Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti në Konferencën Vjetore të Partisë Laburiste: Ndikimi i Partisë Laburiste në fatin e Kosovës ka qenë i rëndësishëm dhe i madh

9 Tetor, 2023

Liverpool, 9 tetor 2023

Në kuadër të Konferencës së Partisë Laburiste që po mbahet në Liverpool, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në drekën e organizuar me partitë simotra, ishte i ftuar si folës kryesor.

Ai u shpreh i nderuar për mundësinë që t’i drejtohet me një fjalim pjesëmarrësve në konferencë.

Ndikimi i Partisë Laburiste në fatin e Kosovës ka qenë i rëndësishëm dhe i madh, deklaroi kryeministri në krye të herës.

Dy prej momenteve më të rëndësishme në historinë e vonshme të Kosovës janë vitet 1999 dhe 2008, çlirimi përkatësisht, pavarësia, gjatë të cilave, Partia Laburiste ishte në pushtet në Mbretërinë e Bashkuar.

“Në vitin 1999, nën udhëheqjen e Tony Blair, Mbretëria e Bashkuar ishte pjesë e intervenimit ushtarak të NATO-s, për të ndaluar vazhdimin e fushatës gjenocidale nga forcat serbe… pastaj në shkurt të vitin 2008, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Mbretëria e Bashkuar, me Gordon Brown si kryeministër, ishte një nga vendet e para që njohën shtetësinë e Kosovës”, deklaroni kryeministri Kurti në fjalën e tij.

Teksa shpalosi sukseset e Republikës së Kosovës dhe arritjet e deritanishme të qeverisjes, kryeministri Kurti theksoi se edhe pse shtet për një kohë jo shumë të gjatë, Kosova po dëshmon se intervenimi i NATO-s dhe një shtet i sapoformuar mund t’i japin jetë një demokracie të plotë.

Ai foli për qeverisjen social-demokrate në Kosovë, reformat e ndërmarra, politikat sociale, të punësimit, energjetike si dhe ato në arsim, fushat prioritare të qeverisë sipas buxhetit të këtij viti, indikatorët ekonomikë dhe progresin demokratik të evidentuar në raportet ndërkombëtare. Fatkeqësisht momentumi i arritjeve dhe përparimit është duke u sfiduar në vazhdimësi nga Serbia, tha ai.

Duke folur për sulmin terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit, kryeministri Kurti u shpreh se Serbia, si një aleate e Rusisë, tentoi që të kopjojë skenarin e Donbasit me qëllim të pushtimit të veriut. Rritja e pranisë ushtarake serbe në kufirin me Republikën e Kosovës u përshkrua si e paprecedentë nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, kurse pamjet e sekuestruara nga dronët që ishin në posedim të grupit terrorist zbuluan se trupat paramilitare ishin trajnuar në bazat zyrtare të ushtrisë serbe, duke dëshmuar kështu në mënyrë të pakundërshtueshme përfshirjen e drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë në planifikim të sulmit që u krye dy javë më parë në Banjskë, me 24 shtator.

Megjithatë, kryeministri theksoi se e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës, sikurse as paqja dhe siguria e Evropës nuk mund të mbahen peng nga Serbia, dhe se perspektiva për paqe, drejtësi, dhe prosperitet në një kohë me plotë sfida varet nga ajo çka zgjedhim të bëjmë dhe si zgjedhim të veprojmë së bashku.

Para fillimit të drekës së punës, kryeministri Kurti mori pjesë në mikpritjen e organizuar për mysafirët ndërkombëtarë nga Sekretari nën hije për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Laburiste, David Evans.

Aty u përshëndet ngrohtësisht dhe u takua me Sekretarin nën hije për Punë të Jashtme, David Lammy dhe Sekretarin nën hije të Mbrojtës, John Healey. Në ato margjina, takoi edhe Sekretarin e Përgjithshëm Ekzekutiv të Partisë Evropiane të Socialistëve (PES), Giacomo Fillibeck.

Ndërkaq, mbrëmë, në ditën e parë të tij në Konferencën Vjetore të Partisë Laburiste të Mbretërisë së Bashkuar, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti pati një fjalim mbi temën “Sfida globale, zgjidhje kolektive”.

Para të pranishmëve, në mesin e të cilëve ishte edhe Sekretarja e Përgjithshme e Internacionales Socialiste, Benedicta Lasi, Sekretari Nën Hije i Mbretërisë së Bashkuar për Ndryshime Klimatike, Edward Miliband, deputetë nga Ukraina dhe përfaqësues të partisë social-demokrate të Afrikës së Jugut, Kongresi Kombëtar Afrikan (ANC), në adresimin e tij, kryeministri Kurti veçoi dy sfida globale të ditëve tona; Autokratët dhe kërcënimi që ata paraqesin për sigurinë dhe kriza klimatike dhe ndikimi i saj në jetën dhe mirëqenien e njerëzve në mbarë botën.

Në lidhje me rrezikun nga autokratët, të udhëhequr nga politika hegjemoniste dhe ekspansioniste, ai tha se ata nuk i njohin shtetet fqinje, dhe se nga ato kërkojnë ose që të bëhen marionetë të tyre ose të marrin pjesë të territorit të tyre. Andaj, është e nevojshme që të krijojmë solidaritet global kundër autokratëve dhe të mbrojmë demokracinë, dhe për këtë qëllim, kryeministri veçoi tri kategori shoqërore me rol dhe potencial të veçantë dhe që përbëjnë shumicën e shoqërisë: punëtorët, studentët dhe gratë.

Ndërkaq, për sa i takon krizës klimatike, ai tha se edhe Kosova së fundmi ka përjetuar thatësira, vërshime dhe zjarre më shumë e më shpesh se ndonjëherë më parë. Duke qenë realitet dhe brengë e përbashkët, kryeministri Kurti bëri thirrje që të bëhemi bashkë në zbatimin dhe respektimin e Protokollit të Kyotos, Marrëveshjes së Parisit dhe Deklaratës së Sofjes, teksa nënvizoi se Kosova është angazhuar veçanërisht në rritjen e kapaciteteve të burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe efiçiencës së energjisë.

Fjala e plotë në drekën e punës me partitë simotra:

I nderuar David Lammy, Sekretar në Hije i Shtetit për Çështjet e Jashtme, Komonuelth dhe Zhvillim,
E nderuara Annelise Dodds, Sekretare në Hije e Shtetit për Gratë dhe Barazitë, Kryetare e Partisë
I nderuar Kryetar Ryan Wain,
Të nderuar panelistë: I nderuar Andrew Giles, Ambasador Wambu Kraal, Senator Humberto Costa dhe deputete e Parlamentit Gjerman, Jasmina Hostert,
Të nderuar të ftuar të Partisë Motra dhe Politikanë të Partisë Laburiste,
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe Zotërinj,

Së pari dëshiroj të shpreh ngushëllimet dhe keqardhjen time për ata që kanë pësuar humbje dhe dhunë të jashtëzakonshme në 48 orët e fundit pas sulmeve në Izrael.
Është një nder që më jepet mundësia t’ju drejtohem sot.

Ndikimi i partisë suaj në fatin e vendit tim, Kosovës, ka qenë i rëndësishëm dhe i madh. Mund të thuhet se dy momentet më të rëndësishme për Kosovën në historinë tonë të vonshme, kanë qenë viti 1999 dhe 2008, domethënë çlirimi dhe pavarësia. Gjatë të dy këtyre momenteve, laburistët ishin në pushtet. Në vitin 1999, nën udhëheqjen e Tony Blair, Mbretëria e Bashkuar ishte pjesë e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë, e njohur si Operacioni Forca Aleate, për të ndaluar vazhdimin e fushatës gjenocidale të forcave serbe dhe ndalur mizoritë e papërshkrueshme. Vendosja e mëvonshme e forcave paqeruajtëse ndërkombëtare, duke përfshirë trupat britanike, ndihmoi në stabilizimin e rajonit dhe krijimin e kushteve për kthimin e kosovarëve të dëbuar. Mbretëria e Bashkuar mirëpriti gjithashtu shumë kosovarë që ikën nga lufta dhe që atëherë janë bërë shtetas britanikë dhe janë integruar mirë në shoqërinë tuaj. Diaspora jonë janë individë punëtorë, me një mentalitet progresiv, të cilët kontribuojnë në të dy vendet tona. Më pas, në shkurt të vitit 2008, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Britania e Madhe, me Gordon Brown si kryeministër, ishte një nga vendet e para që njohu shtetësinë e Kosovës, duke afirmuar të drejtën e saj për të ekzistuar dhe lulëzuar në demokraci.

Lidhja ime me Partinë shkon një shkallë më thellë pasi rruga ime për t`u bërë Kryeministër ka qenë përmes themelimit 18 vjet më parë dhe udhëheqjes së partisë socialdemokrate, Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Udhëtimi nga aktivizmi bazë deri te marrja e detyrës si Kryeministër, nga politika si përpjekje deri në qeverisje si shërbim, ka nënkuptuar që prioritetet në qendër të punës politike – sigurimi i një jete dinjitoze dhe të mbrojtur shoqërore për qytetarët tanë, në mënyrë që ata të mund të ushtrojnë lirinë e tyre – u zmadhuan. Dhe kur këto vlera zmadhohen, vendi përfiton. Pothuajse tre vjet më parë, slogani i fushatës sonë ishte “Punësim dhe drejtësi”. Njerëzit po bashkoheshin, Lëvizja po rritej. Ne u bëmë një shumicë e vetëdijshme. Ne thamë se duhet të bëhemi një mazhorancë gjithnjë e më e madhe, në mënyrë që partitë e mëparshme në qeveri të mos nevojiten për koalicion. Dhe, ia dolëm.

Suksesi i fundit i Kosovës tregon se edhe pse shtet për një kohë jo shumë të gjatë, po dëshmon se ndërhyrja e NATO-s dhe një shtet i sapoformuar mund t’I jape jetë një demokraci të plotë.

Që prej marrjes së detyrës dy vjet e gjysmë më parë, qeveria jonë u fokusua në dy gjëra: rritjen e të ardhurave të vendit dhe rishpërndarjen e tyre për të gjithë qytetarët, veçanërisht ata që sistemi i kishte injoruar. Ndër masat e tjera, kjo përfshinte nisjen e mbi 1000 operacioneve policore dhe 3800 arrestimeve për të frenuar korrupsionin dhe krimin, duke rezultuar në një rritje me 2/3 e të ardhurave tatimore pa ndryshuar politikën fiskale. Lufta jonë kundër korrupsionit solli shumë shpresë dhe optimizëm te njerëzit, sepse ata vunë re se qeverisja është e drejtë. Dhe ky optimizëm, kjo shpresë, i bëri ata të shpenzojnë më shumë sesa të kursejnë. E cila është e mirë për jetën e njerëzve dhe ekonominë e vendit.

Buxheti vjetor i shtetit për vitin 2023 është shënuar me rritje të ndjeshme në katër fusha: arsim, shëndetësi, bujqësi dhe mbrojtje. Në të njëjtën kohë, ne filluam forma të mbështetjes sociale që nuk ekzistonin më parë. Për herë të parë në vendin tonë, ne bëmë të mundur që të gjitha nënat e reja të marrin mbështetjen e qeverisë, duke siguruar shtesa për fëmijë për 19% të popullsisë sonë.

Për më tepër, ne e bëmë arsimin publik falas në nivelin Bachelor dhe Master dhe zbatuam iniciativa si bursa për Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë (STEM) për gratë, të cilat tani përbëjnë mbi 50% të trupit studentor STEM, krahasuar me mesataren e BE-së prej 17%. Ne hapëm shkollat për arsim dhe aftësim profesional duke u ofruar studentëve kualifikime në profesione të ndryshme të përshtatshme për kërkesat e tregut të punës.

Përkushtimi ynë u shtri në rritjen e masës së pensionit për personat me aftësi të kufizuara me 33%. Ne lançuam një platformë novatore për punësimin e të rinjve dhe siguruam që ata që merren me art të merrnin pagat e drejta që kishin merituar prej kohësh. Punësimi i grupmoshës 18-24 (vjeç) është rritur me 118%, dhe në përgjithësi kemi një rritje punësimi prej rreth 14% në 28 muaj. Ajo që qeveritë e tjera mund të kishin konsideruar si barrë u bë motori i vendit.

Vlera e eksporteve në vitin 2022 është dyfishuar krahasuar me vitin 2020. Si rezultat, raporti eksport-import u ngushtua nga pothuajse 1 në 9, deficiti tregtar i thellë, në 2019 në më pak se 1 me 6 aktualisht. Mesatarisht, çdo vit të qeverisjes sonë, ne kemi gjeneruar më shumë të ardhura për ekonominë tonë sesa në tre vitet e mëparshme të kombinuara. Ishte rritja ekonomike e nxitur nga përfitimi i njerëzve dhe jo nga shfrytëzimi i tyre.

Për të stimuluar rritjen ekonomike dhe për të përmirësuar mirëqenien socio-ekonomike të qytetarëve tanë, ne kemi hartuar një koncept-dokument që përcakton krijimin e një fondi sovran të pasurisë që synon të rregullojë investimin e të ardhurave nga asetet publike. Kur socialdemokratët e marrin pushtetin, partitë e djathta presim që ne nuk do të ia dalim mirë në menaxhim. Pra, është e një rëndësie të jashtëzakonshme të kemi një ushtri menaxherësh të mirë në ndërmarrjet publike, dhe ne po i sjellim ata nën ombrellën e përbashkët të fondit sovran të pasurisë.

Megjithëse kemi rezervat e pesta më të mëdha në botë të linjitit, deri në vitin 2030 ne aspirojmë të rrisim pjesën e burimeve të rinovueshme në përzierjen tonë të energjisë në 32%, një rritje e jashtëzakonshme nga niveli ynë aktual prej rreth 10%. Ne i përmbahemi plotësisht Protokollit të Kiotos, Marrëveshjes së Parisit dhe Deklaratës së Sofjes.

Në administratën publike kemi ulur diferencën mes pagës më të lartë dhe asaj më të ulët nga 20:1 në vetëm 4.78:1. Diferenca mes pagës sime si kryeministër dhe asaj të një ushtari të thjeshtë apo të një oficeri të lartë policie është më pak se 3:1. Pagat e profesorëve, mjekëve dhe prokurorëve janë afërsisht të njëjta.
Progresi ynë demokratik u njoh nga organizatat e nderuara ndërkombëtare. Sipas raportit të sotëm të Freedom House, Kosova renditet e para në Ballkanin Perëndimor, e dyta në Evropë dhe e treta në nivel global për përmirësimi në të drejtat politike dhe liritë civile. Reporterët pa Kufij vunë re gjithashtu përmirësimin tonë thelbësor, me një rritje prej 22 vendesh në dy vjet. Për më tepër, Indeksi i Korrupsionit i Transparency International dëshmoi një rritje të konsiderueshme prej 20 vendesh. Pra, ne insistojmë të dëshmojmë se zhvillimi ekonomik nga njëra anë dhe përparimi demokratik nga ana tjetër shkojnë së bashku. Sot në botë ka disa fuqi dhe superfuqi që duan të shkëputin demokracinë nga zhvillimi. Dhe ne jemi një vend relativisht i vogël që po shërben si një shembull i shkëlqyer se është e mundur të kemi një zhvillim ekonomik që nuk shkon në kurriz të pluralizmit politik, të drejtave të njeriut apo shtetit të së drejtës.

Progresi demokratik dhe ekonomik nuk janë kurrë bëma të vogla, por ato janë veçanërisht domethënëse kur vendi është 15 vjeç dhe është përballur me pjesën e tij të drejtë të sprovave të qeverisjes së mirë. Fatkeqësisht, gëzimi dhe momentumi i arritjeve tona sfidohen nga fqinji ynë verior.

Ndërsa ecim përpara, na kujtohet e kaluara jonë sfiduese, jo si një mënyrë për ta nderuar atë, por sepse kërcënimet e paraqitura nga fqinji ynë shërbejnë si një kujtesë e ashpër e terrorit që duruam. Që kur u përfundoi Lufta në Kosovë, Serbia vazhdoi të terrorizonte Kosovën në forma të ndryshme, duke përfshirë përdorimin e vetos së Rusisë në Këshillin e Sigurimit kundër nesh dhe duke ndërhyrë në mënyrë aktive në anëtarësimin tonë në organizatat ndërkombëtare. Këto veprime shfaqin haptazi acarimin e synimeve të tij. Vetëm dy javë më parë, grupet paramilitare hynë në Kosovë, duke hapur zjarr ndaj policisë sonë dhe që si pasojë kishim humbjen tragjike të një zyrtari policor.

Serbia, si një aleate e vendosur e Putinit, u përpoq të përsëriste skenarin e Donbasit, me synimet për të pushtuar veriun e Kosovës. Ngritja ushtarake rreth kufirit u përshkrua si “e paprecedentë” nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, pamjet e sekuestruara nga SHBA-ja zbuluan se trupat paraushtarake ishin trajnuar në bazat zyrtare të ushtrisë serbe, duke ofruar disa prova të pakundërshtueshme që konfirmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë në planifikim.

E tashmja dhe e ardhmja e Kosovës nuk mund të jenë peng nga Serbia, e as paqja dhe siguria për Evropën. Ndërsa ecim në rrugën e integrimit në BE dhe NATO dhe bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin tonë verior, duke i kthyer ato në fqinjësi të mirë, kërkoj që ndikimi rus i kanalizuar përmes Serbisë dhe kërcënimi që ajo përfaqëson të merret seriozisht, në mënyrë që tirania e atyre që mbajnë poste publike për të shtypur dhe destabilizuar demokracinë në vende të tjera mund të ndalet.

Perspektiva për paqe, drejtësi dhe prosperitet në një kohë me sfida të vështira, varet nga ajo që zgjedhim të bëjmë dhe si zgjedhim të veprojmë së bashku.

Faleminderit, Mbretëria e Bashkuar. Faleminderit, Laburistë.

Last modified: 10 Tetor, 2023

Comments are closed.

×