Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti në Akademinë Përkujtimore në Studime: I përjetshëm qoftë kujtimi i martirëve të Studimes!

2 Maj, 2025

Studime, Vushtrri, 2 maj 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë anëtarë të kabinetit qeveritar dhe deputetë të Kuvendit, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore me rastin e shënimit të 26-vjetorit të Masakrës së Studimes. Akademia u mbajt pranë varrezave të martirëve të rënë të këtij fshati.

Në mbrëmjen e 2 majit të vitit 1999, brenda dy orësh, 116 shqiptarë, civilë të paarmatosur u vranë mizorisht nga forcat policore e ushtarake të regjimit të Millosheviqit, të cilët nuk kursyen burra e gra, pleq e fëmijë, nga shumica e fshatrave të Shalës dhe rrethit të Vushtrrisë.  Në mëngjes, gratë dhe fëmijët i dëbuan për në Shqipëri, ndërkaq burrat i dërguan në burgun famëkeq të Smrekonicës, ku kaluan nëpër trajtim çnjerëzor, rrahje e tortura.

“Strategjia gjenocidale e Serbisë me emrin “Patkoi”, me të cilën Kosova po spastrohej nga shqiptarët, ishte një plan i errët që përfshinte edhe ‘patkojë’ të vegjël. Një prej tyre ishte edhe këtu, në Vushtrri. Fshatrat u vunë nën rrethim, banorët u dëbuan me dhunë nga shtëpitë, e pasuria u plaçkit”, u shpreh kryeministri Kurti në fjalën e tij.

Në këto homazhe, kryeministri shprehu mirënjohjen e tij të thellë ndaj të gjithë atyre që e mbajnë të gjallë kujtesën e luftës, e që kanë dëshmuar për këto krime në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë, në EULEX, e në Prokurorinë Speciale të Kosovës kundër kriminelëve serbë.

“Krimet kundër njerëzimit nuk parashkruhen. Nuk harrohen. Nuk falen. Vetëm me drejtësi për viktimat dhe dënim për kriminelët, familjarët do të gjejnë prehje dhe paqja do të bëhet e qëndrueshme”, tha ai.

Më tej, ai shtoi se vuajtjet që përjetoi populli ynë nuk mund të shlyhen kurrë nga kujtesa jonë kolektive, ndërkaq, të rënët për liri nuk do të jenë asnjëherë të harruar.

“I përkujtojmë sot dhe përherë të gjithë që u flijuan, që ne sot të jetojmë të lirë në Republikën e Kosovës. I përjetshëm qoftë kujtimi i martirëve të Studimes!”, u shpreh në fund kryeministri Kurti.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara ministre e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu,
I nderuari kryetari i Komunës së Vushtrrisë, z. Ferit Idrizi,
I nderuari kryetar i Komunës së Mitrovicës veriore, Erden Atiq,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,
I nderuari Kryetar i AAK-së, z. Haradinaj,
Të nderuar gjeneralë të ushtrisë sonë, oficerë e ushtarakë, policë të Policisë së Kosovës,
Të nderuar drejtues dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme shtetërore e lokale,
Të nderuara familje të dëshmorëve e martirëve të kombit,
Të nderuar invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,

Shumë nga ju e keni përjetuar tmerrin e luftës dhe i keni të freskëta kujtimet e dhimbshme nga viti 1999. Në prill të atij viti, banorët e fshatrave në Vushtrri dhe zonave përreth dëboheshin nga shtëpitë e tyre dhe kërkonin vende që dukeshin më të sigurta. Shpresonin për mbijetesë, duke u strehuar në zonat përreth Studimes, deri në muajin maj.

Strategjia gjenocidale e Serbisë me emrin “Patkoi”, me të cilën Kosova po spastrohej nga shqiptarët, ishte një plan i errët që përfshinte edhe ‘patkojë’ të vegjël. Një prej tyre ishte edhe këtu, në Vushtrri. Fshatrat u vunë nën rrethim, banorët u dëbuan me dhunë nga shtëpitë, e pasuria u plaçkit.

Forcat policore e ushtarake të regjimit të Millosheviqit, u vunë zjarrin fshatrave përreth dhe arritën deri në Studime të Epërme. Në mbrëmjen e 2 majit 1999, forcat kriminale serbe filluan terrorin sistematik ndaj popullatës civile shqiptare e cila po lëvizte aty në kolonë nga fshati Studime e Poshtme në Studime të Epërme. Brenda dy orësh, 116 shqiptarë u vranë mizorisht. Burra e gra, pleq e fëmijë, nga shumica e fshatrave të Shalës dhe rrethit të Vushtrrisë. Në mëngjes, gratë dhe fëmijët i dëbuan për në Shqipëri, ndërkaq burrat i dërguan në burgun famëkeq të Smrekonicës, ku kaluan nëpër trajtim çnjerëzor, rrahje e tortura. Ushtarakët serbë kishin tentuar të kthehen për t’i marrë trupat e të vrarëve, por falë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ia dolën. Ata, bashkë me fshatarët e mbijetuar në male, i kanë varrosur për tri ditë rresht.Andaj sot, krahas rënies së martirëve, nderojmë qëndresën e të gjallëve. Të gjithë ju që keni mbijetuar, që keni sfiduar vdekjen, që ende mbani  në trup e në shpirt plagët e lirisë, jeni dëshmi e gjallë e forcës së popullit tonë.

U jemi mirënjohës juve që e mbani po ashtu gjallë kujtesën e luftës, e që keni dëshmuar për këto krime në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë, në EULEX, e në Prokurorinë Speciale të Kosovës kundër kriminelëve serbë.

Krimet kundër njerëzimit nuk parashkruhen. Nuk harrohen. Nuk falen. Vetëm me drejtësi për viktimat dhe dënim për kriminelët, familjarët do të gjejnë prehje dhe paqja do të bëhet e qëndrueshme.

Të dashura motra dhe vëllezër,
Të nderuara nëna,

Populli ynë ka treguar forcë të jashtëzakonshme, duke rindërtuar jetën mbi shkatërrimin e luftës. Fëmijët rriten sot në një Kosovë të lirë, dhe ëndërrojnë pa frikë për të ardhmen. Bashkë me brezat e rinj, po e ruajmë këtë liri me përkushtim shoqëror, kombëtar, qytetar e institucional. Nderojmë kujtimin e martirëve duke u angazhuar për një Kosovë edhe më të fortë  edhe më të përparuar.

Vuajtjet që përjetoi populli ynë nuk mund të shlyhen kurrë nga kujtesa jonë kolektive. Ndërkaq, të rënët për liri nuk do të jenë asnjëherë të harruar.

I përkujtojmë sot dhe përherë të gjithë ata që u flijuan, që ne sot të jetojmë të lirë në Republikën e Kosovës. I përjetshëm qoftë kujtimi i martirëve të Studimes!

Lavdi!

Last modified: 2 Maj, 2025

Comments are closed.