Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti ndau çmimin kryesor për këngën fituese të Festivalit të Këngës në RTK

28 Tetor, 2023

Prishtinë, 28 tetor 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë mori pjesë në natën e tretë të edicionit të parë të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin e Kosovës, ku ndau çmimin kryesor për këngën fituese “Oj Kosovë” të kënduar nga artisti, La Fazani.

Me rastin e ndarjes së çmimit kryesor kryeministri Kurti tha sonte ka pasur shumë energji dhe bukuri për më shumë se dy orë në këtë skenën që është më e madhja në Kosovë, dhe se është përjetim i paharrueshëm por edhe përvojë shumë e veçantë për secilin prej nesh që ishim sonte këtu.

Paraprakisht, në hyrje të festivalit kryeministri Kurti e kishte cilësuar atë si ngjarje shumë të madhe kulturore për vendin dhe mbarë kombin. Ai tha se është shumë e rëndësishme që po bëhen bashkë artistët për kulturën e qytetarëve dhe gjithashtu kultura jonë po bëhet gjithnjë e më shumë artistike, e këtu kontribut kanë dhënë edhe Radio Televizioni Publik i Kosovës edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, veçoi ai.

Kryeministri shtoi se do të vazhdojë mbështetja e Qeverisë për artin dhe kulturën, sepse janë të domosdoshme edhe për edukimin e rinisë, por edhe për mirëqenien shpirtërore e intelektuale të popullit tonë.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbështetur me 300 mijë euro organizimin e këtij festivali.

Last modified: 29 Tetor, 2023

Comments are closed.