” në Komunën e Çairit, e më pas përuruam një segment rrugor që i lidhë fshatrat Sellcë dhe Vicë në Tetovë. Të gjitha këto e shtojnë dhe e përforcojnë rrugët mes nesh, duke zgjeruar hapësirat dhe duke shtuar mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Kjo është jetike për lidhjet mes nesh, si njerëz, e si qytetarë dhe si shtete, andaj ne duhet të vazhdojmë të ecim në rrugën tonë të ndërtimit të sa më shumë rrugëve, pa devijuar nga rruga e pa u lodhur gjatë ecjes.

Sot, kam ardhur këtu mes jush si Kryeministër i Republikës së Kosovës, në një vizitë vëllazërore me ju shqiptarët e këtyre trevave të Maqedonisë së Veriut, fqinjit tonë të mirë dhe vendit mik që na ka njohur si shtet neve Republikën e pavarur të Kosovës që në krye të herës dhe me të cilën kemi aq shumë shkëmbime në të gjitha fushat dhe marrëdhënie të mira ndërshtetërore.

Aksi rrugor Prizren-Tetovë tashmë është marrëveshje midis dy qeverive tona. E kam nënshkruar këtë marrëveshje me ish- kryeministrin Zoran Zaev dhe e kemi vazhduar me kryeministrin aktual Dimitar Kovacevski. Zëvendësministri im i Infrastrukturës Hysen Durmishi është dakorduar me homologun e tij, zëvendësministrin e Transportit, Bekim Rexhepin e me drejtorin e Ndërmarrjes Shtetërore, rrugët e Maqedonisë, Ejup Rrustemin, janë dakorduar pra për njërin nga gjashtë opsionet e dala nga studimi i fizibilitetit me tunel 6.4 kilometra, pak më i gjatë se ai në Kalimash, dhe nga 15 kilometra në të dy anët e hyrje daljeve të tunelit. Kostoja e parallogaritur e këtij aksi të rëndësisë së madhe ndërshtetërore, kombëtare, rajonale e evropiane është rreth 200 milionë euro, 3/4 për tunelin e pjesa tjetër për rrugët në të dy anët e tij që e lidhin Prizrenin me Tetovën, që e lidhin Tetovën me Prizrenin. Pra, nuk është kosto aq e lartë, ndërkaq përfitimi është i jashtëzakonshëm saqë i pamatshëm. Andaj, vonesat për këtë aks infrastrukturor janë të paarsyeshme dhe janë të dëmshme dhe unë kërkojë ndihmën e të gjithë juve dhe të secilit prej jush që jeni këtu, e që po na ndjekin tash ose më vonë, që bashkërisht të mobilizohemi e të aktivizohemi që asnjë ditë të mos humbet pa punuar për këtë aksin rrugor i cili i lidhë Prizrenin me Tetovën, që te zoti në qiell kanë qenë një qytet e kur kanë rënë në tokë janë nda nga malet e Sharrit e janë bërë Tetova këtu e Prizreni në anën tjetër. Le t’i bëjmë Prizrenin e Tetovën një me aksin rrugor që na lidh me këtë tunel. Jemi marrë vesh kryeministrat, qeveritë, komisionet, vonesat janë të papranueshme.

Të nderuar pjesëmarrës,

Ne shqiptarët kudo që jetojmë, në Ballkan apo nëpër mërgatë, duhet të punojmë për më shumë demokraci e liri, drejtësi e mirëqenie. Ta ndihmojmë e përkrahim njëri-tjetrin, për hir të njëri-tjetrit jo kundër ndokujt tjetër. Dhe ne ia kemi dëshmuar edhe vetës edhe të tjerëve këtë, si gjatë gjithë historisë ashtu edhe para dy dekadash, kur mijëra shqiptarë nga Kosova të dëbuar gjatë luftës më 1999 nga gjenocidi, u strehuan nga vëllezërit e motrat e tyre shqiptarë të të gjitha këtyre anëve. Gjuha që e flasim, pra shqipja jonë, e kaluara e përbashkët, pra historia jonë, dhe, ndjesitë e përfytyrimet kolektive, pra identiteti jonë, duhen gjallëruar bashkërisht. Ajo çfarë ndodhë në Kosovë, ndjehet njësoj edhe në Tetovë, ashtu siç ajo çfarë ju brengos juve këtu, është shqetësimi edhe i neve atje.

Le të reflektojmë sonte ndër ne për këto rrugë dhe të tjerat që na presin, teksa po i
shijojmë performancat artistike të Shoqërisë Kulturore Artistike “Xheladin Zeqiri”, të solistes Melisa Loki, e të grupit tonë të famshëm muzikor “Elita 5”.

Ju faleminderit shumë që na keni vendosur neve politikanëve midis himnit tonë kombëtar “Rreth flamurit të përbashkuar”, pastaj këngës legjendare tashmë që vlon në aktualitetin e shqiptarëve gjithandej “Mora fjalë” dhe që pas neve do të vazhdojmë edhe me “Elita 5”, në mënyrë që muzika, kënga jonë, politika jonë, mendimi jonë, zemrat tona të jenë më të gjalla se kurdoherë më parë dhe të ecim bashkë e përpara si asnjëherë më parë.

Ju dua fort me zemër, u jam mirënjohës përjetë dhe ju faleminderit shumë për këtë mikpritje kaq dashamirëse, të ngrohtë e përzemër. Faleminderit!

Last modified: 12 Gusht, 2023

Comments are closed.

×