Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti nderon viktimat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

14 Prill, 2023

Prishtinë, 14 prill 2023

Në Ditën Memoriale të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, të shpallur këtë vit nga Qeveria, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nderoi viktimat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Me homazhe te memoriali Heroinat, Kryeministri Kurti përkujtoi viktimat e dhunës seksuale, të cilat nuk janë më në mesin tonë, si dhe nderoi të mbijetuarat e të mbijetuarit për forcën e tyre të pashembullt.
Kryeministri Kurti, së bashku me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, vendosi lule para memorialit, i cili përkujton mijëra gra dhe vajza, burra dhe djem, viktima e të mbijetuar të dhunës seksuale, që është përdorur si armë lufte nga forcat e okupatorit serb në luftën e fundit në Kosovë.

Në homazhe morën pjesë edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, drejtuesja e grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mimoza Kusari Lila, Kryeshefja Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit, Edi Gusia, kryetarja e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të personave të dhunuar gjatë Luftës në Kosovë, Leonora Selmani, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve.

Në mbledhjen e 138-të, të mbajtur më 12 prill 2023, Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkërendim me Presidenten e Republikës së Kosovës, ka shpallur datën 14 prill si Ditë Memoriale e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Last modified: 14 Prill, 2023

Comments are closed.