Prishtinë, 27 nëntor 2024
Sot më 27 Nëntor, kur po e shënojmë Ditën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, panë nga afër automjetet, armatimin, municionin, i cili vazhdimisht po shtohet edhe për nga numri, edhe për nga lloji në Kazermën “Adem Jashari”.
Kjo vizitë pasoi Mbledhjen e 233-të të Qeverisë, e ku para fillimit të saj kryeministri nënshkroi një vendim shumë të rëndësishëm me të cilin është themeluar Komisioni Ndërministror që e udhëheq ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e i cili komision ka për detyrë që të iniciojë procedurat dhe negociatat për Fabrikën për prodhimin e municionit në Republikën tonë, e njëkohësisht edhe për një laborator për dizajnimin e fluturakeve pa pilot.
Duke i uruar të gjithë qytetarët për Ditën e Forcës, kryeministri Kurti vlerësoi se Forca jonë po forcohet vazhdimisht e me këtë po fuqizohet Republika e Kosovës për çfarë shprehu mirënjohjen e tij të thellë e falënderimin e përzemërt për Ministrinë, për ushtrinë, për udhëheqësit dhe për secilën e secilin që është angazhuar e ka kontribuar.
E teksa krahasoi vitet e mëhershme, kryeministri nënvizoi se me qeverisjen tonë kemi dyfishim të numrit të ushtarëve krahasuar me vitin 2021, kemi trefishim të buxhetit për mbrojtje për Ministrinë, kemi katërfishim të trajnimeve jashtë vendit për oficerët, nënoficerët, ushtarakët tanë në përgjithësi, ushtarët tonë posaçërisht dhe kemi shumëfishim të investimit në armatim e në municion.
‘’Armatimi dhe municioni që e shihni në ushtrinë tonë sot, është i blerë prej vendeve që janë anëtare të NATO-s, e këtu duhet theksuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqinë, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Kroacinë.’’, duke i përmendur si më kryesoret por ku nuk mungojnë dhe shtete të tjera, gjersa shtoi se shumica dërmuese, janë blerje nga buxheti i Kosovës, e pjesërisht janë donacion i këtyre vendeve mike, partnere dhe aleate.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se sot është një ditë e veçantë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe se shënimi i 27 Nëntorit si Dita e Forcës është bërë tashmë traditë dhe kjo traditë përkon me aktivitete të mëhershme edhe me trashëgimitë që ne kemi nga lufta çlirimtare por edhe zhvillimet që i kemi si ushtri ndër etapa.
‘’Sot këtë ditë po e shënojmë edhe me një hap shumë të rëndësishëm në plotësimin e infrastrukturës së mbrojtjes e sigurisë, atë të fillimit të industrisë ushtarake që është një komponent i rëndësishëm për qëndrueshmërinë shtetërore në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë’’, u shpreh ai.
Fjala e Kryeministrit Kurti:
Të nderuar gazetarë, ju faleminderit shumë që keni ardhur në një numër kaq të madh sot këtu në Kazermën “Adem Jashari”, për të parë automjetet, armatimin, municionin, i cili vazhdimisht po shtohet edhe për nga numri, edhe për nga lloji.
Gëzuar “Dita e Forcës” të gjithë oficerëve, nënoficerëve, ushtarëve tanë, ministrit të Mbrojtjes Ejup Maqedonci, Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant, Bashkim Jashari, me ç’rast ne gjithashtu urojmë edhe qytetarët e Republikës, për shkak se ushtria është e tyre dhe për ta.
Nëse krahasojmë me vitet e mëhershme, me qeverisjen tonë kemi dyfishim të numrit të ushtarëve krahasuar me vitin 2021 pra, kemi trefishim të buxhetit për mbrojtje për Ministrinë, kemi katërfishim të trajnimeve jashtë vendit për oficerët, nënoficerët, ushtarakët tanë në përgjithësi, ushtarët tonë posaçërisht, dhe kemi shumëfishim të investimit në armatim e në municion.
Armatimi dhe municioni që e shihni në ushtrinë tonë sot, është i blerë prej vendeve që janë anëtare të NATO-s, e këtu duhet theksuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqinë, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Kroacinë. Ka edhe shtete të tjera po këto janë kryesoret.
Shumica dërrmuese është blerje nga buxheti i Kosovës, e pjesërisht është edhe donacion i këtyre vendeve mike, partnere dhe aleate.
Erdhëm këtu pas Mbledhjes së Qeverisë, e cila në fakt u parapri nga një takim i veçantë që pata me Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe me tre ministra të tjerë, Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën, ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, me ç’rast sot në mëngjes pra, e kam nënshkruar një vendim shumë të rëndësishëm me të cilin kemi themeluar Komisionin Ndërministror që e udhëheq ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e i cili komision ka për detyrë që të iniciojë procedurat dhe negociatat për fabrikën e prodhimit të municionit në Republikën tonë, e njëkohësisht edhe për një laborator për dizajnimin e fluturakeve pa pilot.
Forca jonë po forcohet vazhdimisht e me këtë po fuqizohet Republika e Kosovës, për çfarë unë shpreh mirënjohjen time të thellë e falënderimin e përzemërt për Ministrinë, për ushtrinë, për udhëheqësit dhe për secilën e secilin që është angazhuar e ka kontribuar. Tash po ja kaloj fjalën ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Last modified: 27 Nëntor, 2024